Kulturë

Ushtarja kanadeze që gjeti dashurinë në Kosovën e dalë nga lufta

Një rrëfim i zakonshëm do të ishte kësisoj: një ushtare erdhi në Kosovën e pasluftës më 1999, kreu misionin dhe u kthye atje prej nga vinte. Por ky nuk është rasti me tash veteranen kanadeze Sophie Boisvert Levesque. Aterrimi si ushtarake është vetëm një moment: pikënisja e dashurisë së saj me njerëzit dhe vendin. Në ditët e para të lirisë takoi edhe 21 fëmijë, iu kthye Kanadasë e s’mund të pajtohej me këtë. I ritakoi pas gati dy dekadash dhe aty nis një tjetër histori. Libri i saj i kujtimeve për Kosovën dhe jo vetëm, tashmë vjen edhe në shqip, me titull “Vendi që ma rrëmbeu zemrën”, përkthyer nga Fadil Hoxha. Por as lidhja e saj me shqiptarët nuk përfundon me kaq. Synon një libër të dytë, që dëshmon krimet ndaj tyre

Sophie Boisvert Levesque kishte qenë vetëm 18 vjeçe kur iu ishte bashkuar trupave ushtarake kanadeze. Ëndrra e saj ishte që të shkonte diku ku duhej ndihma e saj. Krijoi familje në Kanada, por kjo nuk e zmbrapsi nga ëndrra e saj – të marrë hise në shpëtim jetësh. Kur u bë 23 vjeçe vendosi të bëhej tok me skuadriljen taktike të helikopterëve “408”. Shumë shpejt iu kumtua lajmi se do të niseshin për në Kosovë. Boisvert Levesque nuk kishte mëdyshje, ani pse jeta e saj ndodhej në kaos pas divorcit. E ftoi kushërirën që të kujdesej për fëmijët e saj të vegjël.

“Gjithmonë kam ëndërruar të luftoj të keqen dhe t’i shpëtoj viktimat. Doja të shpëtoja botën dhe ja ky ishte rasti im”, kishte thënë ajo pak ditë para se të vinte në Kosovë. Për ushtaren kanadeze, Kosova u bë misioni i saj i parë.

“Kur them se po shkoj në shtëpi, unë them po shkoj në Kosovë”

Image
“Me duket sikur ha dhe frymoj me Kosovën. Kur them se po shkoj në shtëpi, unë them po shkoj në Kosovë...”, ka thënë Boisver Levesque në bisedë për KOHËN

Përvojën në një vend të sapodalë nga lufta, tash e përshkruan si mision jetësor. Nëse do të ndodhej në rrethana të tjera, ajo me plot bindje thotë se Kosova tash do të ishte vendbanimi i saj i përhershëm.

“Me duket sikur ha dhe frymoj me Kosovën. Kur them se po shkoj në shtëpi, unë them po shkoj në Kosovë, ndihem sikur jam në shtëpi kur shkoj atje, qëkur unë e kam takuar familjen time atje. E kam thënë shpesh, nëse nuk do të kisha fëmijë dhe nëse nuk do të isha e martuar, unë do të zhvendosesha në Kosovë”, ka thënë Boisver Levesque në bisedë për KOHËN.

Me ardhjen e saj në Kosovë, jeta e saj u nda në dysh. Po ashtu edhe familja. Në qershor të vitit 1999, ajo së bashku me trupat e para kanadeze arritën në fshatin Korroticë të Drenasit. Dy dekada pas, Kosova për Boisvert Levesque është vendi ku gjeti familjen e saj të dytë. 21 fëmijët që i takoi gjatë asaj kohë i quan “fëmijë të saj”. Historinë e qëndrimit disamujor në Kosovë dhe kujtimeve që s’i janë fanitur shumë vjet pas i ka përmbledhur në librin “The Country That Stole My Heart” (Vendi që më rrëmbeu zemrën). Së fundmi ky libër është përkthyer edhe në gjuhën shqipe. Përmbledh një histori dashurie me shqiptarët. Një asi lloj miqësie që nuk i vihet çmim.

“Me vite e kisha menduar të shkruaja një libër. Së pari, doja ta nxirrja dhimbjen dhe ta hidhja gjerë e gjatë në letër dhe po ashtu doja që bota të dinte për njerëzit nga Kosova. Për njerëzit e mi”, shkruan Boisvert Levesque në libër.

Procesin e shkrimit të librit ajo e përshkruan si një përballje të fortë me emocionet e asaj kohe. Çdo kapitull ishte si një rijetim i fundit të viteve ‘90 në Kosovë.

