Kulturë

“Rrëfimet e grave” për fuqizimin e mendimit feminist te komuniteti rom

Martesat e hershme, privimi nga arsimi, përdhunimet e të tjera janë fatet tragjike që portretizohen në “Rrëfimet e grave”, që u dha në shtëpinë e kulturës, “Xhemajli Berisha” në Prizren

Teatri amator rom “Nexhip Menekshe” si pjesë e aktiviteteve për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve sivjet ka realizuar dramën “Rrëfimet e grave”, që flet për shtypjen shekullore të grave. Sipas bartësve të këtij projekti, këto rrëfime janë marrë nga jeta reale dhe vijnë si përpjekje për të fuqizuar mendimin feminist te komuniteti rom, por edhe një solidarizim me të gjitha gratë

Shtypja e grave, që ka prodhuar shumë tragjedi, është shpalosur të enjten mbrëma në Prizren, në shfaqjen e titulluar “Rrëfimet e grave” me regjinë e Tanser Kervan. Kjo dramë që sjell një përmbledhje të ngjarjeve të vërteta mbi fatet fatale të grave është realizuar nga teatri amator rom “Nexhip Menekshe”, si pjesë e aktiviteteve për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve. Kësisoj aktivistët e këtij komuniteti kanë vazhduar traditën shumëvjeçare, por kësaj here me përpjekjen për të fuqizuar edhe mendimin feminist te komuniteti rom.

Të gjitha historitë e grave të inskenuara në këtë dramë janë marrë nga jeta reale, duke rrëfyer kështu historinë mallëngjyese të grave që kryesisht lexohet në kronikën e zezë, dhe që fatkeqësisht konsiderohen si ndodhi normale.

Martesat e hershme, privimi nga arsimi, përdhunimet e të tjera janë fatet tragjike që portretizohen në këtë shfaqje, ku ngjarja kryesore zhvillohet në morg, teksa dy aktoret në rolet kryesore – Gynesh Veshall dhe Melisa Menekshe – me interpretimet e tyre emocionojnë publikun e pranishëm. E para paraqitet në rolin e pastrueses së morgut, teksa Menekshe është njëra prej katër kufomave të shtrira në skenë.

Punonjësja në morg, në komunikimin e saj me kufomat, i sjell ndërmend publikut presionin e ushtruar mbi vajzat rreth shkollimit “që të bëhen lavire”, për mos shprehjen e mendimeve të tyre, për mosdaljen jashtë, për martesat kundër vullnetit të tyre, për dhunën fizike e të tjera. “Sa herë që flasin këto gra të vdekura tek unë ndizet një vullkan”, thotë ajo, teksa përkujton se gratë janë ato që i japin kuptim kësaj jete. Në fund të lojës, asaj i bashkohen të katër kufomat dhe njëzëri drejtojnë lutjen: “Oj botë, ne jemi të pafajshme”.

premierës, aktorja Veshall ka shprehur qëndrimin se realizimi i kësaj drame ka qenë sfidues meqë ndjenjat kanë qenë të thella dhe asnjëra nga provat nuk ka kaluar pa lot, marrë për bazë shkallën e shtypjes së grave.

“Po na vjen mirë që kemi arritur një qëllim që të tjerët s’kanë mundur, për shkak se teatri rom ‘Nexhip Menekshe’ për herë të parë e ka marrë këtë temë për bazë, edhe i ka treguar publikut rom mbi gratë, i ka vetëdijesuar për të drejtat e tyre, e ka adaptuar publikun rom me një send tjetër, kështu që shpresojmë që i ka pëlqyer publikut”, ka thënë ajo.

regjisori Tansu Kervan ka thënë se publiku ka parë shumë sekuenca që kanë dhënë porosi për shtypjen e grave nëpër sferat kryesore. “Mesazhi kryesor edhe qëllimi kryesor ka qenë ajo pjesa e fundit ku gruaja e gjallë i merr prapa vetes kufomat dhe thonë ne jemi nëna, ne jemi motra, dhe se nuk jemi ndryshe nga burrat. Këtë duhet ta shohim si shoqëri, por fatkeqësisht nuk po e shohim. Prandaj, ne këtë po mundohemi ta pasqyrojmë përmes artit”, ka deklaruar Kervan.

Njëri prej organizatorëve të teatrit rom, Fatmir Menekshe, ka thënë se praktika e shfrytëzimit të teatrit si medium për përçimin e porosive ndërgjegjesuese për komunitetin dhe të tjerët po vazhdon, dhe se këtë herë ‘këmishën tragjike’ e ka veshur edhe teatri rom, për të fuqizuar mendimin feminist te komuniteti rom.

“Vetëm në këtë dramë, ajo që ka qenë rome kanë qenë vetë artistët edhe gjuha, kurse problemi ose tema nuk ka pasur identitet në këtë rast apo nacionalitet. Kjo është për të gjitha gratë njësoj, janë vuajtjet, dhimbjet, historitë e vërteta të grave në të gjithë botën edhe me shpresë se përmes kësaj drame po solidarizohemi me të gjitha gratë që kanë vdekur, janë përdhunuar, janë keqtrajtuar e maltretuar nga burrat”, është shprehur ai.

Teatri rom i Prizrenit tradicionalisht ka shënuar 8 prillin - Ditën Ndërkombëtare të Romëve me një shfaqje teatrore, me artistët romë, në gjuhën rome dhe për publikun rom. Dita Ndërkombëtare e Romëve shënohet më 8 prill, pasi që në këtë datë është mbajtur Kongresi i parë botëror i Romëve në vitin 1971. Në këtë ditë, kremtohen kultura, historia dhe gjuha rome.