Kulturë

Bibliotekat komunale nga 3 mijë euro për libra, presin investime madhore

Bazuar në vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka mbështetur financiarisht 29 biblioteka me nga 3 mijë euro për pasurimin e fondit librar. Disa nga drejtuesit e bibliotekave kanë thënë se kjo mbështetje bën që ata të jenë një hap më afër lexuesve, mirëpo Qeveria duhet t’i ndihmojë bibliotekat edhe për projektet e tyre më madhore. Sipas tyre, subvencionet e tilla nuk janë të mjaftueshme dhe bibliotekat mbesin të anashkaluara

Kërkesat e lexuesve për tituj të rinj janë çdo herë të pandalshme. Madje, ngjarjet e mëdha si “Nobeli” për letërsi – laureat i të cilit sivjet u zgjodh Abdulrazak Gurnah, shkrimtari tanzanian, i cili u shpërngul në Britani si refugjat në vitet ’60 – veç sa vënë në pah emra të rinj nga letërsia. Shkrimtari, i cili në Kosovë është krejt i panjohur, nuk ka vepra të tij në shqip. Mirëpo, edhe sikur ato të përkthehen, bibliotekave komunale do t’u duhet kohë për të pasur titujt e tij në raftet e tyre.

Fondi i tyre është i varur nga donacionet e subvencionet që marrin. Me të marrë ndonjë, i përvishen punës për të analizuar kërkesat e lexuesve të cilat çdoherë janë duke evoluar.

Këto ditë, 29 biblioteka komunale janë mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, bazuar në vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike, ato do të marrin nga 3 mijë euro për pasurimin e fondit librar. Buxheti i tërësishëm i ndarë për bibliotekat komunale është 87 mijë euro.

Mirëpo, një subvencion i tillë nga ana e Qeverisë veç sa ka vënë në pah kërkesat e tjera elementare të cilat i kanë këto biblioteka.

Lajmi për këto subvencione, Engjëll Berishën, drejtor i Bibliotekës së Gjakovës, “Ibrahim Rugova”, e ka gjetur duke lobuar e dërguar kërkesa për digjitalizim të bibliotekave komunale. Sipas tij, kjo është një nevojë e madhe dhe vetëm dy biblioteka komunale e kanë digjitalizimin: Biblioteka e Prizrenit dhe ajo e Prishtinës.

“Pasi që digjitalizimi është një projekt i madh, ne çdo herë kërkojmë ndihmë edhe prej Ministrisë edhe pse është obligim i komunave”, ka thënë ai gjersa ka folur edhe për subvencionin prej 3 mijë eurosh.

“Ne jetojmë prej donacioneve përmes të cilave i blejmë librat. Një pjesë gjithmonë e jep komuna e një pjesë Ministria, dhe kjo është një ndihmë shumë e madhe dhe e mirë pasi që kemi mungesë të librave dhe përmes kësaj e plotësojmë kërkesën e lexuesve pasi që po nuk patëm libra nuk kemi pse të funksionojmë”, ka thënë ai.

Ani pse institucioni bibliotekar që ajo drejton nuk e ka problemin e digjitalizimit, Sahadete Sadikaj, drejtoreshë e Bibliotekës së Prizrenit, ka thënë se ka shumë hapësira ku MKRS-ja mund t’i ndihmojë.

“Për neve si bibliotekë kjo shumë është shumë e mirëseardhur, duke e marrë parasysh pamundësinë që të furnizohemi me tituj të kërkuar, do të thotë që i kërkojnë lexuesit tanë qoftë ata shkencorë, por edhe tituj të tjerë të lëmenjve të tjerë që i kërkon biblioteka. Pra, për ne është shumë e mirëseardhur edhe kjo ndihmë, por edhe ndihmat e tjera që më herët i ka dhënë Ministria”, ka thënë ajo.

Mirëpo, ka shtuar se gjithsesi, janë projektet e ndryshme të cilat bibliotekat i realizojnë dhe do të kishte qenë një ndihmesë shumë e madhe nëse edhe në projekte ndihmohen prej Ministrisë së Kulturës.

