Autostrada Biennale, në shtëpitë më të vjetra të Prizrenit, shpalos vlerat e artit bashkëkohor

Autostrada Biennale, në shtëpitë më të vjetra të Prizrenit, shpalos vlerat e artit bashkëkohor

16 gusht 2017 20:14

Në edicionin e parë të Autostradës Biennale, “E ardhmja e kufijve”, do të synohet që përmes veprave të shumta të artistëve të njohur vendorë dhe ndërkombëtarë të shpalosen vlerat e artit bashkëkohor.

Veprat do të ekspozohen në disa nga shtëpitë më të vjetra të Prizrenit, përfshirë “Shtëpia e kaltër”, “Shtëpia e Nafis Llokvicës” dhe “Saraji”. Kjo do të shërbejë edhe si mënyrë e rishqyrtimit të konceptit mbi atë se çfarë nënkupton trashëgimia kulturore.

“Përderisa rrënimi i shtëpive të vjetra brenda qytetit të Prizrenit ka marrë përmasa shqetësuese, e shumë prej tyre kaplohen nga zjarri, duke cenuar vlerat kulturore dhe historike të Prizrenit, Autostrada Biennale do t’i shndërrojë ato në vendtakime për artin bashkëkohor. Mikpritja shekullore e Prizrenit, edhe një herë do të hapë parezervë dyert, për të mirëpritur vlera të reja. Nën kulmet e shtëpive të vjetra të qytetit, bashkë me trashëgiminë, do të marrin jetë shumë vepra të artit bashkëkohor. Autostrada Biennale komunitetit do t’ia hapë dyert e shtëpive private me trashëgimi kulturore, në të cilat do të ekspozohen dhe promovohen veprat e ndryshme të artit bashkëkohor”, thuhet në komunikatën për media të Autostradës Biennale.

Sipas komunikatës, veprat e artistëve do të jenë të lidhura me jetën e qytetit, historinë dhe diversitetin kulturor të Prizrenit. Duke pasur Lumbardhin si bosht për të lidhur këto vende, thotë komunikata, ekspozita gjithashtu thekson lidhjen e thellë historike mes mjediseve njerëzore dhe jo njerëzore, që e bën qytetin e Prizrenit.

Artistët që do të ekspozojnë në këto shtëpi të vjetra janë: Yang Shun-Fa (Tajvan), Artan Hajrullahu (Kosova), Li Binyuan (Kina), Sead Kazanxhiu (Shqipëri) dhe Stefano Romano (Itali).

Një histori e shkurtër e shtëpive private, të cilat do të jenë vende të Artit Bashkëkohor:

Shtëpia e kaltër: daton që nga shek. XIX-të. Ajo gjendet përgjatë rrugës për në kala. Pozita e saj është në mes të Kalasë dhe qendrës së qytetit.- në zonën e shtëpive të nënkalasë (Varosh). Muret e shtëpisë janë origjinale, të ndërtuara me qerpiç. Ndërkaq, muret nga fasada e jashtme janë të ngjyrosura me ngjyrë të kaltër, dhe kjo e bënë tejet të veçantë shtëpinë. Ngjyra e kaltër në kulturën vendore shihet si autoktone dhe natyrshëm e zgjon kujtesën kolektive mbi trashëgiminë kulturore tek qytetarët e Prizrenit. Shtëpia vazhdon t’jetë e banueshme edhe në ditët e sotme.

Shtëpia e Nafis Llokvicës: Shtëpia e Nafis Llokvicës, është shtëpia më e vjetër në kompleksin e Marashit. Burimet e shkruara flasin shumë pak për këtë shtëpi, por pronari i kësaj shtëpie dëshmon që kjo shtëpi është ndërtuar nga paraardhësit e tij 250 vite më parë. Shtëpia ka qenë e banueshme deri në vitin 2013 dhe në të kanë jetuar 4 gjenerata të familjes Llokvica. Nga 2013 – 2016, pronari ka kërkuar vazhdimisht nga institucionet përgjegjëse dhe NGO-të mbështetje financiare për restaurimin e saj, por fatkeqësisht nuk ka marr përgjigje pozitive. Prej asaj kohe shtëpia lihet pas dore me çka fillon procesi i degradimit të saj.

Saraji (shtëpia e familjes Mijic): daton nga shekulli i XIX-të. Shtëpia ndodhet në zonën historike të Prizrenit, në zonën e banimit të shumë familjeve të vjetra të Prizrenit. Muret konstruktive të bodrumit janë të ndërtuara me një sistem derdhje druri, material guri të lidhur me llaç balte dhe kashtë, me trashësi 50cm. Muret konstruktive në katin përdhesë janë bërë pjesërisht nga materiale guri dhe tulla, të vendosura gjatë restaurimit të fundit të ndërtesës, në 2010-2012, me trashësi 50 cm, ndërsa muret ndarëse janë 20 cm të trasha.

Muret konstruktive të dyshemesë janë origjinale, të ndërtuara në një sistem bondruk, të mbushur me argjilë e qerpi dhe të lidhur me argjilë dhe kashtë, me trashësi 50cm, ndërsa muret ndarëse janë 20cm, 15cm. Muret nga fasada e jashtme janë të lyera me llaqe të bardha. Tavanet janë prej druri. Ky kompleks Saraji është i pasur me trashëgimi arkitekturore, që daton nga periudha otomane.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

TRASHEGIMI ARKITEKTURORE18/08/2017 16:19

SHUME MIRE E PASTAJ

Shto koment

Të ngjashme