Kulturë

Moskoordinimi institucional bën që shteti të ndërhyjë jashtëligjshëm në Kalanë e Veletinit

Puna me mjete të rënda në Kalanë e Veletinit ka nisur pa përfillur Ligjin për trashëgimi kulturore. Për këtë arsye, punimet edhe janë ndërprerë në mesditën e së premtes. Profesionistët e trashëgimisë kulturore këtë rast e shohin si shumë të rrezikshëm, përderisa vetë shteti ka vepruar në kundërshtim me ligjet që përcaktojnë mënyrën e ndërhyrjeve në monumente

Blloqe betoni e zhavorr janë transportuar në majë të Kalasë së Veletinit. Lokaliteti arkeologjik që daton qysh në parahistori është kthyer në vendpunishte. Fakti se është një nga 23 monumentet që shteti ua ka dhënë statusin më të lartë ligjor – mbrojtjen e përhershme – nuk ka luajtur rol që aty të nisin punë që bien në kundërshtim me ligjin. Bile, janë institucionet e shtetit ato që e kanë sjellë situatën në këtë nivel: të rrezikojnë monumentin dhe të krijojnë precedent për raste të tjera.

Kalaja e Veletinit gjendet veç 13 kilometra larg Prishtinës. Një “gjysmë leje” nga një institucion që nuk ka kompetenca për atë lokalitet arkeologjik ka bërë që të nisin punime pa autorizim dhe pa mbikëqyrje. Por, të premten, punimet janë ndërprerë.

Autoriteti rregullativ i komunikimeve elektronike dhe postare ka ardhur në përfundim se hapësira me lartësi mbidetare 970 metra është ideale për të vënë një antenë. Në gjuhën profesionale, planifikohet të vendoset një Stacion Fiks Monitorues. Ky autoritet nëpërmjet qendrës rajonale për Trashëgimi Kulturore, ka kërkuar pëlqim nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Por QRTK-ja dhe IKMM-ja ia kanë huqur fort.

Kalaja e Veletinit është nën mbrojte të përhershme nga shteti prej vitit 2016 si lokalitet arkeologjik. IKMM-ja e ka miratuar projektin.

“Aprovohet kërkesa e ARKEP-it për instalimin e Sistemimit të Monitorimit të Spektrit Frekuencor në Republikën e Kosovës në lokacionet e specifikuara. Rekomandohet pala që në rast se kërkohet pëlqim sa i përket konfirmimit nëse ekziston trashëgimi arkeologjike, kërkesën ta adresojë në Institucionin kompetent, Institutin Arkeologjik të Kosovës – IAK”, shkruhet në vendimin e IKMM-së të protokolluar në ditën e 15-të të prillit të këtij viti. Ky institucion nuk e ka rekomanduar prerazi ARKEP-in se duhet marrë pëlqim nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Vendimi i IKMM-së ka bërë që të enjten e kësaj jave buldozerët të ngjiten në zemër të lokalitet arkeologjik.

Por të premten në mesditë, institucione të tjera janë vënë në veprim. Më herët nuk kanë vepruar, edhe pse kanë qenë në dijeni të rastit. Drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha, dhe drejtori i Inspektoratit të trashëgimisë kulturore, Imer Hakaj, kanë qenë në lokalitet. Kanë ndaluar punimet.

“Punimet i kemi ndërprerë. Para dy ditësh neve na ka ardhur lënda dhe tash do ta trajtojmë dhe të japim përgjigje”, ka thënë drejtori i IAK-ut, Enver Rexha. Sipas tij, në këtë rast është vepruar në kundërshtim me Ligjin për trashëgimi kulturore.

“Çdo aplikim për leje që të ndërtohen ndërtesa ose bëhet krijimtari tjetër brenda Zonës sё mbrojtur të një vendi të trashëgimisë arkeologjike paraqitet për shqyrtim në Institucionin kompetent. Institucioni kompetent ka veton mbi dhënien e një lejeje të tillë. Nëse Institucioni kompetent nuk përgjigjet brenda 20 ditësh, leja mund të përcaktohet nga autoriteti relevant i planifikimit dhe ndërtimit”, përcaktohet në nenin 17-të të Ligjit për trashëgimi kulturore.

Image

Arkeologu i IAK-ut, Milot Berisha, është marrë gjatë me lokalitetin arkeologjik që gjendet në fshatin Shashkoc. Bashkë edhe me profesionistë gjermanë kanë hulumtuar në ato anë.

