Kulturë

Rikthimi i Edona Vatocit me magjinë e interpretimit

“DokuNights” ka qenë mbrëmje e rockut në “DokuFest” të martën mbrëma. Edona Vatoci është rikthyer me bendin “This is Not” e në skenë i janë bashkuar edhe Shpat Deda e Tomor Kuçi.

Interpretimi është dëgjuar që nga Shatërvani i qytetit. Provat për koncert kanë zgjatur për më shumë se një orë në hapësirën e zbrazët pa asnjë shikues në bahçen e kino “Lumbardhit”. Shumë nga rendet e ulëseve janë larguar për t'u lënë hapësirë të pranishmëve të argëtohen. Janë shoqëruar me muzikë të huaj derisa ka filluar koncerti. Ndejën e kanë shijuar me nga një pije. Ka qenë mbrëmje argëtuese për të rinjtë. Për dallim nga dita, mbrëmja ka qenë e freskët e me erë të lehtë.

Publiku ka qenë i entuziazmuar tej mase. I gjithi ka qenë në këmbë me ritmin e muzikës. Në program, koncerti ishte paraparë të fillonte në 20:00. U njoftua se do të mbahej në 21:30. Skena ishte gati. Edona Vatoci doli në skenë 45 minuta pas kohës se paraparë. E ulur pranë sintit, ndërkohë që këndonte dhe lunte në instrument.

Ka interpretuar këngët “Hala”, “Një ditë”, e “Mirëmëngjes”. Që në fillim të koncertit, Edona bashkë me publikun, tingujve të muzikës ia kanë shtuar edhe ata të duartrokitjeve nën ritmin e saj. Brohoritjet e duartrokitjet masive të publikut u bënë rutinë e çdo kënge që filloi e mbaroi në koncert.

Në skenë e ka ftuar këngëtarin Shpat Deda për t’iu bashkuar në interpretim. Kanë kënduar këngën më të re të tyre “TERR” të publikuar një muaj më parë. Me duartrokitje e brohoritje të shumta këngëtari është pritur në skenë. Me ritëm të lehtë ka filluar kënga, e dritat me ngjyra i shoqëronin nga pas. Të dy ata njihen për stilet unike të të kënduarit. Vargjet e dialektit gegë i karakterizojnë dy këngëtarët. Kënga e tyre fillon si e qetë e pastaj bëhet çdo herë më dinamike.

Për një kohë prej gati gjashtë vjetësh, këngëtarja Vatoci ka interpretuar pa bend. Kjo ka qenë hera e parë pas një periudhe të gjatë që skenën nuk e ka ngjitur vetëm. Në skenë vazhdimisht ka përsëritur se ndihet e emocionuar. Ka thënë se koncertet më të mira i kishte dëgjuar në “DokuFest” e për performancën në skenën e Festivalit është shprehur tejet e lumtur. Nga aty ku ka interpretuar, ka kujtuar këngëtaren revolucionare të skenës, avangarden Violeta Rexhepagiq. Para publikut ka vlerësuar se një si ajo nuk do të ketë më.

Mbrëmja e muzikës rock ka pushtuar zemrat e secilit e ka kumbuar gjithë hapësirën e qytetit rreth bahçes së “Lumbardhit”. Vatoci ka kënduar për publikun me gjithë zërin e zemrën e saj.

Aftësitë për të luajtur me zërin e saj ngjajnë në ato të yjeve ndërkombëtar të rockut. Kishte energjinë të këndonte me forcat më të mëdha e të vallëzonte në të njëjtën kohë me ritmin e këngës. Në skenë ka ftuar bashkëpunëtorin në projektet e saj, kitaristin e vokalistin Tomor Kuçi. Kanë interpretuar këngët “Të kam thënë mos i bje’ bukës me këmbë” dhe “Këndoj, ekzistoj”. Bashkë me ritmin e këngës publiku ka duartrokitur nga fillimi i këngëve deri në fund. Ka brohoritur gjatë emrin e Edonës. Në fund të koncertit, të gjithë të pranishmit kanë kërkuar edhe një këngë nga ajo me bendin. Këta të fundit janë larguar nga skena derisa kërkesat kanë vazhduar, e ato e kanë kthyer prapë në skenë në interpretim edhe të një kënge tjetër.

Prapë kjo nuk ka qenë e mjaftueshme për ta, që kanë kërkuar prapë një këngë tjetër, por mbrëmja ka vazhduar më pas me muzikë elektronike . Vatoci ka thënë për KOHË-n se projektet e ardhshme do të jenë të mëdha. “Ka qenë emocion i veçantë pasi moti nuk kam qenë në skenë me bend, ndoshta janë bërë gjashtë vjet. Me Shpatin, pasi jemi shumë të lidhur, ashtu ka dalë edhe kënga. E ka njëfarë intimiteti, e konsideroj si vëlla”, ka thënë Vatoci derisa është shprehur se ka bërë disa gabime të cilat kanë ndodhur si rezultat i emocioneve.

Bendi tashmë ka edhe anëtarë të rinj. Në formacionin e njëjtë kanë interpretuar së bashku në edicionin e kaluar të festivalit “DokuFest”. Vatoci ka konsideruar se është me rëndësi të bësh gjëra të ndryshme.

Ndërsa muzikanti Dren Suldashi ka thënë se në mënyra të ndryshme ka qenë pjesëtar i “DokuFestit”.

“Kësaj here kam qenë si pjesë teknike si mbështetje e Edonës. Gabime ka pasur edhe nga ana teknike, por kanë qenë nga sinqeriteti e emocionet”, ka thënë ai.