Kulturë

Lufta në sytë e “Binit”

Descriptive Text

Momentet të cilat ai i kishte përjetuar si gjashtëvjeçar gjatë luftës në qytetin e Pejës tashmë po i rrëfen përmes filmit.

Regjisori vendas Erblin Nushi, i cili ka kohë që jeton në Amerikë, këtyre ditëve ka nisur xhirimin e filmit “Bini”, i cili trajton dëbimin e shqiptarëve nga trojet e tyre gjatë vitit 1999 nga ushtria serbe, transmeton emisioni Express në KTV.

Nushi, për ta realizuar këtë film të metrazhit të shkurtër, nga Uashingtoni për në Pejë, ka udhëtuar së bashku me profesoreshën e regjisë së filmit, Lisa Trasher, ndërkohë atë po synon ta shfaqë në festivalet e filmave të kategorisë A.

“Erblini është regjisor jashtëzakonisht i talentuar dhe të gjithë filmat e tij deri tash ishin të mirë, por ky në veçanti shkon përtej atyre që bëri deri tash. Ky film, sipas mendimit tim, do t’ia dalë mirë në festivale dhe sigurisht që do të fitojë shumë shpërblime, por ndjehem pak e turpëruar të them sepse s’dua që të kem shpresa të mëdha, por mendoj se do t’ ia dal mirë. Mendoj se filmi është i fuqishëm, aktorët janë të jashtëzakonshëm dhe stafi në përgjithësi dhe madje edhe ky lokacion është tejet i bukur”.

Emisioni “Express Arte”, të premten, ka qëndruar në Rugovë të Pejës, për të përcjellë xhirimet e disa pjesëve të këtij filmi pesëmbëdhjetë minutash.

Aktorët që janë angazhuar për të luajtur në këtë projekt filmik janë: Eshref Durmishi, Fjolla Nushi, Armond Morina, Artiola Hamdia dhe Loni Krasniqi.

Protagonistët e këtij filmi u shprehën të bindur se ai do të shpërblehet me çmime të rëndësishme kinematografike në botë, ndërsa uruan që “Bini” ta ketë rrugëtimin e filmit “Shok”, i cili bëri histori vitin e kaluar, duke u nominuar në ceremoninë e shpërblimeve “Oskar”.

“Skenari i këtij filmi është tejet prekës dhe tregim i vërtetë i regjisorit. Në fakt është tregim i ndjeshëm dhe ka shumë aspekte për atë çfarë ndodhi jo vetëm me familjen e tij por me gjithë popullatën e Kosovës gjatë luftës. Mendoj se është tregim i rëndësishëm të flitet për të në botë. Është tregim që prek të gjithë sepse fjala është për një fëmijë që niset nga pafajësia drejt përvojës shqetësuese tragjike me vdekjen. Thjesht, është tregim me shumë kuptime”.

Premiera e filmit “Bini” pritet të shfaqet gjatë dhjetorit në Uashington, ndërkohë atë në Kosovë mund ta shikojmë në pjesën e parë të vitit të ardhshëm.