Kulturë

Petrit Halilaj në Paris zbërthen “Historinë e një përqafimi”

Është një korb i bardhë që mban një strumbullar sane. Me “Historinë e një përqafimi”, Petrit Halilaj artistikisht zbërthen rrëfimin që zanafillën e ka te një histori që ia ka treguar gjyshi i tij. Përmes saj theksohen pamundësia për të shprehur ndjenjat pa qenë i gjykuar dhe vështirësitë që has njeriu për t’u pranuar nga rrethi kur vendos t’i shfaqë ato

Kudo ku prezantohet artisti Petrit Halilaj, vendlindja e tij Kosova merr vëmendjen. Së fundmi me veprën “Historia e një përqafimi” (History of Hug) është bërë pjesë e ekspozitës së përbashkët “Ditët e bardha” (“Jours blancs”) në galerinë parisiene “Kamel Mennour”. Ai është i interesuar që të transformojë çështje nga jeta e tij në vepra arti. Duke e bërë këtë reflekton mbi potencialin e artit dhe fuqinë e tij për ta transformuar realitetin. Kjo del në pah edhe në ekspozitën që u hap më 18 tetor dhe mund të vizitohet deri më 29 janar të vitit që vjen.

Galeria “Kamel Mennour” përmes kësaj ekspozite bën bashkë veprat e 23 artistëve. Përveç Halilajt, aty ekspozojnë edhe Jean Arp, James Bishop, Marie Bovo, Daniel Buren, James Lee Byars, Pier Paolo Calzolari, Dadamaino, Jean Degottex, Jean Dubuffet, Latifa Echakhch, Michel François, Douglas Gordon, Ann Veronica Janssens, Anish Kapoor, Tadashi Kawamata, Bertrand Lavier, Lee Ufan, Piero Manzoni, François Morellet, Christodoulos Panayiotou, Robert Ryman dhe Antoni Tàpies.

Ekspozita zë vend në të dy hapësirat ekspozuese të Galerisë. Për ta shikuar të plotë duhet kaluar nga Galeria numër 47 në rrugën “Saint-André-des-Arts”, te Galeria numër 28 në rrugën “Matignon”. Është e qasshme edhe online.

Titulli i ekspozitës “Ditët e bardha” është huazuar nga një seri e fotografive nga Marie Bovo, të gjitha të realizuara në vitin 2021 gjatë netëve të ndritshme në Lofoten, përtej ciklit polar të Norvegjisë. Ekspozita është konceptuar si një eksplorim i ngjyrës së bardhë, e cila natyrisht është e prodhuar si një kombinim i të gjitha ngjyrave në spektrin e dritës.

Sipas përshkrimit të galerisë, vizitori është i ftuar të endet nëpër hapësirat e papërlyera, të ngrira të galerisë, si një faqe e zbrazët, mbi të cilën veprat shpalosin historitë e tyre të ndryshme.

“Më shumë se kurrë, kjo është hapësira e ‘Kubit të bardhë’, një ekran poetik, një fushë e shndritshme, e bardhë-qumështore për mundësitë që na joshin të reflektojmë dhe të ëndërrojmë. Është një botë e çuditshme, lundruese, në kufirin e jashtëm të ngjyrës, dritës dhe temperaturës”, është shkruar aty.

Halilaj ka ndarë detaje edhe për skulpturën “Historia e një përqafimi”- një korb i bardhë që mban një strumbullar sane. Përmes saj theksohen pamundësia për të shprehur ndjenjat pa qenë i gjykuar dhe vështirësitë që has njeriu për t’u pranuar nga rrethi kur i shfaq ato.

“Strumbullari shpërfaq një histori të veçantë familjare, ishte vegël pune e gjyshit tim dhe është druri që ai po e mbante në duar kur mësoi se gruaja do t’i lindte fëmijën e parë. Në pamundësi për të shprehur në publik gëzimin e tij, që mund të ishte interpretuar si një shenjë e dobësisë në atë kohë, ai e përqafoi drurin me gjithë fuqinë e tij, duke menduar se për pak mund ta kishte thyer”, ka thënë ai.

