Zyrtarisht shkëputet kontrata për dhënien me qira të Kalasë së Vushtrrisë Foto: Koha

Zyrtarisht shkëputet kontrata për dhënien me qira të Kalasë së Vushtrrisë

19 korrik 2017 09:34

Para pak çastesh Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve bëri të ditur përmes telefonit se ka shkëputur kontratën për dhënien me qira të kalasë së Vushtrrisë, raporton “Koha Ditore”.

Për këtë vendim Instituti do të njoftojë opinionin përmes një komunikate, të cilën do ta lëshojë pas pak.

Të rikujtojmë se “Koha Ditore” kishte paralajmëruar se kjo do të ndodhte sot. Kështu i ishte thënë dje.

për qiradhënien e Kalasë së Vushtrrisë do të shkëputet. Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve pritet ta zyrtarizojë këtë vendim brenda ditës së sotme (e mërkurë). Kjo tërheqje e kontratës është bërë pas takimit që kanë pasur mëngjesin e së martës në Komunën e Vushtrrisë kryetari i Komunës, Bajram Mulaku, udhëheqësi i degës në Kosovë i organizatës suedeze “Trashëgimia Kulturore pa Kufij”, Sali Shoshi, dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të IKMM-së, Agim Gërguri”.

Nëse gjatë ditës së mërkurë qiramarrësi Mentor Salihu nuk e nënshkruan marrëveshjen për shkëputje të kontratës - nëpërmjet së cilës i jepej në shfrytëzim një pjesë e Kalasë për pesë vjet – IKMM-ja do të veprojë njëanshëm duke vendosur që ta shpallë të pavlefshme atë”, shkruan sot “Koha Ditore”. Kjo në fakt ka ndodhur.

“Trashëgimia Kulturore pa Kufij” kishte implementuar projektin e përfunduar në nëntor të viti 2014 për funksionalizimin e Kalasë, që ishte financuar me 500 mijë dollarë nga Ambasada amerikane në Prishtinë. E kishte kundërshtuar qiradhënien e Kalasë së Vushtrrisë qysh kur ishte publikuar lajmi, dhe qiramarrësi kishte nisur përgatitjet për hapjen e restorantit.

Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve nuk kishte shpallur thirrje publike për dhënien në shfrytëzim të Kalasë.

Sipas kontratës për të cilën gazeta kishte raportuar të hënën, qiramarrësi në total do të paguante 12 mijë euro për shfrytëzim pesëvjeçar të objektit. Në dy vjetët e parë nuk do të paguante qira, me arsyetimin se ajo shumë do të investohej në Kala, përderisa për tre vjetët e tjerë do të paguante nga 200 euro në muaj.

Në bazë të kopjes së kontratës, qiramarrësi Mentor Salihu, i cili është djali i dajës së kryetarit të Vushtrrisë, Bajram Mulaku, do të siguronte qasje për qytetarët në Kala. Në bazë të kontratës, vetëm një pjesë e objektit do të shfrytëzohej si restorant, kurse pjesa tjetër - që është shfrytëzuar për ekspozita - do të vazhdonte të mbetej në shërbim të qytetarëve, shkruan sot “Koha Ditore”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme