Festivali ”Jazz in Albania”, ndez atmosferën në qytetin e serenatave

Festivali ”Jazz in Albania”, ndez atmosferën në qytetin e serenatave

21 korrik 2017 08:47

Tiranë, 21 korrik – Pjesëmarrësit e edicionit të gjashtë të festivalit ndërkombëtar Jazz in Albania, pas performancave në Tiranë, kanë udhëtuar edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, si në Shkodër, Korçë, Pogradec e më gjerë.

Në Korçë, artistët kanë performuar në pazarin e qytetit, transmeton atsh. Festivali i Jazz-it ka nisur të martën në mbrëmje në Tiranë i organizuar nga fondacioni ‘Syri Blu’.

Ndërsa shtrirja e këtij festivali në qytetin e Korçës është bërë me përkrahjen e Bashkisë së këtij qyteti.

Të pranishmit kanë kaluar orë të këndshme duke dëgjuar tingujt e duos austriake Rabitsch-Pawlik. Artistja austriake Michaela Rabitsch është e emocionuar nga vizita e saj e parë në këtë qytet.

“Këtu njerëzit janë shumë të dashur. Ndihem shumë mirë dhe jam shumë e emocionuar që kam ardhur të performojë në këtë qytet. Është qytet i bukur dhe ka kaq shumë njerëz të bukur”, shprehet Michaela Rabitsch.

Pas festivalit kryebashkiaku i Korçës Sotiraq Filo u shpreh se duke i shtuar këtë festival, qyteti po bëhet më atraktiv në këtë periudhë vere.

“Është hera e parë që ky festival Jazzi sillet nga organizatorët pikërisht në qytetin e Korçës. Synimi i këtij aktiviteti është që të kombinojë muzikën e veçantë jazz me atraksionet turistike të disa prej qyteteve shqiptare“, shprehet Filo.

Festivali ndërkombëtar Jazz in Albania do të vijojë deri më 26 korrik, duke i shtrirë koncertet sipas programit edhe në disa qytete kryesore të vendit.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme