Kulturë

Kamioni që shembi murin e Ambasadës gjermane në Tiranë kthehet në instalacion

Descriptive Text

Më 2 korrik të vitit 1990, Ylli Bodinaku së bashku me 40 njerëz në karrocerinë e kamionit të tij “Skoda Liaz” e shembi murin e Ambasadës së Gjermanisë.

Pas 27 vitesh bëhet ky instalacion, për t’iu kujtuar brezave të rinj, etjen e madhe të atyre njerëzve për liri dhe demokraci.

“Një shoku im ishte takuar me një punonjës të Ambasadës, që i kishte thënë hajdeni, por bjerini murit, nga dera nuk iu lejojnë të futeni. Dikush nga brenda Ambasadës na i bënte me pasqyrë, hajdeni. Me disa shokët e mi organizuam grupin. Unë shkova në shtëpi, mora fëmijët e gruan. Kisha edhe një qingj, që e mora gjithashtu”, tha Ylli Bodinaku, shoferi që shembi murin.

TCH: E mbani mend që ju goditi një tullë?

“Po, e kam ende shenjë sot. Mua nuk më lanë asnjë ditë të dal jashtë, rrija këtu te dhoma e ambasadorit të parë. Pastaj shkuam në Itali, e nga Italia në Gjermani”, thotë më tej ai.

TCH: Sa kohë jetuat në Gjermani?

“Në Gjermani 3 vite. Nuk i rashë murit se s’doja Shqipërinë, por sepse nuk doja regjimin”, rrëfen Bodinaku.

Pas atij veprimi, brenda në Ambasadë vërshuan qindra shiptarë që kërkonin të largoheshin nga Shqipëria e izoluar, e nga sistemi pothuaj gjysmëshekullor që iu kishte marrë të drejtat.

“Ato ditë kanë qenë tejet të vështira dhe dramatike. 12 ditë në të cilat ne kemi strehuar në territorin e Ambasadës rreth 3.300 shqiptarë, të cilët qëndruan aty. Dhe ajo ngjarje ka shënjuar në mënyrë të thellë marrëdhëniet kaq të mira dhe të ngushta të dy vendeve tona”, tha Susane Schutz, ambasadore e Gjermanisë.

“Besoj se një njeri që kërkon ndryshimin, nuk e kërkon vetëm njëherë në jetë, por çdo ditë të jetës së tij, qoftë edhe me këtë instalacion dhe këtë dhuratë për qytetin. Për të gjithë turistët, por edhe për ata që janë fëmijë, kjo është një mënyrë për të kujtuar që Shqipëria nuk është njësoj”, tha Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Kjo mirënjohje iu kushtohet sidomos diplomatëve dhe punonjësve të Ambasadës së Gjermanisë në atë kohë, të cilët sapo kishin mbërritur në Shqipëri, pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në vitin 1987.

{gallery}