Kulturë

Ministri i Kulturës premton investime në Vushtrri e Harilaq

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, është njoftuar për gjetjet e reja tek Ura e vjetër e Gurit në Vushtrri në kuadër të vizitës që i ka bërë këtij qyteti të enjten. Pos monumentit, ku shteti sivjet ka investuar 20 mijë euro, Gashi ka diskutuar me autoritetet lokale edhe për ndërtimin e qendrës së re të kulturës “Hasan Prishtina”, ku MKRS-ja do të investojë bashkë me Komunën e Vushtrrisë.

Sipas komunikatës së Ministrisë së Kulturës, Gashi ka thënë se Vushtrria do të ketë vëmendjen dhe përkrahjen e pakursyer të MKRS-së në realizimin e projekteve që janë në realizim e sipër dhe atyre që do të planifikohen për të ardhmen. “Ai u shpreh se është e nevojshme që të ndërhyhet shpejt në restaurimin e Urës së vjetër të Gurit, sepse përpos që është një monument në mbrojtje, ai përfaqëson një identitet dhe një histori në vete për Vushtrrinë, por edhe më gjerë”, shkruhet në komunikatë.

Pas këtij qyteti, Gashi ka vizatur edhe Kalanë e Harilaqit. Arkeologët e kanë njoftuar atë me procesin e restaurimit dhe të konservimit të këtij monumenti.

“Kalaja e Harilaqit është një pasuri kulturore e jashtëzakonshme jo vetëm e Fushë-Kosovës, por e tërë vendit, dhe ne me mbështetjen dhe punën e përbashkët do ta ruajmë, promovojmë dhe shndërrojmë këtë lokalitet në një atraksion turistik”, citohet të ketë thënë ministri Gashi. Sipas komunikatës, udhëheqësi i punimeve në këtë lokalitet, Arben Hajdari, ka thënë se nuk bëhet fjalë për një kala të rëndomtë, por për një kala unike në llojin e vet në bazë të strukturës së saj dhe materialit specifik arkeologjik që është gjetur. “Në bazë të gjetjeve vlerësohet se ka qenë një pikë pelegrinazhi”, citohet të ketë thënë Hajdari.