Kulturë

“Nostalgjike & Romantike” bashkon veprat që nxjerrin në pah muzikën bullgare

Të shtunën mbrëma është mbajtur koncerti i shtatë në kuadër të festivalit “KamerFest” në Prishtinë, ku ka interpretuar dyshja bullgare Galina Koycheva në violinë dhe Daniela Dikova në piano. Veprat e kompozitorëve bullgarë që janë interpretuar kanë qenë edhe prezantim i kulturës së atyre anëve në Prishtinë

Koncerti i shtatë në kuadër të festivalit ndërkombëtar të muzikës kamertale “KamerFest” ka sjellë në skenën e muzikës klasike në kryeqytet dyshen bullgare Galina Koycheva në violinë dhe Daniela Dikova në piano. Siç përmblidhet edhe nga tema e koncertit, pjesët e interpretuara kanë qenë nostalgjike dhe romantike, por edhe tradicionale me ritmet ballkanike. Pjesë krejt e veçantë ka qenë “Air & Toccata” e kompozitorit bullgar Tzenko Minkin, e aranzhuar veçanërisht për dyshen e njohur si “Duo Ardenza”.

Ka një muaj që tashmë dihen lokacionet e “KamerFestit”. Modelariumi i Fakultetit të Arkitekturës është njëri nga to, mirëpo më i shpeshti nikoqir ka qenë Amfiteatrit i Bibliotekës Qendrore Universitare. Të shtunën mbrëma në këtë hapësirë ka interpretuar dyshja bullgare Galina Koycheva në violinë dhe Daniela Dikova në piano. Ca testime të vogla në piano i kanë paraprirë koncertit me temën “Nostalgjike & Romantike”. Tingujt melankolikë të violinës dhe ata harmonikë të pianos janë sjellë për publikun nëpërmjet “Sonata no.3” në c-mol dhe c-minor të kompozitorit norvegjez Edvard Grieg. E interpretuar vepër me disa pjesë, ka sjellë para publikut harmoninë me tinguj romantikë duke e futur në emocionet e muzikës.

Veprat e kompozitorëve bullgarë që janë interpretuar kanë qenë edhe prezantim i kulturës së atyre anëve në kryeqytet. Vepra “Pesen”, Rutchenica & Horo” ka qenë ndër pjesët e përmbledhura në një të bullgarit Parashkev Hadijev. Ka filluar me tingujt e violinës e më pas është bashkuar në interpretim edhe loja me piano. Karakteristikë ka qenë ritmi i lehtë në fillim që shkon duke u shpejtuar.

“Air & Toccatta” e bullgarit Tzenko Minkin ka qenë një tjetër kapitull tejet i veçantë jo vetëm për t’u dëgjuar. Vepra ishte aranzhuar veçanërisht për dyshen Koycheva dhe Dikova. Në këtë vepër dalin në pah folklori bullgar dhe ritmi i kombinuar, ku kryesisht notat e violinës ndiqen nga ato të pianos.

Karakterizohet me pjesët ku tingujt e violinës mbesin prapa atyre të pianos, apo kjo e fundit i dominon fare, megjithatë, dalin në sipërfaqe kur ato shkojnë duke u shuar. E veçantë ka qenë edhe pjesa kur pianistja Dikova ka pauzuar për disa sekonda për të rifilluar me pjesën tjetër muzikale me tinguj dramatikë. Ajo është muzikante dinamike dhe e gjithanshme, e përkushtuar si interpretuese dhe mësimdhënëse në spektrin e plotë të zhanreve muzikore.

Daniela Dikova është profesoreshë e asociuar e pianos në Departamentin e muzikës së dhomës në Akademinë Kombëtare të Muzikës në Bullgari. Është shoqëruese e kërkuar për të gjitha garat ndërkombëtare dhe kombëtare që zhvillohen në Bullgari. Me të njëjtën cilësi ka marrë pjesë në festivalet “Belvedere” në Vjenë, “Tchaikovsky” në Moskë, “A.Popa” në Rumani, “Rai Uno” në Itali. Në vitin 2012 ajo u nderua nga “Classic FM Radio” dhe nga Bashkia e Sofjes me çmimin "Penda e Artë" për kontributin e saj të konsiderueshëm në artin dhe kulturën bullgare. Në vitin 2004, pas shumë vjetësh bashkëpunimi në dyshe me violonçelistin amerikan Geoffrey Dean, ajo u bë themeluese e trios “Ardenza”, duke sjellë violinisten Galina Koycheva. Në vitin 2009, ansamblit iu dha çmimi “Lira Kristal” nga Unioni Bullgar i Artistëve të Muzikës dhe Valleve.

