Kulturë

Fraksioni i “Agimit” në “Lumbardh”, grupi tjetër paralajmëron padi

Prizren, 27 korrik - Njëri fraksion i shoqërisë kulturo-artistike “Agimi”, të mërkurën, ka njoftuar se veprimtarinë artistike do ta vijojë përkohësisht në hapësirat e kinemasë “Lumbardhi”. Kjo për arsye se dyert e objektit të kësaj shoqate mbeten të mbyllura për ta nga grupi tjetër i shoqatës, shkruan sot Koha Ditore.

E kryetari i këtij grupi tjetër të “Agimit”, që konsideron se është përfaqësues i autorizuar i shoqatës, ka vlerësuar se veprimi i ditës së mërkurë nuk shkon në favor të shoqërisë kulturo-artistike dhe kanë paralajmëruar ushtrimin e padisë për shpifje dhe manipulim të opinionit në emër të “Agimit”.

Pavarësisht nga ky qëndrim, përfaqësuesit e fraksionit të ndarë të “Agimit” gjatë ditës kanë nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit për shfrytëzimin e hapësirës së kinemasë “Lumbardhi” në Prizren për nevojat e seksioneve artistike të ShKA “Agimit”. Në praninë e anëtarëve të Kryesisë dhe Bordit të të dyja organizatave, memorandumin e kanë nënshkruar Besim Berisha, drejtor artistik i ShKA “Agimi” dhe Ares Shporta, drejtor ekzekutiv i fondacionit “Lumbardhi”.

Në anën tjetër, Xhemal Kabashi nga kryesia e ShKA-së që vepron në objektin e shoqatës ka pohuar se ky veprim i fundit nuk i bën mirë “Agimit”. “Jemi në bisedime me anëtarët edhe Kryesinë për t’i paditur ata për falsifikim dhe keqpërdorim të emrit, logos, emailit respektivisht për shpifje dhe manipulim të opinionit në emër të ‘Agimit’”, ka thënë ai. Kabashi ka theksuar se ai është person përgjegjës i ShKA-së dhe se do ta angazhojë një avokat për ushtrimin e kësaj padie, me anë të së cilës, sipas tij, do të kërkohet edhe dëmshpërblim për prishje të imazhit të shoqërisë (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.