Kulturë

Shkumbin Gashi e Claude Arnaud marrin çmimet kryesore të Panairit

Descriptive Text

Nën zhurmën e vizitorëve të shumtë, tingujt e muzikës që dëgjohen jo fort, organizatorët e Panairit të Librit në Prishtinë, mesditën e së shtunës, kanë zënë kthinën në katin e dytë të Pallatit të Rinisë, për të ndarë çmimet e edicionit të sivjetmë. Shkumbin Gashi ka marrë Çmimin për shkrimtarin më të mirë të letërsisë shqipe, e Claude Arnaud atë për shkrimtarin më të mirë të huaj. Gjithsej dhjetë çmime ka ndarë Shoqata e Botueseve të Kosovës, që ka përsipër organizimin e Panairit, i cili sivjet është rikthyer pas dy edicioneve të munguara.

“Është një kënaqësi e jashtëzakonshme për mua që ta pranoj këtë çmim pikërisht në Prishtinë, në vendin ku unë jam rritur. Përkundër që jetoj në Zvicër, e kam një përshtypje që Prishtina asnjëherë nuk më hidhërohet. Më pret gjithmonë mirë, më pret si gjyshja që pret nipin e saj”, ka thënë Gashi me emocione, derisa ka pranuar çmimin. Gashi hyri në botën e letërsisë me “Anormopatia”, botuar më 2017, e më 2020 u bë i njohur me romanin “Nënë më fol për ëndërrimtarët”, kur mori edhe çmimin “Rexhai Surroi” për romanin më të mirë.

Shkrimtari francez Arnaud nuk qe i pranishëm në ceremoni, por në ditët e para qe mysafir, pasi edhe iu promovua botimi në shqip i romanit të tij “Dhembja e rrënojave”.

“Jam më se i lumtur ta meritoj çmimin si shkrimtari më i mirë i vitit, i huaj, dhënë nga panairi i 22-të i librit ‘Prishtina 2022’. Kosova e pëlqen leximin, unë e adhuroj të shkruarit, le të jetë kështu përgjithmonë”, ka qenë mesazhi që ai ka lënë, lexuar prej Edon Zenelit, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës.

Kanë qenë akademikët Ali Aliu e Zejnullah Rrahmani, Reshat Sahitaj nga Unioni i Shkrimtarëve dhe Kritikëve Shqiptarë, Edon Zenel kryetar i ShBK-së dhe Majlinda Rama, kryetare e jurisë, që kanë vendosur për çmimet e Panairit, që sivjet vijnë në një tjetër format. Në edicionet e kaluara ndaheshin edhe çmime për shtandin më të vizituar a për librin më të shitur.

Juria ka ndarë dy çmime edhe për autorët e letërsisë për fëmijë. Çmimi për letërsinë për fëmijë, tregime, e mori Drita Ruhani për veprën “Në koma”, botuar nga SAS, Prishtinë. Çmimin ia dorëzoi Vjollca Zalli, bashkëshortja e shkrimtarit të njohur për fëmijë, Shkëlzen Zalli.

“Sa është nder, aq më keni ofruar edhe shumë emocione. Dashurinë për librin, për fëmijët, për krijesat e pafajshme e kam pasur tërë jetën. Sot gëzohem shumë që këtë dashuri po e ndaj me ju. Ju faleminderit shumë”, ka thënë Ruhani.

Ndërkaq për një lloj tjetër të prozës, Çmimin për letërsinë për fëmijë në roman e mori Fatmir Gjestila me veprën “Briri i artë shndërrues”, botuar nga “Emathia”, Tiranë, të cilin ia ka dorëzuar shkrimtari për fëmijë, Viktor Canosinaj, i cili ka rikujtuar se në fakt Gjestila këtë vit kishte fituar edhe një çmim shumë të rëndësishëm të letërsisë për fëmijë me romanin “Edhe pëllumbat qajnë”.

