Kulturë

“O zambak lule n’parajsë” fitoi çmimin e parë të “Zambakut të Prizrenit”

“O zambak lule n’parajsë” është fituese e edicionit të 29-të të festivalit “Zambaku i Prizrenit”, i cili u mbyll mbrëmë.

Në kinemanë Lumbardhi në Prizren, të dielën në mbrëmje u mbajt edicioni i 29-të i këngës së vjetër qytetare “Zambaku i Prizrenit”.

Në edicionin e 29-të u paraqitën 15 këngë, të cilat garuan për çmimet tradicionale të festivalit.

Juria profesionale në këtë përbërje: Kriste Lekaj ( kompozitor), Butrint Bicurri (kompozitor), Kreshnik Aliçkaj (kompozitor), dhe Osman Goranci (publicist), vendosi që çmimin e parë t’ia ndajë këngës “O zambak lule n’ parajsë” me tekst të Hivzi Krasniqit, kompozuar dhe orkestruar nga Tomor Berisha, e kënduar nga Majlinda Cikaqi dhe Kushtrim Kelani.

Çmimin e dytë e fitoi kënga “Ugurlar olsun” me tekst të autorit Shahin Çangae, kompozuar nga Hysein Kazaz, orkestruar nga Edon Ramadani e kënduar nga Tolga Kazaz.

Çmimin e tretë e ftoi kënga “Elegji për dashuri” e Artan Bakisë, i cili e ka bërë tekstin, kompozimin, orkestrimin dhe e këndoi.

Çmimin “Zambaku i argjendtë” si çmim i publikut e fitoi kënga “Balada X” me tekst të autorit Lebit Murtishi me kompozim dhe orkestrim të Besim Berishës e kënduar nga Andi Qerreti dhe Vanesa Kastrati.

Për interpretim më të mirë u vlerësua këngëtari Ilsi Ademi.

Teksti më i mirë u vlerësua teksti i këngës “Violine e vjetër” i autorit Agron Kalludra.

Image