Kulturë

Pandemia e përmbysi konceptin për shtëpinë

Descriptive Text

Arkitekti italian Luca Molonari ka thënë se kuptimi për shtëpinë ishte bërë klishe, duke e parë vetëm funksionin për strehim, por pandemia e kishte përmbysur tërësisht këtë mentalitet. Ishte kthyer në vend të shenjtë, të sigurt dhe jo vetëm. Ai ka një shpjegim unik për të e për tryezën. Koncepte e qasje si këto, Molonari i ka zbërthyer në ligjëratën që ka mbajtur në Festivalin e Arkitekturës në Kosovë

Shtëpia ka qenë kryefjalë e njërës prej ligjëratave në kuadër të Festivalit të Arkitekturës, të premten mbrëma. Revolucionin e saj ndër vite e ka sjellë arkitekti italian Luca Molonari në ligjëratën me temën “Domestic landscape”. Kuptimin për shtëpinë ai e zbërthen përtej objektit, duke sjellë në rend të parë si definicion për strehim ndaj makthit që vjen nga jashtë. Shtëpinë si peizazh i brendshëm e ka perceptuar si vend ku mblidhen emocionet e gjenerohet vetë biografia e njeriut.

Për të qenë më i saktë në prezantimin e tij të premten mbrëma në “Kino Armatë”, ai ka bashkangjitur edhe ilustrime të cilat janë shfaqur gjatë gjithë ligjëratës. Të pranishmit patën rastin të përvetësojnë konceptin më të thellë, peizazhin e brendshëm, me këtë rast të shtëpisë. Përvojën prej arkitekti, kritiku, kuratori e profesori ka mëtuar ka reflektojë edhe te studentët kosovarë. Për ta bërë më të kuptueshëm konceptin, si shembull ka qenë pandemia që kishte goditur shtetin e Italisë dhe kishte lënë të vdekur rreth 150 mijë të infektuar. Kuptimi për shtëpinë ishte bërë klishe duke e parë vetëm funksionin për strehimin, por pandemia kishte përmbysur tërësisht këtë mentalitet. Ishte kthyer në vend të shenjtë, të sigurt, teksa ishte ndërruar çdo ditë në vend të punës, shkollë e spital.

Për arkitektin italian është mbresëlënëse sesi njerëzit po rikthehen sërish në çështjen bazike e të qenët prapë të gjithë bashkë, për faktin se është e nevojshme t’i ndajnë me njëri-tjetrin historitë, emocionet, ndjenjat, energjitë e gjërat materiale. E veçantë është mënyra sesi zbërthen konceptin e tavolinës, e cila nuk është thjesht një tryezë. Apo është dhe gjithmonë do të mbetet e tillë, por që ngërthen edhe aspektet ku komuniteti mblidhet pikërisht rreth saj dhe që e bën atë një element që kundrohet e përdoret në mënyra të ndryshme. Arkitekturën e vlerëson si përgjegjësi politike në një kohë ku studentët janë të ngazëllyer të merren me të, por që në të njëjtën kohë është edhe e vështirë.

Arkitekti Molonari për studentët ka vlerësuar se duhet punuar në atë mënyrë që nëse ka nevojë të konsumohet hapësira, nuk duhet punuar sikurse në një hapësirë më me densitet. Për të, të punosh në të tilla rrethana duhet pasur njohuri në përdorimin e saj e në dizajnimin e hapësirës. Gjatë ligjëratës ka përmendur edhe ruajtjen e energjisë e të ujit si esencë për jetë.

”Mos harroni, në 30 vjetët e fundit uji do të jetë problemi. Nuk mund të pomposh ujë me një sasi të madhe energjie në katin e 30-të, vetëm sepse sheh gjelbërim dhe e ndien se një gjë e tillë është krejt natyrale, nuk është ky qëllimi. Çështja është konsiderimi i miliarda përdoruesve të energjive dhe burimeve si një lloj ekosistemi, pra kursejeni”, ka thënë ai.

Çdo element është diçka që mund të ndikojë në ndryshim, aq sa ndryshojnë gjërat nga qyteti në shtëpi dhe anasjelltas. Ka thënë se viteve të fundit ka qenë interesante për të që të punojë mbi peizazhet e brendshme, të cilat i ka cilësuar si vende të vërteta politike. Gjatë kësaj kohë ishte inspiruar për të promovuar librin “Le case che siamo”, që në shqip do të thotë “Shtëpia në të cilën jemi”.

“Mbaj mend kur isha në Berlin në vitin 2007 dhe promovuam ‘Le case che siamo’. Një libër që në Itali pati një rezultat të madh, shitëm tre mijë kopje, më bën ende përshtypje që njerëzit e blejnë dhe kjo do të thotë diçka”, ka thënë ai, derisa ka bërë të ditur se kohëve të fundit është duke punuar në një ekspozitë e cila trajton konceptin e tavolinës që nuk është gjithçka. Në mbrëmjen e dytë të serisë së ligjëratave dhe të pestën në kuadër të edicionit të dhjetë të Festivalit, arkitekti italian shtëpinë e ka sjellë para studentëve në një tjetër dimension. Ka thënë se vite më parë, hapësira e brendshme mund të kuptohej më me kujdes sa i përket vendit real e politik të ndryshimeve. Kjo ngase në qytete njeriu synon të lë përshtypje për vetitë që ndoshta nuk i ka, por se në shtëpi ndihet vetvetja.

Arkitektë vendorë nga rajoni e ata ndërkombëtarë kanë ligjëruar për tri ditë në Prishtinë në kuadër të Festivalit të Arkitekturës në Prishtinë.

Drejtori i Festivalit, Bekim Ramku, e ka vlerësuar shumë të rëndësishme sjelljen e emrave që janë profesionistë të fushës për të reflektuar njohuritë e tyre te arkitektët dhe studentët në Kosovë. Ka vlerësuar edhe prezantimin e arkitektit italian si shtjellim i hapësirës së shtëpisë dhe paraqitjen e ndryshimit të shtëpive me rritjen e standardeve.

“Edhe si rezultat i pandemisë, por edhe para saj kanë filluar që kufizimet të shprishen dhe e gjithë shtëpia të shkrihet në një hapësirë në kontribut të socializimit. Para pandemisë ndoshta kemi qenë shumë kundër zhurmave e njerëzve, por në atë kohë e kemi parë se sa i rëndësishëm është socializimi dhe kalimi i kohës me kolektive të tjera”, ka thënë ai.

Në ditën e parë të ligjëratave, të enjten para studentëve qenë prezantuar tre arkitektë: Joni Baboci nga Tirana, Hussam Dakkak nga Meka e Arabisë Saudite dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në cilësinë e arkitektit. Tre arkitektët kanë sjellë urbanizmin e kryeqyteteve shqiptare, por edhe atë botërore. Të premten dhjetëra studentë ishin mbledhur në “Kino Armata” për të ndjekur ligjëratën e arkitektit gjerman Jan Liesegang dhe atij italian Luca Molinari. Seria e ligjëratave të arkitektëve është mbyllur me ligjëratën e të arkitektit nga Estonia, Andreas Lepik, dhe me ligjëratën “Data don’t drive: Mapping Up with Social Justice Movement“ të arkitektit Eric Robsky Huntley nga Massachusetts.

Luca Molonari është arkitekt, kritik, kurator e profesor i rregullt i “Teorisë dhe Dizajnit Arkitekturor” në Universitetin “Luigi Vanvitelli” në Napoli. Është drejtor redaktues në revistën “Platform Architecture and Design”, si dhe autor i pavarur në gazeta dhe revista italiane dhe të huaja, duke përfshirë “Corriere della Sera”, “La Stampa”, “L’Espresso”, “Domani”, “Domus” dhe “Lotus”. Ka marrë çmimin “Ernesto Nathan Rogers” për kritikë arkitekturore dhe komunikim në kuadrin e edicionit të dhjetë të “La Biennale di Venezia” dhe çmimin “UIA Jean Tschumi” për kritikë arkitekturore. Ndër botimet e tij të fundit janë “Dismisura” në vitin 2019 dhe “Le case che siamo” më 2016. Tetë vjet më parë ka themeluar agjencinë e tij “Luca Molinari Studio” në Milano, që ofron shërbime për menaxhimin e projekteve brenda fushës së arkitekturës.