Kulturë

Parada Shqiptare në New York sivjet u kushtohet arbëreshëve të Italisë

Parada shqiptare e Vitit 2017 në Nju Jork, paradë tradicionale që organizohet çdo qershor në Nju Jork , këtë vit do t’u kushtohet Arbëreshëve, një iniciativë për të bashkuar jo vetëm komunitetin shqiptar, por dhe një afrim më i ngushtë me komunitetin arbëresh atje.

Parada do të organizohet me 17 qershor, nën kujdesin e organizatës Rrënjët Shqiptare – Albanian Roots, me president, Marko Kepi, e cila është dhe organizatore e kësaj parade, për komunitetin shqiptar në zonën e Tri-Shtetëshit , në dekadën e fundit.

{gallery}

Fund javën e kaluar, në Selinë e Federatës Panshqiptare të Amerikës ”Vatra”, u bë takimi i parë organizatave të Komunitetit shqiptar. Për të parën herë në një takim të tillë ka marrë pjesë një përfaqësuese nga arbëreshët. Ajo është Nicole Coscio e cila tha se ndjehej mirë mes vëllezërve dhe motrave të gjakut të Arbërit, edhe pse nuk mund të fliste në gjuhën shqipe.

Takimi u drejtua nga Marko Kepi i cili tregoi platformën e kësaj Parade dhe kërkoi mendime nga pjesëmarrësit për organizimin dhe përkushtimin e kësaj Parade. Përmes diskutimeve u vendos që Parada e Vitit 2017, t’u kushtohet Arbëreshëve.

Për çdo vit në zemër të qytetit të Nju Jorkut , Parada Shqiptare ka kulmuar në rrugën e famshme “America Avenue” në Manhatan, ku kanë marrë pjesë mijëra shqiptarë nga shtetet të ndryshme të Amerikës, me këngë e valle, dhe veshjet tona folklorike, të Shqipërisë, Kosovës, dhe gjitha trevave shqiptare.

Kjo paradë i bashkëngjitet Paradës Ndërkombëtare të Emigrantëve dhe është e vetmja Paradë Shqiptare në SHBA.