71 vulat, dëshmi e momenteve kyçe të historisë së shqiptarëve

71 vulat, dëshmi e momenteve kyçe të historisë së shqiptarëve

26 shtator 2017 09:51

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Muzeu Historik Kombëtar çelën dje ekspozitën “Vula të institucioneve të Shtetit Shqiptar”, e cila do të zgjasë deri më datën 6 tetor.

Në këtë ekspozitë u prezantuan 71 vula pjesë e Fondit “Koleksion Vulash” (nr.776).

Të gjitha vulat kanë qenë funksionale në kohën e tyre, ndërsa sot ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror.

Të pranishëm në këtë ekspozitë ishin Drejtori i përgjithshëm i Arkivave Ardit Bido dhe Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Dorian Koçi.

Bido falënderoi Muzeun Historik Kombëtar për gatishmërinë në bashkëpunimin e vazhdueshëm midis dy institucioneve që ka të bëj me ekspozimin e një vlere që deri diku ka qenë e fshehur në Arkivin Qendror Shtetëror.

Ai tha se Arkivi Qendror Shtetëror është një institucion që bazohet te letra.

“Objektet muzeale për disa arsye janë përfshirë në Arkivin Qendror Shtetëror prej fillesave të veta dhe këto objekte muzeale deri diku kanë qenë të mbyllura larg vëmendjes, larg mundësisë së qytetarëve, larg studiuesve të të gjithë individëve të interesuar për ti parë. Nëpërmjet kësaj marrëveshje që neve do të nënshkruajmë, ne po bëjmë të mundur që të gjitha objektet muzeale të cilat gjenden në Arkivin Qendror Shtetëror të mund të ekspozohen, të shihen nga të interesuarit në mënyrë që ato të mos jenë më të fshehura në vendruajtjen e Arkivit Qendror Shtetëror”, deklaroi Bido.

Më tej, ai shtoi se “vendosëm që ekspozita e parë e këtij lloji ka të bëj me vulat e administratës shtetërore pikërisht sepse ky është një fond i cili nuk do të gjenerohet më”. “Legjislacioni ka ndryshuar prej viteve 70, dhe vulat nuk ekzistojnë më. Vulat në fund të përdorimit të tyre asgjësohen për institucionet kështu që gjithë këto vula para viteve 70 janë shenja e vetme e memories e administratës shtetërore që ne do të mund ti trashëgojmë brezave në vijim”, tha Bido.

Nga ana e tij, drejtori i Muzeut Historik, falënderoi Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave për këtë bashkëpunim që do të shkoj dhe në vazhdimësi me aktivitete të tjera në të ardhmen.

“Këto dy institucione janë institucionet më kryesore bazë të memories institucionale të shqiptarëve dhe si memorie institucionale të tyre do të kenë në fokusin e vazhdueshëm organizimin e ekspozitave apo dhe konferencave të përbashkëta”, tha ai.

Sipas tij, ekspozita e sotme merr një rëndësi të veçantë në kuadër të asaj që quhet historia institucionale e Shtetit Shqiptar.

“Këto janë vula që tregojnë momente kyçe të historisë së shqiptarëve, të shoqatave patriotike të shqiptarëve, të qyteteve të ndryshme të cilat ndodhen në Shqipëri dhe jashtë territoreve të Shqipërisë”, tha Koçi.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme