Petrit Halilaj në New York e definon Kosovën nëpërmjet artefakteve

Petrit Halilaj në New York e definon Kosovën nëpërmjet artefakteve

28 shtator 2017 08:42

Prishtinë, 28 shtator - Degë të shumta drurësh sikur bllokojnë hyrjen e galerisë. Janë degë që artisti i njohur kosovar Petrit Halilaj i ka vendosur në galerinë “New Museum” të New Yorkut. Edhe kësaj radhe ai ka marrë një copë të vendlindjes, Runikut, dhe e ka prezantuar para publikut ndërkombëtar. Por tash nuk janë vetëm degët e Runikut që ai ka ekspozuar. Në fakt, prezanton një pjesë shumë të rëndësishme të krejt Kosovës.

Ekspozitën e ka titulluar “Petrit Halilaj: RU”, por jo rastësisht. RU simbolizon Runikun, Ruins (gërmadhat), Rumination (Ripërtypjen) Ruction (Rrotullimin) apo edhe Rummage (kërkim). Në këtë ekspozitë që u hap të mërkurën, Halilaj ka rikrijuar 505 eksponatet e gjetura në Runik, një pjesë e të cilave ndodhen në Beograd, në formë të zogjve migrues, të cilët përkohësisht kanë zënë vend në hapësirë të imagjinuar. Duke i risjellë këto objekte për herë të parë, Halilaj lë prapa idenë se ky koleksion duhet ta definojë një shtet.

Në një video të publikuar në rrjetin social “Twitter” shihet vetë artisti i cili u shpjegon të pranishmëve idenë prapa ekspozitës së tij. Halilaj shpesh përdor biografinë e tij si pikënisje për projekte artistike, duke përshtatur procesin e ekspozimit për të ndryshuar kursin e historive personale dhe kolektive. Duke përfshirë skulpturën, vizatimin, tekstin dhe videon, veprat e Halilajt gërshetojnë materiale prej vendlindjes së tij, Kosovës, dhe manifestohen si hapësira ambicioze për instalim nëpërmjet së cilës artisti përkthen marrëdhëniet personale në forma të skulpturës (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme