Kulturë

Kosova i kërkon kompensim “Europa Nostrës” që e shpalli Manastirin e Deçanit monument në rrezik

Kërkimfalje dhe kompensim ka kërkuar Qeveria e Kosovës nga organizata “Europa Nostra” për dëmin që ia ka shkaktuar vendit me futjen e Manastirit të Deçanit në listën e 7 lokaliteteve më të rrezikuara në Evropë gjatë vitit 2021.

Në prill të 2021-s, propaganda e Beogradit dhe e Kishës Ortodokse Serbe ia doli që organizata e njohur e trashëgimisë kulturore – “Europa Nostra” – ta përfshijë Manastirin e Deçanit në mesin e shtatëve monumenteve më të rrezikuara të trashëgimisë.

Të premten, ministrat, ai i Mjedisit Liburn Aliu dhe ai i Kulturës Hajrulla Çeku kanë pritur në takim në Prishtinë përfaqësues të kësaj organizate.

Në njoftimin e dhënë nga Aliu në Facebook, thuhet se pala kosovare ka theksuar qëndrimin mospajtues për përfshirjen e Manastirit të Deçanit në mesin e lokaliteteve të rrezikuara.

“Përfshirja e Manastirit të Deçanit në listën e 7 lokaliteteve më të rrezikuara në Evropë, nuk është e drejtë, pasi që nuk është e bazuar në argumente profesionale dhe nuk reflekton pasqyrën reale të Manastirit”, ka thënë ai.

Tutje Aliu ka shtuar se “Manastiri i Deçanit si aset i trashëgimisë kulturore është objekt në gjendje të mirë fizike e funksionale, ku zhvillohen ceremonitë e rregullta fetare, si dhe gjendja e sigurisë në objektet e trashëgimisë kulturore, në veçanti të atyre fetare është përmirësuar, e ky fakt argumentohet më së miri në raportet e organeve të sigurisë, së Policisë së Kosovës, dhe Misionit të KFOR-it në Kosovë”.

“Bashkërisht me Ministrin Çeku, deklaruam se insistimi për ‘rrezikun’ ndaj Manastirit të Deçanit, është edhe një dëshmi për qasjen jo-profesionale, politikisht të ndikuar të organizatës Europa Nostra, dhe ritheksuam edhe njëherë që Europa Nostra i detyrohet me kërkim falje dhe kompensim për dëmin e shkaktuar ndaj reputacionit të Institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Aliu.