Kulturë

Dialogu atraktiv me publikun, prej kolonave zanore kulmon te “Baresha”

Dialogu atraktiv me publikun. 12 maj, koncert

Përtej kapacitetit të dëshmuar, me vepra ritmike e përplot jetë, Orkestra Frymore e Filharmonisë së Kosovës e ka bindur publikun me një program krejtësisht të ri për skenën vendore të muzikës klasike. Me përzgjedhjen e veprave të famshme ndërkombëtare, të cilat kanë rrugëtuar si kolona zanore të filmave, e me aranzhimin e identifikimit muzikor shqiptar, “Baresha” për formacion orkestral, koncerti nën dirigjimin e Baki Jasharit, Hajrullah Sylës e Lirjona Sylejmanit jehoi me atraktivitet e gjallëri

Koncerti i fundit i Orkestrës Frymore të Filharmonisë së Kosovës nuk u ka ngjarë atyre të rëndomtëve. Kësaj radhe u ofrua ajo që mungon shumë shpesh nëpër koncerte: interaktiviteti i publikut nëpërmjet veprave. Kjo u mundësua pikërisht me përzgjedhjen e programit, i cili në gati çdo pjesë ishte i njohur për ta.

Vepra ndërkombëtare të kompozitorëve të huaj, të cilat kanë rrugëtuar si kolona zanore të filmave të famshëm, ia dhanë ngjyrimin përplot jetë mbrëmjes të së mërkurës në qendrën “Bogdani Polis” në Prishtinë. Kulmimi i gjithë koncertit ishte aranzhimi i “Bareshës” së Rexho Mulliqit nga Hajrullah Syla. Me version të ripërpunuar e me lojën plot mjeshtri të klarinetistit Shkumbin Bajraktari, vepra e cila është identifikim për muzikën shqiptare, mori edhe një freskim profesional, i cili do të mbahet mend gjatë.

Mbi të gjitha, profesionalizmi i dirigjentëve Baki Jashari, Hajrullah Syla e Lirjona Sylejmani ka dalë në pah në çdo ndërrim vepre. Në secilën prej tyre dukej sikur linin diçka nga vetja, duke u munduar të nxirrnin më të mirën nga formacioni në përbërje prej klarinetit, flautës, fagotit, saksofonit, trumbetës, tornos, trombonit, tubës e perkusionit, për çka edhe rezultoi me duartrokitjet e gjata të publikut, të cilët tash e një kohë kanë filluar t’i zënë vendet e tyre nëpër salla me kapacitete të plota.

Koncerti nisi me një nga operat më të famshme “Carmen Suite” nga Georges Bizet, e cila nën dirigjimin e Lirjona Sylejmanit, i ka ngjarë një loje ritmike, e cila që në fillim bëri të ndihej tonalitet i theksuar nga perkusioni, për të ndryshuar krejtësisht në vazhdim. E shkruar nga kompozitori francez më 1874, shpërfaq në gati dymbëdhjetë minuta temën e dashurisë e lajkave midis Carmenit dhe Don Jose, e cila vërehet edhe nga melodia si në ikje.

Nën dirigjimin e Hajrullah Sylës, i cili në ekzekutimin e Frank Ericksonit, “Uverturë Jubiloso” është përfshirë me çdo lëvizje që ka bërë, publiku ndjeu gjallërinë ritmike të një harmonie të magjishme që e bëri sallën të kumbonte nga tingujt përplot jetë të veprës së kompozuar më 1978.

“Flashing Winds” e Jan Var Der Roost i ngjau emrit, e cila tingëllonte si një flatër muzikore që shëtit edhe përmes Orkestrës Frymore të Filharmonisë së Kosovës. Përveç saj, dirigjenti Baki Jashari udhëhoqi mjeshtërisht formacionin instrumental edhe me veçantinë e “Fanfare Nueve” të John Fannin. Koncerti qe konsistent për nga ndjellja e kërshërisë dhe moshumbjes së vëmendjes së audiencës përgjatë gjithë kohës. Fantazia muzikore e “Oregon” të Jacob de Haan mbërtheu në vete historinë amerikane. Është një shpërfaqje e bukurive natyrore. Gjithçka portretizohet nga dritarja e një treni, ku fillimi është i lehtë, për të vazhduar me pushtimin melodik të trombonit si imitues të trenit, e për të vazhduar me plotësimin e peizazhit muzikor.

Më i afërt se kurrë tingëlloi ky program te publiku edhe për faktin e përfshirjes së kolonave zanore të filmave.

