Kulturë

Raporti për Novobërdën: Materiali arkeologjik, ilegalisht në Beograd

Kalaja e Novobërdës - kontrabandimi me artefakte

“Meqenëse përmbushen elementet e veprave penale, MKRS-ja duhet të iniciojë procedurën penale në organet e ndjekjes ndaj përgjegjësve të dëmeve të shkaktuara përgjatë punimeve dhe gërmimeve arkeologjike”, është njëri prej rekomandimeve që Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ia bën Ministrisë së Kulturës për rastin e Kalasë së Novobërdës dhe artefaktet që prej aty u kontrabanduan në Beograd. I njëjti organ kërkon që nëpërmjet “UNESCO-s të kërkohet kthimi i tyre në vendin e origjinës”. Një muaj ka pritur MKRS-ja që t’i konfirmohet rasti që u bë i ditur nëpërmjet KOHË-s, kur pesë autorë nga Serbia botuan punim shkencor për materialet arkeologjike të marra prej Kalasë së Novobërdës

Ministrisë së Kulturës, edhe zyrtarisht nëpërmjet institucioneve të veta, i është konfirmuar kontrabandimi i artefakteve nga Kalaja e Novobërdës në Beograd. Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore me raport të detajuar ia bën të qartë rastin. Në këtë dokument, të cilin MKRS-ja e ka pranuar të premten e javës së kaluar, jepen detaje se si nuk janë respektuar procedurat ligjore në rastin e marrjes së materialit arkeologjik nga Kalaja e Novobërdës. Në raportin prej 16 faqesh jepen edhe rekomandime se si duhet të veprojë MKRS-ja. Ndër to i rekomandohet të iniciojë procedurën penale në organet e ndjekjes.

“Meqenëse përmbushen elementet e veprave penale, MKRS-ja duhet të iniciojë procedurën penale në organet e ndjekjes ndaj përgjegjësve të dëmeve të shkaktuara përgjatë punimeve dhe gërmimeve arkeologjike”, shkruhet në raport. Po aty, te pjesa e rekomandimeve shkruhet se “pas evidentimit të hollësishëm të dëmeve, përfshirë edhe të gjetjeve arkeologjike të nxjerra jashtë vendit, përmes UNESCO-s të kërkohet kthimi i tyre në vendin e origjinës”.

Ky dokument rikonfirmon atë që ka raportuar KOHA me 28 mars të këtij viti. Më pas me 31 mars, kabineti i ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, i ka kërkuar Inspektoratit që ta shqyrtojë dhe verifikojë rastin. Kontrabandimi i artefakteve u shpërfaq nëpërmjet botimit shkencor të autorëve nga Serbia, bazuar në materialet arkeologjike që ishin marrë prej Kalasë së Novobërdës, e cila iu besua kompanisë serbe, me projektin e restaurimit dhe konservimit të vitit 2015-2016 të administruar nga UNESCO-ja.

Revista “Journal of Archaeological Science” ka publikuar studimin “Mummified animal skin with tar content from the castle of the late medieval toën of Novo Brdo (Central Balkans)” të pesë autorëve nga Serbia, të cilët për punën e tyre janë mbështetur financiarisht nga Qeveria e Serbisë.

Më 2015, kompania “KOTO”, e përzgjedhur nga UNESCO, kishte nisur punimet për restaurimin e Kalasë së Novobërdës. Projekti qe financuar me një milion euro nga BE-ja, kurse implementimi dhe mbikëqyrja janë bërë nga UNESCO. Puna ka rezultuar me shumë defekte, të cilat ende nuk janë riparuar. Gjatë kësaj kohe edhe është bërë bartja ilegale e materialit arkeologjik për në Beograd.

Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore në Raport shkruan se institucionet e Serbisë, Instituti Arkeologjik i Serbisë, Muzeu Kombëtar në Beograd, Fakulteti i Teknologjisë në Beograd dhe Universiteti i Novi Sadit kanë bërë analizën e një mostre arkeologjike të periudhës së mesjetës së vonë, lëkurë e mumifikuar e kafshëve me përmbajtje katrani.

