Kulturë

Xhafa në Venecie me veprën për kufizimet dhe sfidat e shtetit të ri

Projekti titullohet “Lost and found” (E humbur dhe e gjetur) dhe shpërfaq çështje që vazhdojnë të mbesin aktuale në Kosovë, duke përfshirë shkeljen e të drejtave të njeriut, kufizimet e sfidat që i ka shoqëria e një shteti të ri të pavarur.

Autori i tij, artisti me nam, Sislej Xhafa, së shpejti do të vizitojë vendin e origjinës, për një konferencë për medie, në të cilën do të shpalosen më shumë detaje për përfaqësimin e tretë të Kosovës në ngjarjen më të madhe botërore të artit pamor – Bienalen e Venecies, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ekipi kosovar tashmë ka nisur përgatitjet. Hapi i parë për promovimin e Pavijonit të Kosovës ka qenë botimi i paralajmërimit në ueb faqen e njohur “e-flux.com”, në të cilën ka qasje e gjithë bota e artit pamor.

“Republika e Kosovës po merr pjesë për herë të tretë në Bienalen e Venecias, që sivjet mban edicionin e 57-të. Artisti Sislej Xhafa ka zhvilluar një projekt të titulluar “Lost and found” për ta përfaqësuar Pavijonin e Kosovës. Artisti është i interesuar në elementin human në kushtet jonjerëzore dhe projekti “Lost and found” ngre shumë pikëpyetje për çështje personale si liria, ekuilibri social dhe padrejtësia, si shqetësime kryesore të njerëzimit në këtë kohë”, shkruhet në këtë paralajmërim.

Xhafa – i cili në këtë Bienale merr pjesë për të tretën herë, pasi që një herë u fut “ilegalisht” në Bienale, e një herë përfaqësoi Italinë – nuk zbulon shumë për temën që do ta shpalosë në hapësirën e rezervuar për Kosovën në Venecie... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.