Image

Koncerti nisi me një nga operat më të famshme “Carmen Suite” nga Georges Bizet, e cila nën dirigjimin e Lirjona Sylejmanit, i ka ngjarë një loje ritmike, e cila që në fillim bëri të ndihej tonaliteti i theksuar nga perkusioni, për të ndryshuar krejtësisht në vazhdim


“Piratët e Karaibeve” të Klaus Badelt nën aranzhimin e John Wasson sollën imazhin e serisë së famshme të filmave që trajtojnë fantazinë e atraksioneve të parkut Walt Disney. Motive të përafërta me vendoren solli “Arabesque”, për të cilën pritej një interpretim i ëmbël ende pa nisur për shkak të komunikimit të dirigjentit Baki Jashari me instrumentistët. E shkruar nga kompozitori Samuel Hazo, kjo vepër sjellë frymën e Lindjes së Mesme, të cilat nga tinguj delikatë e sensualë e shpënë dëgjuesin në pjesë të shpejta e goditje të fuqishme të cilat përafrohen goxha melosin shqiptar.

Fundi s’i ngjau aspak përmbylljeve të zakonshme të koncerteve të muzikës klasike. Përzgjedhja e “Mambos” të Leonard Bernsteinit krejt në fund ishte e qëlluar. Gjallëria, e cila buçiste sallën dhe unifikimi i instrumentistëve në sjelljen e veprës plot jetë, bëri që koncerti të duartrokitet gjatë dhe të dilte nga e rëndomta e koncerteve klasike në vend.

“Ky formacion s’është i zakonshëm, s’është shumë prezent para publikut dhe kemi filluar me një rrugëtim mjaft interesant, e që besoj se do të vazhdojë dhe do të kemi një bend të tillë frymor që Kosovës i ka munguar”, ka thënë dirigjenti Hajrullah Syla.

Ai ka treguar se kanë pasur kujdes në përzgjedhjen e veprave, në mënyrë që pavarësisht rrugëtimit të famshëm të tyre, të sjellin seriozitet.

“Programi ka qenë mjaft interesant, i rëndë, ka kërkuar kohë për t’u përgatitur, por megjithatë paraqitja ishte mjaft e mirë”, ka theksuar ai.

Për “Bareshën”, aranzhimin e së cilës e solli mjeshtërisht, ka thënë se ka lindur si nevojë e një pike muzikore shqiptare në koncert.

“Interpretimi ka qenë mjaft i mirë, sigurisht që jam i bindur në rast se do ta shfaqnim prapë secilën herë do të ishte më mirë sepse kushtet gjithmonë e bëjnë të veten. Në këtë sallë nuk janë kushtet ideale për koncert, sidomos kur temperaturat janë të larta, Orkestra Frymore ka gjithmonë problem me akordim e kjo na ka nxjerrë pak telashe, por jemi përmbajtur dhe ia kemi arritur”, ka thënë Syla, teksa ka shtuar se s’ka pasur dyshime përgjatë rrugëtimit.

Klarinetisti Shkumbin Bajraktari ka thënë të ketë bërë më të mirën e tij, në mënyrë që vepra ta gëzojë interpretimin meritor.

“‘Bareshën’ të gjithë e dimë që është ikonë e jona, tash është shndërruar në lloj simfonie, është adaptuar edhe për orkestër simfonike, por edhe frymore. Përndryshe kjo ka qenë e shkruar për orkestër harqesh dhe violinë, por Hajrullahu e ka adaptuar dhe riaranzhuar për klarinetë dhe orkestër frymore”, ka thënë ai. Për tri javë prova janë munduar ta adaptojnë ashtu siç duhet.

“‘Baresha’ na fle në shpirt, po shpresoj që s’ka me qenë hera e fundit me orkestër frymore”, ka thënë ai.

Dirigjentja Lirjona Sylejmani ka vlerësuar se ky formacion ka qenë tërësisht në përbërje profesionale.

“Kanë qenë ditë shumë të ngarkuara me prova intensive, sigurisht ia ka vlejtur se tre dirigjentët e kemi shijuar natën e sontme”, ka thënë ajo.

Muzikologia Rreze Breznica e ka vlerësuar programin si atraktiv, sfidues dhe dëshmi e një pune të shkëlqyeshme.

“Ne si publik jashtë komunitetit artistik po besoj që kohëve të fundit na ka munguar një program i tillë, vijmë, dëgjojmë, relaksohemi dhe dalim me përshtypje shumë të mira”, ka thënë ajo.

Për të përshtypje i bën inkuadrimi i “Bareshës”, si një “vepër antologjike që në çfarëdo formati funksionon”.

“Më e rëndësishme për ne është kur arrijmë të evidentojmë një numër kaq të madh të interpretuesve, nga gjeneratat edhe nga të parat e deri te studentët që sot janë gjeneratë mjaft premtuese e së ardhmes”, ka thënë Breznica.

ImageKulmimi i gjithë koncertit ishte aranzhimi i “Bareshës” së Rexho Mulliqit nga Hajrullah Syla. Me version të ripërpunuar e me lojën plot mjeshtri të klarinetistit Shkumbin Bajraktari, vepra e cila është identifikim për muzikën shqiptare, mori edhe një freskim profesional, i cili do të mbahet mend gjatë