“Të shkruaj për veten dhe nga vij ishte e lehtë, por pjesa kur flas për fëmijët e mi dhe çfarë kam parë në Kosovë, kjo ka qenë shumë emocionale. Kjo pjesë dhe kthimi për t’u takuar me secilin fëmijë ishin po ashtu të vështira. Më kanë munguar shumë për njëzet vjet dhe vetëm mendimi më sillte lot në sy. Unë e përfundova kapitullin e fundit duke qarë si fëmijë pranë kompjuterit. Ishte e vështirë”, ka shpjeguar ushtarja kanadeze në një intervistë virtuale.

Aterrimi në Kosovë, dita e parë e pjesës tjetër të jetës

Image
Aterrimi si ushtarake në Kosovë është vetëm një moment: pikënisja e dashurisë së saj me njerëzit dhe vendin

Në libër ajo përshkruan momentet e para sapo kishin zbritur në Korroticë të Drenasit dhe shikimet e fëmijëve. Njëri nga kolegët i kishte kërkuar ushtares kanadeze që të buzëqeshte. Si nënë e dy fëmijëve, Sophie Boisvert Levesque, për këtë nuk gjente dot forcë. Aty për të nisi një kapitull tjetër i jetës. Jeta i mori tjetër kuptim.

“Për herë të parë isha në një zonë lufte dhe nuk do të harroj kurrë erën, pamjen dhe të gjitha detajet e vogla të asaj dite. Gruaja që kisha qenë dikur, kishte ndryshuar përgjithmonë. Ishte dita e parë e pjesës tjetër të jetës sime”, e përshkruan ajo ditën e parë në Kosovë.

Fadil Hoxha në atë kohë i kishte shërbyer si përkthyes ushtares kanadeze. 22 vjet pas, historinë e saj të shkruar në libër e ka përkthyer në shqip. Në fakt kishte qenë edhe njëri ndër iniciatorët që kjo histori të dokumentohet në libër. Në 300 faqe, jeta e Boisver Levesque që lidhet me Kosovën është e dëshmuar edhe në shumë fotografi.

“Unë e ndjeva si një obligim moral që ta përkthej këtë libër”, i ka thënë KOHËS përkthyesi i librit, Fadil Hoxha, i cili i mban dyert e shtëpisë të hapura për aq kohë sa ushtarja kanadeze qëndron në Kosovë.

Sophie Boisvert Levesque gjatë misionit të NATO-s realizoi takime të përjavshme me 21 fëmijë të zonës ku shërbente. Me uniformë ushtarake me çdo kusht donte t’ua dëshmonte fëmijëve se dashuria e tyre për të ishte e dyanshme. Gjatë atyre takimeve, ajo e hetoi që buzëqeshja po kthehej në fytyrat e fëmijëve. Për ta jeta po lehtësohej sadopak.

“Për një pjesë të vogël të javës, ata thjesht mund të argëtoheshin dhe t’i harronin vështirësitë që kishin në shtëpi. Të harronin që shtëpia e tyre ishte shkatërruar”, shkruan ajo në kapitullin “OP Kinetik Kosovë 1999” të librit “Vendi që më rrëmbeu zemrën”.

Image
Libri i Sophie Boisvert Levesque për Kosovën dhe jo vetëm, tashmë vjen edhe në shqip, me titull “Vendi që ma rrëmbeu zemrën”

Derisa i mungonin fëmijët e saj që i kishte lënë në Kanada, Sophie mendonte se si do t’ua kthente shpinën “fëmijëve” të saj në Kosovë. Dhuratat që i ka marrë nga ta para më shumë se 20 vjetësh, ende i ruan dhe nuk i ka hapur, përfshirë edhe çokollatat dhe një kuti ëmbëlsirash. Njëra prej vajzave i kishte dhuruar një kukull që ushtarja kanadeze t’ia dhuronte vajzës së saj, si shenjë mirënjohjeje që e kishin lejuar nënën e tyre që të vinte dhe t’u ndihmonte. Boisert-Levesque u bë si një lloj mësueseje e mentoreje për fëmijët. I numëronte çdo ditë nxënësit. Tmerrohej kur njëri nga ta nuk paraqitej.

“Tmerrohesha kur më sillnin lule. Jo shumë kohë më parë kishte ndodhur lufta dhe kishte akoma mina kudo. Nuk doja që ata të vriteshin për të më sjellë lule”, shkruan ushtarja kanadeze në librin e saj me kujtime nga Kosova. Në njërën prej orëve u kishte kërkuar fëmijëve që përmes vizatimit të tregonin se çfarë do të bëheshin kur të rriteshin. Përgjigjen e kishte marrë vetëm nga dy prej tyre. Por ushtarja kanadeze kishte marrë një mesazh akoma më të fuqishëm nga kjo dhe një ndjesi të keqe që e kishte përcjellë gjithë ditën.

“Atëherë e kuptova se nëse nuk e di nëse nesër do të jesh gjallë, nuk i planifikon 20 vjetët e ardhshëm. Ata nuk e dinin se nga do të vinte vakti tjetër i ushqimit. Bëra një gabim shumë të madh atë ditë”, ka shkruar tutje ajo. Ditën e largimit nga Kosova e përshkruan me shumë përqafime dhe lot.

