Kulturë

Artistja në kërkim të vendit ideal

Tullat e zakonshme janë thyer në copa goxha të imëta. Të vendosura në një hapësirë që kufizohet nga katër mure, janë fiks 50 për qind e instalacionit të Doruntina Kastratit.

Artistja mbi to ka vendosur katër figura që simbolizojnë dhitë. Është përkujdesur në detaje, saqë ato ngjajnë shumë me dhitë e vërteta. Fillimisht duket sikur dhitë janë sjellë në një hapësirë artificiale. Por është krejt e kundërta. Hulumtimi artistik i Kastratit (25), ka bërë që ajo të vijë në përfundim se njerëzit kanë arritur që të shkatërrojnë edhe hapësirat ku jetojnë dhitë - bjeshkët.

Artistja që ka përfunduar studimet për grafikë në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, ka kohë që merret me protestën kundër shkatërrimit të mjedisit. Por me veprën e dytë, që është prezantuar para publikut, ka shkuar përtej keqpërdorimit të hapësirave urbane. Ka nxjerrë në pah se edhe kafshët janë duke u rrezikuar nga ndërtimet e njerëzve.

“Peizazh i kuq” për natyrën që po shkatërrohet

“Është një vepër që më ka marrë rreth tri vite punë. Është një hulumtim që e kam bërë për shkatërrimin e ambientit. Pikënisja ka qenë në zonën e Prevallës. Një natyrë aq e bukur për shkak të interesave të individëve të caktuar është shndërruar në një makabër të ndërtimeve”, thotë ajo përballë veprës së saj, që është prezantuar për publik të premten e javës së kaluar në qendrën për art bashkëkohor “Stacion” në ish-objektin e klubit të boksit “Prishtina” në kryeqytet... (më gjerësisht lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.