Kulturë

Alban Ukaj në Cannes

“Tori and Lokita” është dhënë sot premierë botërore në edicionin e 75-të të Festivalit të Filmit në Cannes. Projekti filmik i maestrove Jean-Pierre dhe Luc Dardenne, në të cilin luan edhe Alban Ukaj, është në konkurrencë zyrtare për “Palmën e Artë”.

Aktori nga Kosova, bashkë me dyshen belge dhe ekipin e filmit, para ndezjes së projektorëve kanë parakaluar nëpër tapetin e kuq, të atij që njihet si “festival i festivaleve”.

Vëllezërit Dardenne janë emra të shquar edhe në Cannes, por ky festival nuk është i panjohur as për Alban Ukajn. Në ngjarjen e madhe ai kthehet pas 13 vjetësh, kur qe aty si pjesë e kastës së aktorëve në filmin “Heshtja e Lornës”, ku luan edhe Arta Dobroshi.

“Tori and Lokita” nxjerr në pah miqësinë që bashkon dy të rinj që kanë udhëtuar vetëm nga Afrika dhe e gjejnë veten duke u përballur me kushtet mizore të mërgimit të tyre në Belgjikë. 

Është një rrëfim për emigrantët në Belgjikën moderne. Midis të tjerësh pjesë e kastës janë edhe Marc Zinga, Claire Bodson, Baptiste Sornin.

Alban Ukaj në film portretizon Bacolin. Në tepihun e kuq, para premierës, Ukaj ka thënë se është i lumtur që kthehet në këtë ngjarje, përderisa ka veçuar rolin që artistët kanë në shoqëri.

“Mendoj se përgjegjësia jonë si artistë është që të flasim për çështje sociale dhe për ngjarje politike të cilat po ndodhin këta vjet globalisht. Isha më fat që kam punuar me njerëz që kanë fuqinë të ngrenë zërin e të flasin për minoritete e njerëz që në njëfarë mënyre janë të margjinalizuar”, ka thënë ai.

Edicioni i sivjetmë i Festivalit të Filmit në Cannes, më 17 maj, nisi më shkëlqimin për të cilin shquhet. Në hapje të pranishmëve iu drejtua me videolink edhe presidenti ukrainas Zelenksi. Festivali përfundon këtë të shtunë.

{gallery}