Kulturë

Xhubleta – magjia e trashëgimisë shqiptare, pasuri e njerëzimit

Descriptive Text

Pallati i Brigadave në Tiranë është pushtuar të martën mbrëma nga xhubleta, rrëfimi për të dhe artizanet që e mbajnë gjallë. Ka qenë festë për xhubletën, tashmë pasuri e njerëzimit nën mbrojtjen e UNESCO-s, si dijebërje e kësaj veshjeje që daton katër mijë vjet më parë.

Në ceremoni kanë marrë pjesë edhe ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, studiues, gra dhe vajza nga Malësia e Madhe, të veshura me xhubletë e të tjerë.

Ministrja Margariti në fjalën e saj ka thënë se “kjo veshje kaq magjike me kaq hijeshi e thjeshtësi i kthen këto gra në zana dhe këtë objekt në log bjeshkësh”.

“Për atë që jemi të gjithë krenarë sot dhe gëzojmë që tashmë xhubleta është e gjithë njerëzimit, jo vetëm e jona, është një gëzim i lidhur me mistiken që ky kostum madhështor mbart me vete. Sot e shikojmë këtë sallë të mbushur plot e përplot me dallgë xhubletash, por dy vjet më parë u ndërgjegjësuam që nëse nuk do të lëviznim, edhe xhubleta rrezikonte të kthehej në një kujtim, në një kornizë. Përballë këtij rreziku vrapuam ta kapnim kohën e humbur për ta kthyer shpëtimin e xhubletës në një mision”, citohet të ketë thënë ministrja Margariti. Ajo u shpreh se “ishte një mision që nuk do të arrihej vetëm.

“Falënderoj të gjithë miqtë që na u bashkuan për përgatitjen e katër dosjeve për në UNESCO”, ka thënë ajo, duke shtuar se xhubleta nuk është thjesht një rend.

“Është një kod, ato e qepin me një harmoni përsosmëri me ato kallëpet që po mundohemi t’i zbulojmë se cilat janë ato magjitë e të gjitha formave perfekte e kësaj kambane që tingëllon bukur në trupin e tyre dhe lëviz ajri në mënyrë të magjishme”, ka thënë Margariti.

Gjatë mbrëmjes “Xhubleta në UNESCO” organizuar në ambientet e Ministrisë, vajza e gra kanë treguar për të pranishmit teknikat e qepjes dhe qëndisjes së xhubletës.

Tole Lekaj Berisha, 96-vjeçarja nga Tuzi, ka rrëfyer për vlerat e xhubletës 400-vjeçare.

“Xhubletën e kam mësuar 70 vjet më parë dhe nuk e kam lëshuar kurrë. Nuk e mendoja se do të vinte kjo ditë edhe pse e kam dashur me zemër. E kam punuar këtë veshje me qejf ditë e natë, që kjo kulturë të përhapet e të mos humbasë”, citohet të ketë thënë ajo. Kjo mjeshtre në formë mirënjohjeje ia ka dhuruar kryeministrit Edi Rama një xhubletë të punuar nga duart e saj, e cila iu dorëzua ministres së Kulturës.

Image
Tole Lekaj Berisha, 96-vjeçarja nga Tuzi, ka rrëfyer për vlerat e xhubletës 400-vjeçare

Ministrja Margariti ka thënë se “do të jetë pjesë e koleksionit të muzeut të dhuratave të çmuara në Kryeministri”.

Në sesionin e 17-të të Komitetit Ndërqeveritar për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, në fund të muajit të kaluar, unanimisht ishte vendosur shpallja e xhubletës dhe dijebërjes së saj si pjesë të Listës së trashëgimisë kulturore jomateriale nën mbrojtjen e UNESCO-s. “Xhubleta, shkathtësitë, mjeshtëria dhe format e përdorimit, Albania” është titulli me të cilin xhubleta ka bërë vend në “Listën e mbrojtjes urgjente 2022”. Lajmi ishte bërë i ditur nga ministrja Elva Margariti dhe kjo arritje ishte vlerësuar lart nga ata që merren me trashëgimi kulturore.

“Një thesar që në vrullin e kohës po rrezikonte dita-ditës që të humbiste, por ne nuk duhet të lejojmë që xhubleta të mbetet thjesht një relikt i së shkuarës. Me përfshirjen në këtë listë, ajo do të ketë gjithë mbështetjen, jo vetëm të institucioneve tona, por tashmë edhe të atyre ndërkombëtare që do ta trajtojnë xhubletën si pasuri e të gjithë njerëzimit”, kishte thënë ministrja Margariti nëpërmjet një videoje nga ambientet e sesionit që u mbajt në Rabat të Marokut. Sipas saj, për të ardhur në këtë ditë janë dashur shumë vjet punë. “Për ne shqiptarët xhubleta nuk është thjesht një kostum, një veshje, por është një mënyrë jetese, një petk që i shoqëron gratë e Malësisë nga lindja deri në vdekje, që i shoqëron në çdo gëzim dhe hidhërim”, kishte thënë Margariti.

Sipas ueb-faqes së UNESCO-s, xhubleta është një veshje e punuar me dorë, e veshur nga gratë dhe vajzat malësore në Shqipërinë e Veriut, e karakterizuar nga forma e saj e valëzuar.

“Kryesisht e zezë me motive të qëndisura shumëngjyrëshe, procesi i përpunimit përfshin përgatitjen e shajakut, prerjen, qepjen dhe qëndisjen e figurave simbolike. Xhubleta dikur përdorej në jetën e përditshme që nga mosha e pubertetit, duke treguar statusin social dhe ekonomik të mbajtësit”, shkruhet në sqarimin e UNESCO-s. Aty bëhet e ditur se përdorimi dhe punimi i saj kanë qenë në rënie gjatë dekadave të fundit për arsye socio-politike dhe ekonomike. Sqarohet se veshja ka ruajtur domethënien e saj shoqërore dhe shpirtërore dhe ende konsiderohet pjesë përbërëse e identitetit malësor.

Nëpërmjet një videoje të publikuar nga UNESCO (Organizata e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë), shpjegohet se Malësia e Madhe ka traditë xhubletën. Po ashtu, sqarohet se ajo përbëhet nga mbi 30 elemente dhe ndahet në xhubletë të vajzërisë, të martesës, xhubleta e para së keqes dhe ajo e së keqes.