Kulturë

Bienalja e Stambollit u jep zë mesazheve politike të artistëve

Derisa videoja promovuese për Bienalen e Stambollit prezanton imazhe idilike të Ngushticës së Bosforit, vizitorët potencialë të ngjarjeve në Javën e Artit në Stamboll, që është ekspozita më e madhe e parë ndonjëherë në Turqi, vë në pikëpyetje pjesëmarrjen e tyre mes arrestimeve, shtypjes dhe një goditjeje më të gjerë qeveritare kundër opozitës, thuhet në shkrimin e DW, që sot e transmeton “Koha Ditore”.

Megjithatë, një udhëtim drejt Turqisë për Bienalen e Stambollit që është hapur të shtunën dhe do të zgjasë deri më 12 nëntor, sjell art që flet një gjuhë delikate por të qartë politike dhe do të dërgojë mesazh për Qeverinë turke. Në të vërtetë, ky mund të jetë një prej momenteve më të rëndësishme politike në artin turk, qysh prej protestave të 2013-s.

Në një hamam gati 600 vjet të vjetër, në distriktin islamik të Fatihut, artistja Monica Bonvicini ka krijuar një prej veprave më të pazakonshme të Bienales: një kopje të Qabesë, vendit më të shenjtë në islam, të cilin e ka bërë me rripa të zinj që formojnë një lloj kubi. A është e mundshme që rripat ngrenë pyetje sa i përket erotizmit, modës, dënimeve apo shtypjes në Turqi? A është kjo vepër një koment për progresin e islamizimit të vendit? Apo rolit të grave në islam?

Pesëdhjetë e gjashtë artistë nga 32 shtete kanë kontribuar për edicionin e sivjetmë të Bienales së Stambollit, që është kuruar nga dyshja artistike danezo-norvegjeze, Michael Elmgreen dhe Ingar Dragset. Titulli i sivjetmë “Një fqinj i mirë” është me siguri përkujtues, por megjithatë i paqartë. A po pyet nëse Turqia është fqinje e mirë?

“Asnjë nga artistët e ftuar nuk i kritikon direkt ngjarjet politike të vitit të kaluar”, ka thënë Dragset për “Deutsche Wellen”.

“Ata janë zëra të qetë. Artistët dëshirojnë të bashkohen, të gjejnë forcë të re dhe të përfaqësojnë qëndrimin kundërshtues. Kjo nuk bëhet me guxim, por në mënyrë indirekte, në një gjuhë poetike. Por ekspozita jep një imazh shumë më ndryshe nga ajo që do të donte ta shihte Qeveria”.

Nuk është sekret që presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, është në luftë me artin bashkëkohor. Ai pëlqen t’i grumbullojë artistët, shkrimtarët dhe njerëzit e teatrit sikur të ishin mbeturina kulturore dhe i akuzon ata për stilin jomoral të jetesës. E në vend të kësaj, presidenti ëndërron një kulturë nacionaliste turke. Derisa ekziston një elitë e mirë e edukuar në Turqi, një studim i realizuar nga “Ipsos Institute” ka gjetur se 49 për qind e turqve asnjëherë nuk kanë qenë në kinema, 39 për qind asnjëherë s’kanë lexuar një libër, derisa dy nga tre asnjëherë s’kanë vizituar teatrin apo ndonjë sallë koncertale.

Qëllimi i deklaruar nga Fondacioni Kulturor i Stambollit, që e organizon Bienalen sikurse edhe disa festivale të jazzit, teatrit a filmit, është që ta përmirësojë këtë deficit kulturor. Kostoja mbulohet nga familjet më kryesore industriale të shtetit. Me 3 deri në 5 milionë refugjatë të strehuar në Turqi, dhe sipas marrëveshjes së BE-së, nuk është befasi që refugjatët dhe emigrantët të dominojnë temën në Bienalen e Stambollit.

“Nuk e kemi planifikuar kësisoj”, ka thënë Dragset. Megjithatë, është e qartë se kjo temë ka inspiruar disa nga veprat më të fuqishme të ngjarjes.

Për shembull, artisti algjerian Adel Abdessemed ka realizuar një statujë të bërë prej fildishi, për ta rikujtuar fotografinë e famshme “Naplam Girl” të vitit 1967 që shpërfaq një vajzë vietnameze tek bërtet në fshatin e bombarduar. Në mënyrë bizare, vajza e zhveshur në veprën “Cri” të Abdessemed ngjason me një valltare baleti që i shfrytëzon duart e saja si krahë.

Artisti turk Volkan Aslan prezanton një video të titulluar “Home Sweet Home”, në të cilën dy gra në mënyrë paqësore pinë kafe e shtrihen në shtrat - por shikuesi në fund e kupton se po e përgjojnë Bosforin nga një anije e madhe dhe se përballen me pasigurinë për një të ardhme, teksa kërkojnë një shtëpi të re. I lindur në Baghdad më 1966, artisti irakiano-kanadez, Mahmoud Obaidi, kontribuon me një pikturë të krijuar mbi plastelinë të paqëndrueshme dhe që inkorporon edhe vizatimet e tij të fëmijërisë. Mes tyre edhe “Make War Not Love” që rrëfen përvojën e dhunës dhe të largimit nga shtëpia.

Mesazhe të zymta politike mund të gjenden edhe në panairin e artit në “Contemporary Istanbul”, që për herë të parë po mbahet paralelisht me Bienalen e Stambollit.

“Vepra ime është e inspiruar nga ferri, por edhe nga ferri i Dantes”, ka thënë Erkut Terliksiz. “Më herët kam pikturuar me ngjyra më të ndritshme, por atmosfera në shtetin tonë është bërë apokaliptike”, ka shtuar ai.

Artisti Bedri Baykam e ka bërë mision të shpëtojë demokracinë turke në panairin “Contemporary Isntanbul”. Presidenti i Shoqatës së Artistëve Turk dhe “UNESCO International Association of Art” është plot indinjatë për demokracinë në shtetin e tij. Në përgjigje ndaj kësaj ka krijuar “Democracy Box”, një kabinë telefonike brenda së cilës njerëzit mund të hyjnë e dalin kurdo që duan.

“Kjo është gjysmë metri lirie”, ka thënë Baykam. “Këtu ka çifte që hyjnë për të bërë dashuri. Është hapësirë e lirë ku mund të bëni atë që dëshironi”. Më 1987 “Democracy Box” ishte ekspozuar për herë të parë në Stamboll në “Atatürk Cultural Center” dhe tani është në shitje për 418. 500 mijë euro. Shitja mëton të ndihmojë për të ruajtur një pjesë të demokracisë turke.