Kulturë

Digjitalizimi hap një kapitull të ri për freskat e Michelangelos

Hera e fundit kur Kapela Sistine në Vatikan ishte fotografuar për t’ua pasqyruar brezave të ardhshëm, fotografia digjitale ishte në fillimet e saj dhe fjalët si “pixel” përdoreshin kryesisht nga përdoruesit e flaktë të kompjuterit dhe shkencëtarët e NASA-s.

Tani, pas disa dekadash të avancimit teknologjik në artin e fotografisë, teknikat digjitale e në printim, një projekt pesëvjeçar që do të ndihmojë restaurimet e së ardhmes, në Muzeun e Vatikanit ka sjellë 270 mijë imazhe digjitale që pasqyrojnë freskat e Michelangelos dhe mjeshtërve të tjerë, në detaje krejtësisht të reja dhe mahnitëse, thuhet në shkrimin e BBC-së që e transmeton “Koha Ditore”.

“Në të ardhmen kjo do të na mundësojë të dimë gjendjen e secilit centimetër të Kapelës, sikur të ishte në ditët e sotme, më 2017”, ka thënë Antonio Paolucci, ish-udhëheqës i muzeut dhe një njohës i shquar i këtij monumenti. Freskat e Michelangelos në tavan përfshijnë një nga skenat më të famshme në art - krijimin e Adamit. Mjeshtri i renesancës kishte përfunduar ngjyrosjen e tavanit më 1512 dhe kishte pikturuar panelin masiv “Gjykimi i fundit” prapa altarit, ndërmjet viteve 1535 dhe 1541.

Hera e fundit kur afresket e Sistines ishin fotografuar, ka qenë ndërmjet viteve 1980 e 1994, gjatë një projekti restaurues, që i kishte pastruar ato për të parën herë pas disa shekujsh. Fotografitë e reja janë realizuar për t’u përfshirë në një botim prej 870 faqesh në tre vëllime, botim i limituar prej 1.999 kopjesh, që u dedikohet librarëve e koleksionuesve të artit. Seti që kushton rreth 12 mijë euro ishte prodhim i përbashkët i Muzeut të Vatikanit dhe botuesit italian “Scripta Maneant”.

Teknikat post-produksion kanë përfshirë edhe “qepjen” e imazheve që fotografët kanë realizuar derisa kanë punuar për 65 net nga ora 7 e mbrëmjes deri në orën 2 të mëngjesit kur Kapela ishte e mbyllur. Seti përfshin edhe mozaikun në dysheme dhe afreske të shekullit pesëmbëdhjetë të artistëve tjerë që kanë punuar në hijen e gjigantit Michelangelo. Më shumë se 220 faqe janë printuar në raportin 1:1, përfshirë “The Creation of Adam” dhe fytyrën e Jezusit nga “Gjykimi i fundit”. Secili vëllim peshon rreth 9 kilogramë dhe faqet kanë dimensionet 60 me 130 centimetra.

“Kemi përdorur softver special post-produksionit me qëllim që ta arrijmë thellësinë, intensitetin, ngrohtësinë dhe nuancat e ngjyrave për një saktësi prej 99.9 për qind”, ka thënë Giorgio Armaroli, udhëheqës i “Scripta Maneant”.

“Restauruesit e ardhshëm do t’i shfrytëzojnë këto si standarde të tyre”, ka thënë ai, tek ka shtuar se secila faqe është printuar nga gjashtë herë.