Kulturë

Aleksandër Moisiu në Beograd

Descriptive Text

Beograd, 4 shkurt 1932 (Politika) - Të hënën në Beograd arrin aktori i famshëm gjerman Aleksandër Moisiu, bashkë me trupën e tij teatrore.

Siç është paralajmëruar, ai në Beograd do të paraqitet në dy shfaqje. Aleksandër Moisiu, është njëri ndër aktorët më të njohur në kohët e tanishme. Veçohet sidomos në interpretimin e roleve të vështira të personazheve tragjike.

Moisiu ka zë të shkëlqyeshëm dhe kur ai interpreton, njëherësh duket se edhe këndon. Moisiu do të zbresë para publikut beogradas në rolet e tij ndër më të bukurat.

Të shtunën më 6 shkurt (1932) ai do të luajë në shfaqjen “Jederman” të autorit Hugo Hofmannsthall. Këtë rol Moisiu e luan për dhjetë vjet rresht në Salzburg. Me mijëra shikues të huaj arrijnë në manifestimin e Salzburgut, për ta parë dhe për ta dëgjuar Moisiun.

Regjinë e “Jedermanit” e ka bërë Rikard Mecll. Të dielën Moisiu e luan Fegja Protasovin në “Kufoma e gjallë” të Tolstoit. Moisiu e përjeton dhe e kupton thellë artin rus. Ai është i njohur për kreativitetin e tij në rolin e muzhikëve, në pjesët teatrale të Tolstoit.

Moisiu ka qëndruar edhe në Rusi, dhe ka triumfuar atje sidomos në kohën e para Luftës së Parë Botërore, ndërsa për herë të fundit ai ka qëndruar në Moskë në vitin 1925-1926. Rolet e tij janë të pafundme. Shquhet kur e interpreton Hamletin, Osvaldon, Franc Morin e të tjerë.

Kohët e fundit, Moisiu është shquar edhe si autor i dramës. Drama e tij “I robëruari” ngjarja e së cilës është vendosur në kohën e Napoleonit, ka korrur suksese sensacionale në Hamburg e Berlin, me Basermanin në rolin kryesor. Ansambli teatror i Aleksandër Moisiut, përbëhet nga anëtarët e Teatrit të Rajnhartit dhe të Volksteatrit të Vjenës. (Detaje të tjera të shkrimeve të 4 e 7 shkurtit të vitit 1932 të gazetës Politika mund t’i gjeni në artikullin e përgatitur nga Skënder Latifi, në numrin e sotëm të Kohës Ditore)