“Gjestila sivjet ka fituar edhe një trofe të rëndësishëm, një roman i tij është përfshirë në listën e nderit të IBBY, e cila është një shoqatë shumë e rëndësishme e letërsisë për fëmijë me qendër në Zvicër”, ka thënë Canosinaj

Gjestila, i cili punon edhe si mësues, ka thënë se kur po e merrte këtë çmim, gjëja e parë që i bie ndër mend janë nxënësit e tij dhe gëzimi i tyre kur ta kuptojnë se ai ka marrë një çmim në Prishtinë.

“Është një emocion i veçantë për mua. Në fakt mundohem që t’i mbërthej emocionet e mos t’i shfaq. Si mësues mbase në këto momente së pari i mendoj nxënësit e mi, të cilët i kanë vlerësuar disi libra të mi, por nuk e di si do t’u duket kur unë të shkoj me këtë çmim dhe së pari t’ua tregoj atyre. E di se do të ndihen të lumtur dhe kjo më gëzon shumë”, ka thënë ai.

Dy çmime ka pasur edhe për përkthyes.

Diana Çuli mori Çmimin për përkthyesen e vitit 2022 në prozë, për përkthimin e veprës së Barbey d'Aurevilly “Diaboliket”, ndërkaq Mirela Papuçiu mori Çmimin për përkthyesen e vitit në poezi, për përkthimin e veprës së Laurent Grisonit, “Voltaikët”, botuar nga “Buzuku”.

“Ndihem veçanërisht e nderuar që jam në këtë Panair dhe dua të them se e marr me shumë modesti, nderim, por edhe obligim këtë çmim, i cili jepet përkrah kaq kontributesh të çmuara që bëhen në lëmin e përkthimit”, ka thënë Papuçiu.

Gazetarja dhe shkrimtarja Alketa Gashi-Fazliu u vlerësua me Çmimin për poezi, për veprën “Pikë”, botuar nga “Artini”, Prishtinë. Çmim ia dedikoi fëmijëve të vet, e “padyshim edhe adhuruesve të poezisë e të librit”, deklaroi Alketa me një zë plot emocione.

Kryetarja e jurisë, Majlinda Rama, ka thënë se “për ta thyer paksa rutinën, juria kishte vendosur të japë edhe një çmim shtesë, Çmimin për vepër kapitale”. Atë e ka marrë publicistja dhe studiuesja e shquar e letërsisë, Alda Bardhyli, për veprën “Kohë për rrëfim” – dialog me Ismail Kadarenë.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, i ndau Namik Dokles Çmimin për roman, për “Kolerë në kohë të dashurisë”.

“Doklen e njoh si gazetar shumë të shquar, si politikan prej tre dekadash në Parlamentin e Shqipërisë. Një njeri i qetë, një njeri me kokën plot, një njeri që ka kontribuuar shumë për demokracinë në Shqipëri dhe së fundi e shikoj një djalosh në letërsi. Që kur e ka lënë politikën, ka botuar katër romane, ndërsa në rrugëtimin e tij letrar si shkrimtar ka 25 vepra”, ka thënë Minxhozi, në rolin e mikut dhe njohësit të veprës së Dokles.

Ndërkaq vetë laureati u shpreh i gëzuar veçmas për faktin se ky çmim vinte nga Prishtina, ndërsa atë ua dedikoi poetëve të pushkatuar dhe të varur.

“Ashtu si edhe romanin ‘Kolerë ne kohë të dashurisë’, kam dëshirë që edhe këtë çmim t’ua kushtoj poetëve të pushkatuar dhe të varur dhe jo më pak, atyre që u vranë shpirtërisht”, ka thënë ai.

Në lëmin e kritikës fitues doli Behar Gjoka me librin “Hejza e Pashkut”, botuar nga “Buzuku”, Prishtinë.

Akademik Ali Aliu, i cili ia ndau këtë çmim, ka thënë se ky libër është “një studim, një monografi për shkrimtarin që në prozën shqipe ka shënuar një nga kthesat kryesore të poetikave narrative”.

“Faleminderit për vlerësimin e kësaj ‘dashurie dhe mallkimi të disa moteve’ që unë jam ndalur te mjeshtri i prozës, i dramatikës, mjeshtri i fjalës, te gurthemeli i letërsisë moderne shqipe”, ka thënë Gjoka.