Kulturë

Beteja e shqipes me politikën

Descriptive Text

“Mirë se vini në Republikën e Maqedonisë”, shkruan me të zezë në tabelën e madhe të bardhë anash rrugës, me ta kaluar pikën kufitare në Han të Elezit.

Mirëseardhja shprehet në maqedonisht, anglisht e frëngjisht. Dy herë në ditë kalon pranë saj shkupjani Fadil Curri, i cili e jep gjuhën shqipe në shkollën fillore, “Ilaz Thaçi” në Han të Elezit, shkruan sot Koha Ditore.

“Në të hyrë të Maqedonisë nga pika kufitare Han i Elezit-Bllacë kalimtarët lexojnë mbishkrime policore e doganore vetëm në maqedonisht e ato botërore, e kurrsesi edhe në gjuhën shqipe”, thekson Curri, autor i disa veprave letrare. Ai nuk habitet pse nuk është shkruar mirëseardhja edhe në gjuhën shqipe.

“Mirëpo, të gjitha gjuhët e botës mund të jenë në jetën publike për pushtetarët aktualë, vetëm gjuha shqipe të mos jetë, sepse kjo do ta linte nën hije me vjetërsinë e shumësinë historike në Ballkan ose ish-Gadishullin Ilirik, vijimisht qenka lubi atomike që e shkatërruaka Maqedoninë”, thekson Curri, duke iu referuar Lubisë, figurës mitologjike shqiptare që përfytyrohej si gjarpër i madh keqbërës me bisht të gjatë dhe me disa krerë, që ngjante me një kuçedër të pangopshme.

Ai thotë se së paku kështu “doli nga fjalët” e presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, i cili nuk ia dha mandatin kushtetues liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, edhe pse ia dërgoi nënshkrimet e nevojshme pas arritjes së marrëveshjes me partitë shqiptare, që e kushtëzuan me njohjen e shqipes si gjuhë të barabartë zyrtare me maqedonishten. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)