Suksese jo të pakta gëzon edhe pianistja Galina Koycheva. Ajo është laureate e shumë garave si në “Svetoslav Obretenov Competition”, “Pancho Gladigerov”, “Dobrin Petkov” e “Musicians of the Neë Millenium”. Ka performuar si soliste në Orkestrën e Filharmonisë së Varnas, në Orkestrën e Filharmonisë “Shumen”, “Simphionetta Vienna”, “Dobrich Chamber Orchestra” e shumë të tjera. Që nga viti 2005 është pjesë e “Ardenza Trio”.

Pjesa e fundit e koncertit ka sjellë tingujt rapsodikë në veprën “Vardar” të Pancho Vladigerov. Gjithçka ka qenë rreth tingujve të njëpasnjëshëm e paralel mes instrumentesh që fillojnë me nota të ulëta për të arritur në kulminacion. Ka qenë pjesë më tradicionale e përcjellë me luajtjen e tingujve në violinë me gishtat e dy duarve e kërcitjet në sipërfaqen e instrumentit.

Për interpretueset kjo nuk është hera e parë që kanë performuar në Prishtinë, pasi kanë qenë edhe disa herë të tjera më parë. Për violinisten Koycheva është hera e tretë që sjell koncert në kryeqytet. “Ne i duam këto vepra bullgare pasi ato janë si muzikë për kor dhe dy nga to janë shkruar veçanërisht për ne. Ishte shkruar për ne, për duon tonë. ‘Air’ ishte shkruar në vitin 2020 kur kovidi kishte filluar dhe askush nuk mund të merrte pjesë në koncerte. Këtë pjesë më pas e kemi prezantuar në Bullgari dhe ishte pritur shumë ngrohtë, vitin tjetër është shkruar edhe pjesa tjetër në vitin 2021”, ka thënë Koycheva.

Bashkë me pianisten Daniela Dikova, koncertojnë së bashku tash e 20 vjet. “Jam shumë e lumtur këtu dhe nuk kam qenë më parë. Kur Sihana Badivuku na ka ftuar kam qenë shumë e lumtur të marr pjesë, po ashtu, edhe të jem pjesë e jurisë së ‘ArsKosova’. Ishte ideja jonë të prezantojmë pjesë të bukura nga kompozitorët bullgarë, shpresoj se publiku janë kënaqur”, është shprehur ajo.

Për Sihana Badivukun, drejtoreshë artistike e Festivalit, programi ka qenë tejet i larmishëm duke i vlerësuar veprat si folklorike. “Veprat vërtet u luajtën me shumë mjeshtëri nga duo e interpretuesve. Daniela Dikova ka qenë edhe më herët në Festivalin tonë, gjithashtu ka qenë edhe në jurinë e garës ‘ArsKosova’, çdoherë është kënaqësi ta dëgjojmë si soliste, por edhe në ansambël. Ka qenë edhe me trion e saj vite më parë. Kurse violinisten e kam parë kur ishte kandidate në konkursin ‘Muleniumi i Ri’, kur edhe kishte dalë finaliste”, ka treguar Badivuku.

Për publikun e mbledhur koncerti ka qenë mundësi për të dëgjuar nga afër tingujt e muzikës kamertale. Bujar Hoxha e konsideron lojën e duos si shumë interesante për kombinimin e muzikës së romantizmit klasik me sonatën për piano dhe violinë të kompozitorit norvegjez Edvard Grieg. “Mu duk si një lojë perfekte, sidomos një pjesën e dytë që ishte një risi e veprave moderne në kombinim me folklorin bullar, si një kombinim shumë i mirë. E veçoj ritmiken dhe koncerte të tilla duhet të jepen më shpesh, sidomos në rajonin e Ballkanit, pasi edhe për ata që nuk janë muzikantë, të jep një qetësi nervore e shpirtërore. Në këto kohë turbulente është më se e nevojshme për popullin”, ka thënë ai.

Në koncertin e radhës që do të mbahet më 3 nëntor, po ashtu në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë, do të mbahet koncerti me dyshen franceze Celine Lesage në violinë dhe Eric Lesage në piano, nën temën “French & Archaic”.