Kulturë

Arkeologët besojnë se kanë zbuluar mumien më të vjetër deri më sot

(ArtNews) – Në një varr afër Kajros, arkeologët kanë zbuluar atë që disa besojnë se është mumia më e vjetër dhe më e plotë që është zbuluar ndonjëherë në Egjipt.

Eshtrat u gjetën mes një grupi varresh që datojnë në shekullin V dhe VI para erës sonë, në fund të një boshti pranë Piramidës së Hapit në Saqqara. Ekspertët thonë se mumia, e cila ishte në një sarkofag gëlqeror që është mbyllur me llaç, mund të jetë 4300-vjeçare.

“Kjo mumie mund të jetë mumia më e vjetër dhe më e plotë e gjetur në Egjipt deri më sot”, ka thënë Zahi Hawass, një nga ish-ministrat e Antikiteteve të Egjiptit.

Mumia i përkiste një burri të quajtur Hekashepes, dhe nuk ishte e vetmja që u gjet në varre. Një varr që ishte zbukuruar me skena të jetës së përditshme i përkiste një prifti dhe mbikëqyrësi të fisnikëve të quajtur Khnumdjedef, i cili shërbeu nën faraonin e fundit të dinastisë së 5-të, Unas.

Një tjetër strehoi eshtrat e një burri të quajtur Meri, i cili u përshkrua si “ruajtës i sekreteve dhe ndihmës i udhëheqësit të madh të pallatit”.

Nëse ndonjë prej këtyre zbulimeve do të shfaqet në një muze britanik në të ardhmen, është e mundur që vizitorët të mos e shohin fjalën “mumie” në përshkrim. Së paku tri institucione të Mbretërisë së Bashkuar kohët e fundit vendosën të përdornin frazën “eshtrat e mumifikuar” ose “person i mumifikuar" sipas fjalës “mumie”, në mënyrë që të “inkurajojnë vizitorët të mendojnë për individin”.