Kulturë

“Sunny Hill Festival” nis shitjen e biletave, por jo gjithçka shkon siç duhet

Festivali më i madh në Kosovë dhe njëri më të mëdhenjtë në Ballkan, “Sunny Hill Festival” ka filluar shitjen e biletave të njohura si “Believer”, të premten mbrëma. Por shitja e tyre, bazuar në komentet e bëra në postimin e fundit të faqes zyrtare të “Sunny Hillit”, në Instagram, nuk ka shkuar siç duhet. Komentues të shumtë janë ankuar se nuk kanë pranuar konfirmim nëpërmjet e-mailit ndonëse paratë për blerjen e biletave janë tërhequr.

“Të njëjtin problem e kam edhe unë. Dy bileta i kam marrë edhe nuk më ka ardhë asnjë email. Transferi është kry se paret mi ka marrë”, ka shkruar një komentuese.

E-mailat e konfirmimit kanë humbur drejtimin e tyre dhe në vend se të shkojnë tek emri i atij, bileta të cilit i takon, ka shkuar te një blerës tjetër. Ka pasur edhe të tillë që, ndonëse nuk kanë bërë blerjen e asnjë bilete, kanë pranuar një-dy apo edhe më shumë bileta të personave të cilët kanë paguar për to.

Shumë shpejt biletapaguesit e kanë kuptuar këtë gjë dhe nëpërmjet komenteve në postimin e fundit të “Sunny Hill Festivalit”, në Instgram, kanë filluar shkëmbimin e tyre, duke marrë secili biletën që i takon.

Ndërkohë vetë organizatorët e festivalit “Sunny Hill”, kanë dalë shumë shpejt me një deklaratë ku kanë thënë se e gjithë kjo ka ndodhur si pasojë e interesimit të madh të atyre që kanë dashur t’i blejnë biletat dhe kjo ka shkaktuar rënien e sistemit të shitjes. Ata kanë premtuar që secili qytetar, i cili deri tani nuk ka pranuar email-konfirmimin, do ta pranojë atë së shpejti.

“Si pasojë e interesimit të madh të kërkesave për biletat ‘Believer’, sistemi ynë ka hasur në një problem i cili ka bërë që, disa nga ju, të mos i pranoni biletat, ashtu siç duhet. Ne ju sigurojmë se të gjithë ju do t’i merrni biletat, derisa ne jemi duke punuar për ta zgjidhur këtë problem”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga “Sunny Hill Festival”.

Këtë vit edicioni i tretë “Sunny Hill” do të mbahet në katër ditët e muajit gusht, në datat 4,5,6 dhe 7. Siç njofton edhe faqja zyrtare, biletat “Believer” do të kushtojnë 70 euro, ato “Early Bird Ticket” 100 euro, “Regular Ticket” 120 euro dhe bileta më e shtrenjtë do të jetë ajo VIP, 250 euro. Vitin e kaluar, “Sunny Hill Festival” u anulua për shkak të pandemisë. Sivjet është edicioni i tretë dhe ndryshe nga edicionet e kaluara në parkun “Gërmia”, sivjet do të mbahet në Bërnicë të Poshtme.