“Si mund të ndërtohet një e mirë e re kolektive shtetërore me qëllim të përmirësimit të komunikimit mbi një të mirë kolektive të lashtë që duhet ta përçojë komunikimin nga e kaluara. Shtresëzimet arkeologjike janë të shenjta dhe vetëm arkeologu apo në prezencë të arkeologëve ato mund të trazohen”, ka thënë ai. Sipas Berishës, rasti i këtyre ditëve është veprim absurd dhe i pafalshëm.

“Për Institucionet Kompetente të Trashëgimisë është veprim diletant dhe krijon precedent edhe për kalatë dhe lokalitetet arkeologjike që ndodhen në komunat veriore të Kosovës por që janë jashtë kontrollit shtetëror, si Kalaja e Zveçanit, Municipium DD (Leposaviç), etj. Kjo paranojë e imja edhe mund të ndodhë se tashmë precedenti është bërë”, ka thënë ai. Berisha, i cili ka udhëhequr punimet për shndërrimin e një pjesë të lokalitetit arkeologjik të Ulpianës në park arkeologjik, ka thënë se më e keqja është se punimet kanë filluar me buldozer dhe askush nga arkeologët nuk është ftuar për monitorim dhe vëzhgimin arkeologjik.

Në anën tjetër, ARKEP-i ka treguar se midis të tjerash ka planifikuar edhe vendosjen e stacionit fiks monitorues në Shashkoc të Prishtinës. Nëpërmjet postës elektronike, Rrezarta Duraku, ka thënë se përcaktimi i këtij lokacioni për vendosjen e stacioneve fikse monitoruese, është bërë bazuar në fizibilitetin e terrenit dhe kalkulimet softuerike të kryera nga eksperti i angazhuar në këtë projekt.

“Bazuar ne informatat e pranuara nga Institucionet përgjegjëse për menaxhimin e pronës në Shashkoc: Agjencisë Pyjore të Kosovës, Komuna e Prishtinës, Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, ARKEP, nuk është vënë në dijeni se ky lokacion, ku do të vendoset Stacioni Fiks Monitorues, ka status të veçantë. Pas marrjes së informatave për një gjë të tillë më datë 13.08.2021, ARKEP më datë. 17.08.2021, ka njoftuar Institutin Arkeologjik të Kosovës në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për rëndësinë e implementimit të projektit në fjalë”, ka thënë Duraku. Ajo ka sqaruar se në këtë hapësirë ka qenë e vendosur një shtyllë metalike me dimensione shumë më të mëdha në shfrytëzim nga KFOR-i.

“Për njoftimin tuaj ky Projekt me Vendim të Qeverisë se Republikës (Ref Vendimi Nr.04/06, dt. 13.04.2021) është shpallur Projekt me qëllim të mbrojtjes Nacionale”, shkruhet në përgjigje. Por, me rëndësi nacionale llogaritet të jetë edhe lokaliteti arkeologjik i Veletinit.

Sipas përshkrimit që i bëhet asetit të trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme, pozita gjeostrategjike e vendndodhjes së Kalasë, me shikim drejt minierave antike në pjesën lindore të saj, dhe në anën tjetër, pozita e qartë vëzhguese në krahun perëndimor që tërësisht komunikon me Ulpianën që gjendet në një rrafsh, e bën këtë fortesë një pikë shumë të rëndësishme të tërë këtij areali arkeologjik. “Gërmimet e zhvilluara arkeologjike gjatë viteve ‘80, rezultuan me faktin se Kalaja kishte qenë e shfrytëzuar që nga periudhat më të hershme të eksploatimit të xeheve e të shkrirjes së metaleve dhe në vazhdimësi ishte ripërdorur dhe rindërtuar gjatë tërë periudhave kohore si parahistorike, romake, antike e vonë e Mesjetare”, shkruhet në arsyetim.

Falë hulumtimeve ndërdisiplinore arkeometalurgjike, deri më tani, janë evidentuar rreth 400 gjurmë të galerive antike të nxjerrjes dhe përpunimit të xeheve minerare metalike që kryesisht shtrihen në arealin e Veletinit, pjesën kodrinore të fshatit Shashkoc, si dhe në mes të Janjevës, Shashkocit dhe Kishnicës. Incizimet gjeomagnetike dhe gjeoelektrike, si dhe sondazhet arkeologjike në arealin afër Kalasë së Veletinit në kuadër të fshatit të Shashkocit dhe jo larg minierës së Kishnicës te disa miniera të cekëta antike, vetëm se konfirmuan lashtësinë e këtij areali të minierave antike.