Kulturë

“Vera andrron detin” dhe “Zgjoi” – rrëfimet nga Kosova që u shfaqën në Kajro

Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Kajro është i njohur në mbarë botën. Tash e 43 vjet bën bashkë emra të njohur të kinematografisë botërore. Këtë vit pjesë e Festivalit të kategorisë A janë edhe “Zgjoi” nën regji të Blerta Bashollit dhe “Vera andrron detin”. Ky i fundit është edhe në garë. Është pjesë e kategorisë më të dalluar të Festivalit, “Critics Week”

Edicioni i 43-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Kajro, që nisi së fundi në Shtëpinë Operistike të kryeqytetit të Egjiptit, është një nga me të vjetrit në atë rajon. Festivali i kategorisë A çdo herë bën bashkë artistë të njohur nga mbarë bota. Edicioni i sivjetmë nisi me filmin “Official Competition”, që u shfaq për herë të parë në Lindje të Mesme, pas premierës botërore që pati në Festivalin e Filmit në Venecia. Të pranishëm ishin edhe yjet e filmit, aktorja Penelope Cruz dhe aktori Antonio Banderas. Dita e hënë në një formë i takoi kinematografisë së Kosovës. U shfaqën dy filma me regjisore nga Kosova, që u bënë pjesë e këtij edicioni.

Në orën 12:30 në teatrin “Hangager” u shfaq “Zgjoi”, nën regji të Blerta Bashollit. Ai është pjesë e programit zyrtar jashtë garës bashkë me 10 filma të tjerë. E nga 20:30 në teatrin “Small” nisi shfaqja e filmit “Vera andrron detin” i regjisores Kaltrina Krasniqi. Filmi është në garë në kuadër të kategorisë “Critics Week” bashkë me 6 filma të tjerë. Edicioni i sivjetmë që nisi më 26 nëntor përfundon më 5 dhjetor.

“Vera andrron detin” është një dramë gjysmëbiografike e regjisores Krasniqi. I ndërtuar rreth eksperiencës së vërtetë të nënës së regjisores, filmi ka në fokus një interpretuese të gjuhës së shenjave, Verën (Teuta Ajdini-Jegeni), e cila detyrohet të luftojë kundër patriarkatit për të fituar trashëgiminë e burrit të saj, Fatmirit (Xhevat Qorraj). Pasi që Fatmiri vret veten, ajo mund të humbë shtëpinë të cilën dëshiron t’ia lërë vajzës së saj.

Regjisorja Krasniqi ka thënë se pjesëmarrja në këtë festival është një përmbyllje shumë e mirë për këtë vit.

“’Vera andrron detin’ po e mbyll vitin në festivalin e madh të Kajros në kuadër të garës ‘Critics Week’. Për një kohë të shkurtër filmi ka përshkuar të gjitha kontinentet dhe kjo me nderon shumë. Shpresoj se i njëjti hov të na përcjellë në vitin e ardhshëm”, ka thënë ajo.

“Vera andrron detin” javën e kaluar bëri histori. Krasniqi u bë regjisorja e parë që mori çmimin kryesor të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tokio dhe për herë të parë vendi ishte në garën zyrtare të këtij festivali prestigjioz.

Filmi me skenar nga Doruntina Basha premierën e pati në një ndër festivalet më të vjetra dhe më të mira në botë, në Festivalin e Filmit në Venecia në shtator të këtij vitit. Ishte në konkurrencën zyrtare në programin “Orizzonti”.

Publiku vendës ka pasur mundësinë që të shohë vetëm trailerin e filmit që zgjat 1 orë e 22 minuta. Premiera kombëtare akoma nuk është dhënë, përderisa filmi po vazhdon paraqitjen nëpër festivaleve me nam. Në anën tjetër “Zgjoi” pati premierën kombëtarë në “PriFilm Fest” në muajin gusht. Hiti i Kosovës në kinema, kandidati i Kosovës për “Oscar”, është edhe në kinema. Pos në “Cineplexx” të Prishtinë e të Prizrenit, mund të shihet edhe në “Cinemarine” po në Prizren.

“Zgjoi” shpalos rrëfimin e Fahrije Hotit dhe të grave nga Krusha e Madhe. Tregon rrëfimin e një gruaje që me gjithë pengesat krijon një jetë të re për veten e saj dhe për gratë e tjera.

Filmi triumfin më të madh e pati në SHBA. E nisi mbarë me tri çmime qysh në premierë botërore në shkurt – Çmimin e jurisë, atë për regjinë më të mirë dhe Çmimin e audiencës – në festivalin më të madh amerikan “Sundance Film Festival”.

E sipas producentit Yll Uka, sukseset e filmave kanë bërë që kinematografia e Kosovës këtë vit të jetë e patejkalueshme nga kuratorët e programeve.

“Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Kajro është një festival i kategorisë A dhe pjesëmarrja në të është pa dyshim shumë e rëndësishme për filmin. Jemi më të vërtetë të lumtur që filmi po vazhdon të shfaqet në festivalet që kanë nam. Po ashtu, na gëzon fakti që në këto festivale nuk jemi vetëm, por ka edhe filma të regjisorëve të tjerë nga Kosova. Kjo është dëshmi e punës së mirë që po bëhet në vend”, ka thënë ai.

Edicioni i sivjetmë sjell 9 premiera botërore të filmave të metrazhit të gjatë dhe 17 premiera botërore e 5 ndërkombëtare të filmave të metrazhit të shkurtër. Këtë vit 98 filma nga 63 vende të botës i japin imazh Festivalit.

Në total 44 filma do të kenë premierën e tyre MENA (MENA Premiere) – përfshirë “Zgjoin” dhe “Vera andrron detin” – ka thënë drejtuesi i Festivalit, Mohamed Hefzy, në një konferencë për media. Ka shtuar se këtë vit është gara ndërkombëtare, ajo regjionale e titulluar “Horizons of Arab Cinema” dhe një për filma të shkurtë. Por, sipas tij, më e shquara prej tyre është gara “Critics Week” – pjesë e së cilës është edhe “Vera andrron detin”. MENA (Middle East and North Africa) është shkurtesa me të cilën identifikohen vendet e Lindjes së Mesme dhe të Afrikës Veriore

“Kinemaja është një pasqyrë për kulturën tonë, dhe një nga mënyrat më të rëndësishme që ne të ndajmë kulturën tonë me pjesën tjetër të botës”, ka thënë Hefzy.

Për këtë edicion vlen të theksohet se Festivali ka pranuar më shumë se kurdoherë aplikime për filma të shkurtër. Po ashtu, do të shfaqë më shumë se asnjëherë më parë filma të këtij metrazhi. Hefzy ka treguar se kategoria e tyre garuese për filma të shkurtër është e vetmja në rajonin MENA dhe se ia shton vlerën fakti se është kualifikues për “Oscars”.