Kulturë

Përkujtimi i vetëm për Adem Mikullovcin me postime në rrjete sociale

Të mërkurën kur edhe u bë fiks një vit nga vdekja, aktori, politikani e skenaristi, është përkujtuar vetëm virtualisht. Dhe atë jo shumë. Është bërë një përkujtim krejt periferik, siç bëhet pashmangshëm për ata që kanë lënë alamet gjurmësh në shumë sfera të jetës në Kosovë.

“Erdha në këtë botë në një varfëri teknike ku nuk dinim se çfarë është telefoni e makina. Po e lë këtë botë në një rrëmujë teknike me aq aparatura, internet e gjithfarë dreqnie...”, do të thoshte Adem Mikullovci në maj të vitit 2018.

Aty në një rrëfim të gjatë për “oralhistorykosovo” fliste për zhvillim teknologjik dhe hamëndesonte se a ishte më mirë në fëmijërinë e tij apo në kohën kur po jetonte dittë e pleqërisë.

Të mërkurën kur edhe u bë fiks një vit nga vdekja, e aktori, politikani e skenaristi, është përkujtuar vetëm virtualisht. Dhe atë jo shumë. Është bërë një përkujtim krejt periferik, siç bëhet pashmangshëm për ata që kanë lënë alamet gjurmësh në shumë sfera të jetës në Kosovë.

Një udhëtim sfidues

Ata që kanë punuar me të e vlerësojnë shumë. Qoftë si njeri apo edhe si profesionist. Historia pos te teatri e filmi e ka regjistruar edhe te kontributi politik për vendin.

Në ditën e 15 të gushtit të vitit të kaluar, politika mbeti pa delegatin e Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut të vitit 1990 e deputetin e legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Kosovës.

Jeta e tij është një udhëtim sfidues i shtrirë në tetë dekada jetë, me prapavijat historike të Kosovës.

U lind në Mitrovicë më 21 dhjetor 1937 në kohën kur bota ishte në prag të Luftës së Dytë Botërore e Kosova nën atë që njihet si ish-Jugosllavia e Vjetër. Mikullovci mendonte të studionte për letërsi e të bëhej shkrimtar. Këtë e kishte treguar për “Kohën Ditore” në dhjetor të vitit 2014, pas premierës së shfaqjes “Dashnori i nënës sime”, që është edhe shfaqja e fundit ku ka luajtur.

“Thosha: ‘Do të bëhem shkrimtar e të vdes i ri dhe të gjithë t’i fus në gjynah, si Migjeni”, kishte treguar ai me shaka. Pas studimeve në Akademinë për Teatër e Film në Beograd, më 1968, Mikullovci do të kthehej në Prishtinë. Ishte bërë pjesë e ansamblit rezident të aktorëve të atij që ishte Teatri Popullor Krahinor.

Shfaqja e parë ku iu besua një rol ishte “Po shkoj për gjah”. E gjatë karrierës numëron 45 role kryesore e rreth 70 të tjera.

“Duke pritur Godonë”, “Njeriu që pa vdekjen me sy”, “Dashuria”, “Hotel Kashta”, “Fundi i botës”, “Miza në vesh” e “Erveheja” janë disa prej shfaqjeve ku ka luajtur Mikullovci. Si regjisor u shqua me shfaqjet “Pas vdekjes”, “Mosha e bardhë”, “Dan Shejtani”, “Engjëlli i stacionit”, monodramën “Bihorasit”, komedinë “Shtrati” e të tjera. Karriera e Mikullovcit prek edhe disa prej filmave ikonikë të “KosovaFilmit”, si “Proka”, “Kur pranvera vonohet” e “Era dhe Lisi”. Pas suprimimit të autonomisë së Kosovës më 1989, kur institucionet vendore ishin të boshatisura sa u përket shqiptarëve, Mikullovci gjeti një tjetër mënyrë për të qenë afër publikut.

Artist intelektual

Përmes videokasetave ai zgjonte buzëqeshje te një popull nën okupim. E përmes prodhimeve filmike, si “Një pallto për babain tim në burg”, fliste për realitetin me të cilin përballeshin shqiptarët nën Serbi. Pas luftës së fundit, Mikullovci do të bëhej pjesë e projekteve teatrore e serialeve televizive. “Kafeneja jonë” është një prej serialeve më jetëgjata ku Mikullovci portretizonte dy personazhe: Avniun dhe Lamin.

Në këtë projekt me Mikullovcin ka bashkëpunuar edhe aktori e producenti, Shkumbin Istrefi.

Të mërkurën ai ka thënë se Mikullovci i mungon jo vetëm skenës artistike, po edhe shoqërisë në përgjithësi.

“Ishte një artist intelektual që ka kontribuar shumë dhe në sfera të tjera të jetës, e sidomos në politike. Mua personalisht me mungojnë humori dhe këshillat e tij në skenë dhe jashtë skenës”, ka thënë ai.

Istrefi e ka kujtuar Mikullovcin edhe në Facebook.

“E kujtojmë Ademin në njëvjetorin e ikjes së tij nga kjo botë. Kushedi sa problemet i ka bërë për një vit në botën tjetër. Ishte ndër artistët më të mëdhenj që i kishim”, ka shkruar ai në profilin e tij.

Shteti, të paktën deri në pasditen e së mërkurës nuk e ka kujtuar Mikullovcin as si artist e as si deputet. Institucionet nuk e kanë bërë këtë as në rrjete sociale.

Aktori e producenti Fatmir Spahiu ka punuar gjatë me Mikullovcin te seriali “Kafeneja jonë”. Në ditën e vdekjes ai e kishte krahasuar atë me komedianin më të njohur botëror të shekullit të kaluar, Charlie Chaplin.

Të njëjtën gjë e ka bërë edhe në përvjetorin e parë të vdekjes së Mikullovcit.

“Zhanri i komedisë nuk do të jetë më i njëjtë. Kosova ka humbur një artist të një profili të rrallë. Mungesa është e madhe, por do të ndihet edhe më shumë pasi Adem Mikullovci ishte unikal”, ka thënë Spahiu. Ka kujtuar se në një rast donte të tallej, duke i thënë Mikullovcit se viti 2020 nuk do ta zinte të gjallë.

“Duke dashur të tallem, diku më 2008, i pata thënë se e kam një rol për të në vitin 2020. Me humor doja t’i thosha se nuk do të jetë në vitin 2020. E këtë vit kur e shihja thoshte: ‘Ku është honorari?’”, ka kujtuar ai.

Në mars të vitit të kaluar, pas vdekjes së Leze Qenës, Mikullovci kishte publikuar një tekst prekës. Kishte paralajmëruar se shpejt do t’u bashkohej kolegëve që nuk jetojnë më.

“Mua më latë të fundit dhe unë s’kam çare pa ardhë te ju. Po e lëshoj perden dhe po i fiki dritat…Teatri ynë Leze u mbyll”, kishte shkruar ai.

Por Teatri i Adem Mikullovcit e i kolegëve të tij dhe kontributi i tij në politikë mbesin trashëgimi e ditëve të mira e atyre të vështira të Kosovës.