Prizreni restauron monumente, konsiderohet hap i vonuar por i qëlluar

16 korrik 2017 22:01

Projektet për intervenime emergjente në Qendrën Historike të Prizrenit kanë filluar të implementohen.

Posta e vjetër e qytetit dhe shtëpia e familjes Zhuriq, janë disa nga objektet e vjetra që janë duke u restauruar, raporton KTV.

Shoqëria civile e konsideron hap të vonuar por të duhur.

Nga organizata “Ec ma ndryshe”, e cila vazhdimisht ka qenë kritike për degradimin që po bëhet në këtë zonë, thonë se ka qenë koha e fundit që të bëhet diçka për Qendrën Historike.

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore, e cila është duke bërë implementimin e këtyre projekteve, ka më shumë se 500 mijë euro buxhet për përfundimin e tyre, të ndara qysh nga viti i kaluar nga Ministria e Kulturës.

Drejtuesit e QRTK-së thonë se disa nga projektet tashmë kanë përfunduar.

Një nga to është edhe xhamia e Myderriz Ali Efendiut, derisa në proces është edhe projekti për restaurimin dhe rregullimin e krojeve publike.

Hoxha ka thënë se janë gjithsej 20 projekte, të cilat pret që të përfundohen brenda këtij viti.

Ndërhyrjet në këtë qendër historike, e cila mbrohet me ligj të veçantë, u përshpejtuan pas rastit të Xheneta Gashit, e cila humbi jetën pas shembjes së një muri të një shtëpie në këtë zonë, vitin e kaluar.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme