Kulturë

“Vdekja e një mbretëreshe” e Qosjes sonte në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli”

I ACT studio sjell në skenën e Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli” me datë 19 dhe 20 shtator monodramën “Vdekja e një mbretëreshe”, shkruar nga shkrimtari Rexhep Qosja, bën të ditur ATSH.

“Vdekja e një mbretëreshe” është vepra e parë artistike që ngre në art historinë e mbretëreshës Teutë, e njohur si mbretëresha e parë dhe e vetme femër që ka qeverisur popullin Ilir.

Kjo monodramë është udhëtimi psikofizik i një mbretëreshe e cila është në momentet e fundit të mbretërimit të saj. Tradhtia, pushtimi i vendit nga njeriu i zemrës siç shprehet edhe Teuta në vepër “prej atij që të vjen lumturia më e madhe, prej atij të vjen edhe pikëllimi më i madh” dhe populli që i është kthyer kundër e çojnë Teutën në dilemën më të madhe të jetës së saj ”të rrojë e turpëruar apo të vdesë me nder”.

Fjala, koreografia, ritmet, dhe kënga që do të përfshihen në shfaqje përcjellin qartë mesazhe të rëndësishme si dhe theksojnë qëndrimin ndaj çështjeve për të cilat kjo shfaqje flet: mungesa e forcës, tradhtia, servilizmi, romanca, ndjenjat e një nëne dhe infantilitetin e një populli që shkon si kopeja pas bariut.

Regjia: Arjeta Dhima; drejtor artistik: Andi Begolli; koreograf: Glodjan Imeraj; interpretojnë: Arjeta Dhima, Klejdi Metaj, Josif Sina, si dhe motive nga ninullë – Shpat Deda.