Kulturë

“Europa Nostra” nuk tërhiqet nga qasja për “Manastirin e Deçanit në rrezik”

Organizata “Europa Nostra” qëndron pas vendimit të saj se Manastiri i Deçanit është monument i rrezikuar. Pas vizitës që kanë bërë në Kosovë një pjesë e stafit të organizatës evropiane, kanë konstatuar se arsyet e përfshirjes së monumentit në listën e 7 monumenteve më të rrezikuara vazhdojnë të qëndrojnë.

“Një vit pas publikimit të kësaj liste, arsyet kryesore për përfshirjen e këtij lokaliteti të Trashëgimisë Botërore në Rrezik edhe në listën e 7 monumenteve më të rrezikuarve të ‘Europa Nostra’ kanë mbetur të vlefshme”, shkruhet në komunikatën e lëshuar të enjten.

Delegacioni i Organizatës ka qëndruar për disa ditë në Kosovë dhe kanë takuar përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe e po ashtu edhe zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.

Në prill të 2021-tës, propaganda e Beogradit dhe e Kishës Ortodokse Serbe ia doli që organizata e njohur e trashëgimisë kulturore – “Europa Nostra” – ta përfshijë Manastirin e Deçanit në mesin e shtatë monumenteve më të rrezikuara të trashëgimisë.

Të premten e javës së kaluar, ministrat, ai i Mjedisit, Liburn Aliu, dhe ai i Kulturës, Hajrulla Çeku, kanë pritur në takim në Prishtinë përfaqësues të kësaj organizate.

Në njoftimin e dhënë nga Aliu në Facebook, shkruhej se pala kosovare ka theksuar qëndrimin mospajtues për përfshirjen e Manastirit të Deçanit në mesin e lokaliteteve të rrezikuara.

“Përfshirja e Manastirit të Deçanit në listën e 7 lokaliteteve më të rrezikuara në Evropë nuk është e drejtë, pasi që nuk është e bazuar në argumente profesionale dhe nuk reflekton pasqyrën reale të Manastirit”, citohet të kishte thënë ai.