“Kjo mostër arkeologjike nga vendi i origjinës është nxjerrë dhe bartur jashtë vendit në mënyrë ilegale nga lokaliteti arkeologjik shumështresor, pa dijeninë dhe lejen e institucioneve kompetente të Republikës së Kosovës”, shkruhet në raport. Aty shkruhet se më pas në dhjetor të vitit 2021 punimi është botuar në revistën prestigjioze ndërkombëtare. Në raport konstatohet se gjatë punimeve për konservimin dhe restaurimin e Kalasë, “gërmimet arkeologjike janë ndërmarrë pa leje të institucioneve kompetente apo ndonjë ndalesë eventuale nga përgjegjësit e mbikëqyrjes së punimeve”. Po ashtu konstatohet se gërmimet në hapësirën shumështresore arkeologjike kanë lënë mundësinë e marrjes dhe bartjes së gjetjeve arkeologjike pa autorizim nga institucionet kompetente.

Inspektorët kanë sqaruar se, sipas Ligjit për trashëgimi kulturore, objekti i trashëgimisë së luajtshme nën mbrojtje mund të qarkullojë jashtë Kosovës vetëm me leje së shkruar nga ministri i Kulturës.

“Nuk ekziston ndonjë vendim nga ministri me të cilin është lejuar qarkullimi i këtyre gjetjeve arkeologjike”, shkruhet në raport. Aty sqarohet se përvetësimi i objekteve gjatë hulumtimeve arkeologjike dënohet edhe me Kodin penal të Kosovës.

Inspektorët Gjejlane Hoxha, Pajtim Zogaj e Labëri Dakaj po ashtu konstatojnë se mostrat arkeologjike janë kontrabanduar.

Treshja i ka rekomanduar Ministrisë së Kulturës që të themelohet një grup i punës me ekspertë edhe ndërkombëtarë për evidentimin e të gjitha dëmtimeve që kanë ndodhur në këtë lokalitet arkeologjik, përfshirë edhe gjetjet arkeologjike të nxjerra jashtë vendit.

Sipas asaj që ka marrë vesh gazeta, gjatë javës MKRS-ja do t’i përgjigjet stafit të revistës “Journal of Archaeological Science”. Stafi i revistës menjëherë pas raportimit të KOHËS i është drejtuar redaksisë e më pas edhe institucioneve.

Redaktori i artikullit, biologu Chris Hunt, profesor në universitetin “John Moores” në Liverpool, ka treguar gatishmëri që nëse institucionet kosovare deklarojnë se materiali arkeologjik është dërguar jashtëligjshëm në Beograd, stafi i revistës do të reagojë.

Sipas tij, institucionet kanë bërë të ditur se kanë pranuar shkresat, por ende nuk u janë përgjigjur.

“Kështu që ne duhet të vijmë në përfundim se autoritetet e Kosovës nuk ishin në gjendje të vërtetonin veprimin e keq”, kishte thënë ai në fund të javës së kaluar. Hunt kishte bërë të ditur se kanë kontaktuar autorët e punimit shkencor.

Nemanja Markoviq, punonjës i Institutit Arkeologjik në Beograd, bashkë me kolegen Vesna Bikiq, punonjëse e Muzeut Kombëtar në Beograd, Zheljka Temerinski e dy ligjërueset në Universitetin e Novi-Sadit, Snezhana Vuçetiq e Jonjaua Ranogajec, janë autorë të punimit që është financuar nga Ministria e Arsimit dhe ajo e Kulturës në Serbi.

