Kulturë

“Guerrilla Girls” luftojnë kundër diskriminimit në botën e artit

New York, 9 mars - “Femrat nuk mund t’i ngjyrosin muret mirë. Ky është një fakt". Dikush mund të mendojë se një fjali kaq seksiste vjen nga koha kur femrat nuk kishin të drejtë vote e nuk kishin mundësi as të kenë llogari bankare në emrin e tyre, thuhet në shkrimin e DW, që sot e transmeton “Koha Ditore”). Por ishte një deklaratë aktuale në vitin 2013 nga njëri prej piktorëve gjermanë me nam në mbarë botën, Georg Baselitz.

“Guerrilla Girls” - një grup artistesh feministe që për herë të parë kanë dalë në pah në shtet e Bashkuara të Amerikës më 1984 - kanë luftuar diskriminimin e femrave nga meshkujt në botën e artit për dekada. Edhe pse në ditët e sotme nuk priten marrëzira të tilla, ekzistojnë këso lloj mendimesh. Sidoqoftë, ato ndoshta mund të pajtohen me një koment tjetër që Baselitz e ka bërë në të njëjtën interviste dhënë për të përjavshmen gjermane "Der Spiegel": "Femrat thjesht nuk e kalojnë testin e vlerës së tregut”. Kjo është një deklaratë e observuar edhe nga “Guerrilla Girls”. Aktivistet, sidoqoftë, nuk besojnë se femrat janë përgjegjëse për këtë situatë. Ato i fajësojnë strukturat si koleksionistët, padronët e artit, muzetë e galeritë.

“Guerrilla Girls” janë bashkuar si një reaksion ndaj ekspozitës “Një anketë ndërkombëtare për pikturën dhe skulpturën” që ishte hapur në Muzeun e Artit Modern në New York më 1984. Një prej gjërave të para që kanë bërë ishte numërimi.

Ato kanë dashur të kenë të dhëna se sa ekspozita personale të artisteve janë hapur në muzetë amerikane, se sa artiste janë prezantuar në galeri dhe sa janë paguar ato. Rezultatet ishin alarmuese. Ato i kishin publikuar rezultatet në posterë e fllajera, si denoncim i parë për seksizëm në artin botëror.

Secila prej anëtarëve vepron në kushte anonimiteti, në mënyrë që kritikat e tyre të mos ndikojnë në karrierë. E fshehin identitetin pas një maske të gorillës. Secila prej tyre në mënyrë që ta ruajë identitetin i vë vetes pseudonim një emër të ndonjë artisti të famshëm, përderisa humorin e përdorin si armën e tyre më të fortë. Por tashmë ka shpresë për përmirësim të gjendjes. Gjërat kanë ndryshuar për të mirë, sidomos sa i përket krahasimit të shifrave.

Kur “Guerrilla Girls” kishin nisur të numëronin ekspozitat personale të artisteve në New York më 1985, vetëm një e tillë ishte gjetur. Por 30 vjet më vonë ato i kanë numëruar përsëri. Tash numri është rritur në pesë sosh. Numri është më i lartë, por një rezultat i tillë nuk është shumë i kënaqshëm për ta mbyllur misionin. Krahasimi nxjerr në pah se artistet nuk i gëzojnë të njëjtat privilegje dhe nuk e kanë ende prestigjin e kolegëve të tyre meshkuj.

Por “Guerrilla Girls” e nënvizojnë një të arritur: ”Kur ne kemi nisur, askush nuk dëshironte të thoshte se janë femra të diskriminuara apo artiste të diskriminuara. Sot muzetë në këtë aspekt janë më gjithëpërfshirës. Por ende ka vështirësi që gjërat të jenë ashtu si duhet". Derisa të arrihet kjo, “Guerilla Girls” do të vazhdojnë t’ua bëjnë muzeve me gisht.