Kulturë

Posta e Kosovës merr çmim në Ekspozitën ndërkombëtare të pullave në Austri

Posta e Kosovës është shpërblyer me vendin e pestë për pullën më të bukur postare për vitin 2016 në ekspozitën ndërkombëtare të pullave në Austri.

Sejdi Hoxha, kryeshef ekzekutiv, i tha RTK-së se kjo është një arritje jashtëzakonisht e madhe në promovimin e kulturës së vendit tonë.

“Ky është një sukses mjaft i madh i Filatelisë së Postës së Kosovës duke marrë parasysh se jemi renditur më lartë se shumë Administrata Postare të vendeve më të zhvilluara të botës që kanë traditë qindravjeçare në filateli. Pullat kanë rëndësi të madhe për shtetin e Kosovës, ato bartin imazhe në gjitha vendet e botës”- tha Hoxha.

Secila pullë e lansuar mbart histori në vete, duke filluar nga ngjarjet kulturore , sportive etj. Pulla e cila mori vendin e 5-të ishte ajo “Evropa 2016 – Mendo gjelbër” ndërsa autore e kësaj pulle është Brikena Alili. Këto arritje kanë ndikuar që interesimi për blerjen e tyre të rritet dhe ka bërë që të jenë më të shiturat në rajon.

“Gjithashtu vlen të ceket se tanimë kemi marrë edhe konfirmimin për shpërblimin e radhës në Verona të Italisë, ku aty do të marrim pjesë me pullën Nënë Tereza, e cila pra është me përmbajtje fetare”- theksoi Hoxha.

Hoxha tutje tha se Filatelia e Postës së Kosovës do të vazhdojë lansimin e pullave të ndryshme.