“Kam kontaktuar edhe me autorët, të cilët janë mërzitur shumë nga akuza. Duket se konsulenti përgjegjës për restaurimin në Novobërdë (i cili ishte ish-koleg i njërit prej autorëve) ua ka dhënë atyre materialet arkeologjike për analizë. Ata i analizuan dhe i publikuan materialet, duke besuar se transferimi nga Kosova në Serbi ishte legjitim dhe me shpresën që materialet të ktheheshin në Muzeun e Kosovës pas përfundimit të analizave”, kishte thënë Hunt. Në punim, autorët falënderojnë arkeologun e Institutit Arkeologjik të Serbisë, Marko Popoviq, për krijimin e qasjes dhe mbështetjen në analizimin dhe publikimin e materialit. Popoviq, i cili vdiq në vitin 2020, ishte studiues i arkeologjisë mesjetare dhe ka qenë i ngarkuar si mbikëqyrës në punimet që janë zhvilluar në Kalanë e Novobërdës.

Hunt ka përmendur faktin se Popoviq ka vdekur dhe, sipas tij, materiali ka mbetur pa u kthyer në Kosovë.

“Autorët me sa duket po kërkojnë që materialet t'i kthehen Muzeut të Kosovës. Në këto rrethana ne mendojmë se nuk do të ishte e drejtë të hiqnim publikimin nga ueb-faqja jonë. Shpresojmë që transferimi i materialeve në Muzeun e Kosovës të jetë i mundshëm në të ardhmen e afërt”, kishte thënë ai.

Në fund të marsit MKRS-ja ishte përgjigjur duke thënë se ky institucion e ka të rëndësishme që të konfirmojë me saktësi dokumentare faktin e nxjerrjes jashtë territorit shtetëror të artefakteve që janë gjetur gjatë zbatimit të projektit të restaurimit të Kalasë së Novobërdës.

E pas insistimit të KOHËS, në emër të kompanisë “KOTO”, zyrtari ligjor, Darko Gligorijeviq, kishte thënë se UNESCO-ja ka qenë zbatuese e procedurës së prokurimit dhe se në përputhje me rolin e saj ka marrë të gjitha lejet e nevojshme për punime konservuese dhe restauruese. Kishte treguar se në disa raste shumë gjetje arkeologjike i janë dorëzuar Institutit Arkeologjik të Kosovës.

Sipas Gligorijeviq, i cili Kosovës i referohet me fusnotë, në dy raste “kompania ka dorëzuar në Institutin Arkeologjik të Kosovës* disa gjetje të luajtshme të gjetura gjatë punimeve arkeologjike në projektin në fjalë”. Ka thënë se më 6 nëntor 2015 IAK-ut i janë dorëzuar një listë me 36 gjetje arkeologjike. Po atë ditë, sipas Gligorijeviqit, janë dorëzuar edhe lista e topave prej guri me 22 gjetje dhe 29 thasë material qeramike. Sipas tij, më 26 nëntor 2016 janë dorëzuar gjetje metali, kocka, fragmente qelqi e qeramike, si dhe tri fragmente afreskesh.

“E gjithë kjo flet në favor të faktit se të gjitha punimet i kemi kryer në përputhje me lejet dhe rregulloret e vlefshme”, kishte thënë Gligorijeviq.

Por “KOTO” prapë nuk ka pasur përgjigje në pyetjet direke: me çfarë leje janë dërguar artefaktet në Beograd dhe po ashtu me çfarë leje bëhet studimi i tyre.

Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore në Raport, e elaboron edhe punën joprofesionale në Kalanë e Novobërdës. Ngrit dyshime se prej aty mund të jenë bartur për në Serbi më shumë gjetje arkeologjike, sesa ato që kompania nga Beogradi ia ka dorëzuar Institutit Arkeologjik të Kosovës.

Zyra e BE-së ka sqaruar se gjatë punimeve janë zbuluar mbetje të rëndësishme arkeologjike; si dy objekte banimi, një ndërtesë për komandantin e asaj hapësire, një kishë, më pas një hamam i vogël me oxhak e po ashtu edhe sistemi i ngrohjes prej hipokausti.

E Zyra Rajonale e UNESCO-s në Sarajevë nuk është përgjigjur asnjëherë rreth kësaj çështjeje.