Ka treguar se gjyshi i tij, Osman Halilaj, e kishte ruajtur atë strumbullar për 60 vjet dhe rrëfimin për të ia kishte treguar nipit të tij, tani artist me famë ndërkombëtare.

“Kamel Mennour” është një galeri dedikuar artit modern dhe udhëhiqet nga agjenti i artit, Kamel Mennour, e themeluar në vitin 1999. Për më shumë se 20 vjet bën bashkë artistë të njohur në 5 hapësirat e tij ekspozuese (katër në Paris dhe një në Londër). Qëllimi i galerisë është të zbulojë dhe të shfaqë punën e artistëve që janë në fillim të karrierës së tyre, por edhe të tillë që tashmë kanë etabluar emrin e tyre në fushën e artit.

Vepra “Historia e një përqafimi” për herë të parë u shfaq në kuadër të ekspozitës personale të artistit në Spanjë. Artisti kosovar, Petrit Halilaj, kishte krijuar një botë të re për ekspozitën në “Pallatin e Kristaltë” të Madridit. Nëpërmjet skulpturave dhe intervenimit që kishte bërë në “Pallatin e Kristaltë” e kishte shndërruar hapësirën në një fole gjigante që lidhte enterierin me ambientin e jashtëm. “Një korb dhe uraganet që nga vendet e panjohura rikthejnë erëra të njerëzve të dashuruar”, e kishte titulluar ekspozitën, bartëse e së cilës qe muzeu “Reina Sofia”, nja tre kilometra larg objektit unik ku Halilaj shpalos artin e tij.

Për realizimin e saj kishte përdorur një gamë të gjerë elementesh, përmes të cilave ka eksploruar temat, si shtëpia, kombi, dashuria dhe identiteti kulturor. Ekspozita e hapur më 15 korrik të 2020-s qëndroi për publikun deri më 28 shkurt të vitit 2021. Atëherë në komunikatën për media ishte shkruar se për artistin “korbi i bardhë sugjeron diversitet dhe rezistencë për të ndryshuar sa për t’u pranuar në shoqëri. Në këtë kuptim është metaforë e shumë gjërave, përfshirë të jesh homoseksual dashuria e të cilit nuk është plotësisht e pranueshme as nga familja e as nga shumica e shoqërisë në Kosovë, dhe të jesh nga Kosova, një shteti të cilit nuk i njihet shtetësia nga shumë vende të tjera, mes tyre edhe nga Spanja”.

Halilaj së fundi ka hapur ekspozitën e tij personale “Very volcanic over this green feather” (Shumë vullkanik mbi këtë pendë të gjelbër) në “Tate St Ives” në Angli. Pikënisje ishin 38 vizatime që i kishte realizuar si refugjat në kampin e Kukësit më 1999. Aty bëheshin bashkë kujtime skenash të llahtarshme e peizazhe përrallore. Realiteti e imagjinata përplaseshin keqas. Tash, Petrit Halilaj, njëri prej artistëve më të shquar shqiptarë, u kthehet atyre shenjave tek i deshifron në ekspozitën e tij personale.

“Unë jam përpjekur të gjej një gjuhë që lidh elementin biografik dhe historinë lokale të Kosovës me kujtesën kolektive të popullit tonë, dhe gjithashtu me kujtesën kolektive të konflikteve në shkallë globale”, kishte thënë Halilaj për KOHËN. Kjo ekspozitë është e hapur deri më 16 janar të 2022-s.

Halilaj ishte artisti i cili e përfaqësoi Kosovën në debutimin e saj në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia, në edicionin e 55-të më 2013. Po ashtu, ka marrë pjesë në Bienalen e 6-të të Berlinit (2010) dhe në Bienalen e 15-të të Lionit (2019). Ai ka paraqitur veprat e tij në ekspozita personale në muze dhe në qendra artistike të rëndësishme, sikur Hangar Bicocca (Milano, 2015), Bundeskunsthalle (Bon, 2015) dhe New Museum (New York, 2017).