Takimi pas 20 vjetësh me 21 fëmijët

Sophie Boisver Levesque iu kthye jetës dhe fëmijëve në Kanada, ku u martua sërish. Ndërkohë, kishte pësuar Çrregullime të Stresit Post-Traumatik dhe për këtë kishte vizituar shumë psikologë. E brengoste faji se kishte braktisur fëmijët në Kosovë e s’kishte qenë as nënë e mirë për fëmijët e saj në shtëpi. Në vend të harresës, vendosi të përballej me atë që e brengoste. Ende i ruante fotografitë e tyre edhe pse emrat nuk ua dinte.

8 qershor 2018 shënonte datën që për Sophie Boisver Levesque kupa ishte mbushur. Opsioni i parë ishte Facebooku. U anëtarësua në grupin “Të rinjtë e Kosovës”. Aty u prezantua se kush ishte dhe tregoi kërkesën e saj për fatin e 21 fëmijëve. Në më pak se 72 orë iu lajmëruan të gjithë. Tri ditët e tjera ishin me lot për ushtaren në pension. Qershori i vitit tjetër e gjeti në Kosovë. Fëmijët që i kishte takuar në një vend lufte, tashmë kishin moshë madhore. Dhe ata e pritën sapo zbriti në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”, në Prishtinë.

Image
Ish-ushtarakja Boisvert Levesque në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, më 6 qershor 2019, kur ritakoi ata që në qershorin e 1999-s i kishte takuar si fëmijë

“Isha e mpirë e pa fjalë. Mendova se do të dridhesha, të qaja apo diçka të tillë, por thjesht isha mpirë. Kur mbërrita në Kosovë, zemra po më gufonte. Gjëja më e përafërt me atë ndjenjë që mund të mendoj ishte sikur të jesh pa oksigjen për 20 vjet dhe më në fund të marrësh frymë prapë. Ata ishin shtylla që mungonin për ta mbajtur shtëpinë time në këmbë”, ishin ndjesitë e saj pas ardhjes në Kosovë.

Ushtarja që në fund të ‘99-s nga Kosova kujtonte vetëm kampin 1 kilometër katrorë, tashmë kishte mundësinë të shijonte edhe bukuritë e vendit, nga i cili ruante kujtimet më të rëndësishme të jetës së saj. Aty iu ngjall edhe dëshira që të gjitha këto përjetime t’i përjetësonte në libër.

“Herën e parë kur erdhi, na tha se momentet më të mira të jetës i ka përjetuar në Kosovë. Brengosej se këto tregime një ditë do t’i harronte. Andaj unë me një mik timin i kemi thënë: ‘Përse nuk i shkruan në një libër’”, ka treguar Fadil Hoxha, i cili e kishte shoqëruar edhe gjatë vizitës së saj në Kosovë, kur edhe ishte njoftuar më shumë me vendin, kulturën dhe traditën shqiptare.

“Faktikisht ajo thoshte se njerëzit e këtij vendi ia kishin rrëmbyer zemrën qysh herët në vitin 1999. Por, kur ka ardhur pas 20 vjetësh, ka thënë se edhe vendi ia kishte rrëmbyer zemrën. Ajo i vlerëson shumë lart kulturën, njerëzit, kombin tonë dhe është një promovuese e madhe e popullit tonë në Kanada. Ajo është shumë e dhënë pas këtij vendi saqë thotë se beson që një ditë do ta marrë shtetësinë e Kosovës për t’i kontribuar këtij vendi kaq të bukur dhe këtyre njerëzve kaq të mirë”, ka treguar Hoxha për KOHËN.

Vizita e fundit në Kosovë e ushtares kanadeze ishte gjatë gushtit të vitit 2021, ku u kthye me disa kopje të librit “The Country That Stole My Heart” dhe nga Kosova mori botimin në shqip të këtij libri. Pas kësaj planifikon të shkruaj një libër tjetër që dëshmon për viktimat e luftës së fundit në Kosovë.

“Një libër i cili mbledh dëshmitë e viktimave të luftës së fundit në Kosovë. Dua të tregohet çfarë kanë përjetuar të mbijetuarit dhe kë e kanë humbur dhe me shpresën që do të ketë pak drejtësi në fund”, ka thënë tutje ajo.

Image
Sophie Boisvert Levesque dhe Fadil Hoxha, përkthyesi i librit të saj në shqip

Boisver Levesque u rrit me misionin për “ta shpëtuar botën”, kurse misioni saj i radhës është të mësojë gjuhën shqipe dhe të shkruajë akoma dhe më shumë për historinë e një përvoje që ka lënë gjurmë të thella në jetën e saj. Jeta e saj nuk mund të jetë më e shkëputur nga Kosova. Sepse është vendi që ia ka rrëmbyer zemrën.