“Po flas për këto biblioteka të cilat fillimisht kanë qenë në kuadër të Ministrisë dhe kemi pasur një organizmin shumë më funksional dhe më të duhur, kurse prej kohës së decentralizimit kur kanë kaluar në përgjegjësi komunale ndihma e Ministrisë ka qenë në furnizime të ndryshme apo ndonjë projekt të rrallë”, ka thënë ajo. Madje, ka treguar edhe një projekt të tillë në të cilin do të mund të ndihmoheshin e që ka rëndësi jo vetëm për Bibliotekën, Komunën e Prizrenit, por edhe për vendin.

“Për shembull, ne si Bibliotekë e Prizrenit kryesisht merremi edhe me hulumtimin e titujve të vjetër apo dorëshkrimeve të rralla, kështu që do të kishim pasur një ndihmesë të madhe nëse do të kishim edhe përkrahjen e Ministrisë që t’i hulumtojmë librat që janë akoma në duar të qytetarëve”, ka thënë Sadikaj, e cila ka treguar se i kanë bërë dy përmbledhje dhe janë në punim të të tretit.

Sipas pikës së dytë të nenit 13 të Ligjit për bibliotekat të vitit 2012, “Biblioteka komunale financohet nga buxheti i Komunës”. “Ministria përkatëse për Kulturë, nga buxheti i vet, përmes konkursit vjetor për projekte, financon projekte të bibliotekave komunale me fondin prej pesë për qind (5 %) të buxhetit të përgjithshëm vjetor të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës”, shkruhet në pikën 2.1 të këtij neni.

Rreth 62 kilometra larg nga Prizreni, në Komunën e Pejës, Shengyl Kelmendi-Gashi, drejtoreshë e Bibliotekës së Pejës, ka thënë se hapësira ku funksionon Biblioteka është e pamjaftueshme.

“Kjo është një ndihmesë shumë e madhe pasi që mund të pasurohemi me tituj të rinj dhe të bëjmë rifreskimin e disa titujve që kemi pak, por për të cilit ka kërkesa të larta nga lexuesit tanë. Pra, ta dyfishojmë apo ta trefishojmë numrin e tyre, të tillë si lektura shkolle, tituj shkencor’ apo çfarëdo që janë ato”, ka thënë ajo gjersa ka shtuar se një ndihmë tjetër do të ishte sigurimi i një objekti të ri.

“Tani bibliotekat nuk janë vetëm për huazime të librave, por ne organizojmë edhe projekte e aktivitete të tjera. Hapësirat e bibliotekës nuk janë të mjaftueshme. Kemi hapësira të pakta dhe nuk kemi mundësi që të ofrojmë shumë komoditet. Kur kemi ndonjë aktivitet, detyrohemi të largojmë studentët nga salla e leximit të paktën për dy orë ata marrin pauzë e kjo ndikon që të humbin koncentrimi e motivi i tyre për mësim”, ka thënë ajo.

Bibliotekat që kanë nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit janë: Biblioteka e Mitrovicës, Biblioteka e Prizrenit, Biblioteka e Gjilanit, Biblioteka e Pejës, Biblioteka e Gjakovës, Biblioteka e Vushtrrisë, Biblioteka e Podujevës, Biblioteka e Ferizajt, Biblioteka e Drenasit, Biblioteka e Skenderajt, Biblioteka e Fushë-Kosovës, Biblioteka e Hanit të Elezit, Biblioteka e Junikut, Biblioteka e Kaçanikut, Biblioteka e Obiliqit, Biblioteka e Klinës, Biblioteka e Lipjanit, Biblioteka e Malishevës, Biblioteka e Rahovecit, Biblioteka e Shtimes, Biblioteka e Suharekës, Biblioteka e Vitisë, Biblioteka e Vushtrrisë, Biblioteka e Komoranit, Biblioteka e Kamenicës, Biblioteka e Tërstenikut, Biblioteka e Deçanit dhe Biblioteka e Dragashit.