Kulturë

Në Podujevë fillon festivali “Teatri Ndryshe”

Me shfaqjen “Muhamed Ali”, në Tetarin e Qytetit “Avdush Hasani” në Podujevë, ka filluar edicioni i nëntë i Festivalit “Teatri Ndryshe”.

Hapjen e festivalit e bëri kryetari i komunës së Podujevës, Agim Veliu, nën patronazhin e të cilit mbahet ky manifestim kulturor.

Me këtë rast kryetari Veliu tha se festivali “Teatri Ndryshe” është një ngjarje e rëndësishme kulturore për qytetin e Podujevës.

“Ky festival e begaton jetën kulturore në qytetin tonë gjatë ditëve të verës. Adhuruesit e artit dramatik do të kenë rast të përcjellin shfaqje të ndryshme që i sjellin në skenë dramaturgë, regjisorë e aktorë të shquar na treva të ndryshme”, tha kryetari Veliu.

Në hapje të festivalit në ambientet e jashtme të tetarit u organizua një ekspozitë e trashëgimisë kulturore, e cila u përcoll me këngë nga nxënësit e shkollës së kitarës “Mirela”.

Festivali “Teatri Ndryshe” do të zgjas deri më 28 korrik dhe do të jepen pesë shfaqje.