Kulturë

“Një jetë me këngën” në kujtim të doajenit të muzikës shqipe

Emri i tij ka mbetur vulë e muzikës popullore shqiptare. Ai ka qenë frymëzim dhe mbështetës për shumëkënd. Kënga e kujtimi për Qamilin e Vogël vazhdojnë të bëjnë bashkë këngëtarë nga të gjitha trojet shqiptare. Kësisoj ngjau edhe në koncertin “Një jetë me këngën”, në 30-vjetorin e vdekjes së tij, që risolli në Gjakovë, perlat që shënojnë muzikën shqipe

I ka kënduar gjatë dashurisë, mallit, dhimbjes shpirtërore, natyrës e atdheut. Sa herë që e ka bërë, ka lënë copëza të shpirtit në të. Është rritur bashkë me këngën dhe këtë e ka bërë pa pasur as edhe një ditë shkollim për muzikë. Madje, shumë vonë mësoi edhe shkrim-lexim si autodidakt, por zemra e tij foli nëpërmjet muzikës.

Qamili i Vogël, doajeni i muzikës popullore, la gjurmë të pashlyeshme në skenën dhe historinë e artit në vendet shqiptare. Ishte kantautori unik që ndjesitë personale i kthente në këngë dhe përmes melodive që u jepte zë, i dispononte gjeneratat. U lind më 1923 në Gjakovë, për të bërë një jetë mes disa qyteteve shqiptare në kërkim të muzikës. Rikthimin e tij në qytetin e Gjakovës e kurorëzoi me anëtarësimin në ansamblin e këngëve që asokohe udhëhiqej nga Ymer Riza. Pikërisht këtu e mori edhe emrin me të cilin u bë i njohur në skenë. Për t’u dalluar nga Qamili tjetër i grupit, ai me mbiemrin Riza, kantautori dhe këngëtarin e ri do ta pagëzonin si “Qamili i Vogël”. Pjesa tjetër është histori.

Në shënim të 30-vjetorit të vdekjes së tij, Ansambli i Këngëve dhe Valleve i Gjakovës organizoi koncertin “Një jetë me këngën”, të mbajtur mbrëmjen e së enjtes në Pallatin e Kulturës, “Asim Vokshi” në Gjakovë. I njëjti, premierën televizive do ta ketë të shtunën e 27 nëntorit, ekskluzivisht në Kohavision.

Potpuria “Të kam dashtë dhe të dua” interpretuar nga grupi i ansamblit, “Pa trashëgim paskëm kenë” nga Artan Bakija, “Maroma nji kafe” nga Shaban Baksi, “I vujtun jam” nga Ramadan Krasniqi-Dani, “Jare” nga Njazi Shala, “Pranvera nisi me dalë” nga Remzije Osmani, “Flet e tua drandofile” dhe “T’shitoft zana” nga Selajdin Miftari - Salushi, “Vëlla e motër Tërbeshi” nga Jeton Cërmjani, “Jabanxhi unë qëllova” nga Nezafete Shala, “Shkon bylbyli për hava” nga Xhavit Sadiku, “Hajde moj buzëburbuqe” nga Edi Furra, “M’agoj dita” nga Zenel Doli, “Ku po k’nojn këto dy kumria” nga Linda Hakaj, “Kadaldalë po vjen pleqnia” nga Riza Bytqyi, Potpuria “Lulebore” dhe “Kur më rrin karshi” nga Bujar Qamili, e krejt në fund “M’ka marrë malli me ndigu” nga grupi i këngëtarëve ia mundësoi publikut të shpërthejë me emocione në koncertin mbi një orësh, pavarësisht që katër këngëve të fundit u detyruan t’ia këndojnë vetëm nga një strofë për shkak të ndërprerjes së saj nga Policia e Kosovës për mosrespektim të masave anti-COVID.

Rrugë nga Shkodra, vullnetarisht, sapo kishte dëgjuar që po organizohet koncerti në nderim të tij, kishte marrë Bujar Qamili, i cili kur doli në skenë duartrokitjet e publikut e shoqëruan në çdo varg që këndoi.

“Të jem i sinqertë, ka qenë një nga emocionet më të mëdha gjatë gjithë jetës sime artistike”, ka thënë ai për KOHËN. “Unë i them Qamili i madh, kam ardhur me kënaqësinë më të madhe”.

Ndjesi të veçanta gjatë performimit ka thënë të ketë pasur edhe këngëtari gjakovar Edi Furra.

“Të jem i sinqertë kur isha në publik, në fillim nuk kisha emocione të veçanta, kur u afrua koha dhe kur filluan të shfaqeshin fotografi të tij në skenë, dy tri herë më ka ardhë me qajt”, ka thënë ai.

Pjesëmarrjen në koncertin përkujtimor e ka cilësuar si obligim moral këngëtari i muzikës popullore, Zenel Doli.

“Pata kënaqësi shumë të madhe që performova. Unë edhe kam bashkëpunuar shumë moti me të, e ndjeja si obligim të marr pjesë në këtë koncert. Qamilin e kam njohur gjithmonë si këngëtar dhe njeri të mirë”, ka thënë Doli.

“Kemi bërë aq sa kemi pasur mundësi”, ka thënë udhëheqësi artistik i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve të Gjakovës, Shkëlqim Rraci, që me gjashtë solistë dhe nëntë instrumentistë i qëndruan besnikë çdo pjese të koncertit.

“Më shumë emocione keni përjetuar ju, sesa ne, sepse ne e kemi këtë punë ndërkaq ju keni shijuar këngën dhe publikun. Besoj që çdo gjë ka qenë aq e bukur sa s’ka fjalë për ta përshkruar”, ka thënë Rraci, i cili për tre muaj ka mbajtur prova me anëtarët e Ansamblit.

Duartrokitjet në fund të koncertit nuk kishin të ndalur, pavarësisht që koncerti detyrimisht u përfundua më herët. Ndërkaq, ajo që i bashkoi çdo bashkëpunëtor dhe koleg të Qamil Muhaxherrit, ishte konfirmimi për bagazhin e madh artistik dhe muzikën e mirëfilltë që ka lënë pas.