Kulturë

Dhafer Youssef dhe kalimi në një tjetër univers nëpërmjet muzikës

Descriptive Text

Është një nga yjet në rritje të asaj që njihet si “World music”. Youssef 53-vjeçar mund të konsiderohet mjeshtër i gërshetimit të këndimit islam me xhaz, rock e çdo gjëje tjetër që sjellin edhe bashkëpunëtorët tij, muzikantë nga vende të ndryshme të botës. Me interpretime Dhafer Youssef i çon njerëzit në një tjetër univers

Komunikimin e parë me publikun e kishte nëpërmjet një minareje të xhamisë. I ishte incizuar zëri për t’u përdorur 5 herë në ditë si lajm se është koha që predikuesit e fesë islame të kryejnë lutjet. Ashtu u bë i njohur në fshatin tij. Por tash kanë ndërruar gjërat. Publiku i tij e kalon kontinentin prej nga vjen këngëtari. Bile me interpretime i çon njerëzit në një tjetër univers. Këtë e bën tuniziani Dhahfer Youssef. Është një nga yjet në rritje të asaj që njihet si “World music”. Youssef 53-vjeçar mund të konsiderohet mjeshtër i gërshetimit të këndimit islam me xhaz, rock e çdo gjëje tjetër që sjellin edhe bashkëpunëtorët tij, muzikantë nga vende të ndryshme të botës.

Të dielën mbrëma pas tri orësh vonesë – për shkak të problemeve teknike e ndaljes së rrymës – e nisi koncertin nëpërmjet të cilit bëri debutimin e tij në Kosovë e në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar e të Shkurtër. Të lehta nuk ishin as pritja e as arritja deri te vendi ku do të mbahej koncerti, në Kalanë e kryeqytetit historik të Kosovës.

Emocioni i asaj nate u krijua nëpërmjet nisjes së koncertit me tinguj të pastër, të lehtë e fuqidhënës nga Youssef. Disa minuta më vonë ai kaloi lehtësisht nga një melankoli perfekte e nga një moment meditues në gjendje elektrifikuese. Kompozimet e tij janë të ngjyrosura me meloditë dhe ritmet e Lindjes së Mesme. Gjatë gjithë koncertit ishte fjalëpakë, por i drejtpërdrejtë. E theksoi se dëshiron të krijojë lidhje me publikun dhe ndoshta sinqeritetin e sheh si çelës.

“Dëshiroj që të më dëgjoni. Nëse e keni vëmendjen tek unë do të arrijmë që të fluturojmë së bashku”, ka thënë gjatë koncertit Youssef, që me të drejtë mban emrin si mjeshtër i lahutës, vokalit dhe kompozimit. Në të tri këto ka një origjinalitet të theksuar.

Këndimi është një trashëgimi e bartur ndër breza në familjen Youssef. I lindur në Teboulba, që në vegjëli gjyshi i tij e incizonte duke e kënduar Kuranin. Larg kësaj, Youssef e testonte zërin e tij duke kënduar këngët që dëgjonte në radion e nënës së tij. Siç është shkruar edhe në biografinë e tij në ueb-faqe të tij, kuzhina e nënës së tij u bë një lloj laboratori i parë eksperimental për të. Po aty tregohet se kur ishte 6-vjeçar zbuloi jehonën e zërit të tij. Do të kalonte orë të tëra duke kënduar në Hamamin lokal.

I prekur nga zëri i bukur i fëmijës, myezini vendas e inkurajon atë të regjistrojë ezanin për xhaminë e fshatit. Youssef merr përsipër detyrën. Kështu zëri i tij dëgjohej nga maja e minares. Ky ishte takimi i parë me një audiencë, një përvojë që do të mbetet e gdhendur në kujtesën e tij dhe do të ndikonte edhe në muzikën e shtatë albumeve të tij dhe në qindra interpretime live nëpër gjithë botën. Edhe Prizreni tani është në hartën e tij të performimeve. Organizimi i “DokuFestiti” e interpretimi i Youssef i ka lënë mbresa edhe këngëtares Malda Susuri.

“Shumë i mirë koncerti, edhe pse pati pritje të gjatë derisa u zëru, por përndryshe shumë i mirë. Një eksperiencë shumë e mirë. Na duhen më shumë koncerte të tilla”, ka thënë ajo.

Dhafer Youssef, sipas përshkrimit të “DokuFestit”, kur njoftoi ardhjen e artistit me nam, është një muzikant që udhëton nëpër vende të ndryshme duke dhuruar ritme të jashtëzakonshme të jazit, por edhe melodi zëri që në një formë bëjnë që disa ëndrra të zgjasin më shumë dhe të japin parandjenja të ndonjë profecie.

“Arti i të ndarit diçka së bashku është një nga alkimitë e bukura që mund të përjetoni në koncertin ku Dhafer edhe një herë do të shpalosë talentin e tij për një atmosferë që i ngjan ëndrrës që ndërtohet përmes notave”, është shkruar aty. Ata që ndoqën koncertin morën edhe më shumë. Madje shumë prej tyre nuk e kishin menduar se një artist të tillë do të kishin mundësi që ta dëgjonin duke interpretuar në Kosovë. Mes tyre edhe tenori Luan Durmishi.

“Dhafer Youssefin e degjoj qe një kohë të gjatë dhe është një artist i jashtëzakonshëm. Tepër unik dhe mënyra se si e përdor zërin është e pakrahasueshme. Është një këngëtar që rrallë mund të lindin artistë e këngëtarë të tjerë. Ai është një ndër artistët që e mbajë në listën e artistëve të preferuar”, ka thënë ai. Ka shtuar se për lakmi janë edhe formacionet që ai përdor.

“Prej atyre më të mëdha e deri te këto më të voglat që mund të quhen në këtë rast formacion kamertal dhe prapë e ka një magji në krejt tingullin dhe performancën e tij”, ka thënë ai.

Kitaristi Astrit Stafai ka thënë se sjellja e Youssef në Kosovë është një hap serioz në skenën muzikore shqiptare.

“Një ‘bravo’ e madhe për organizatorët që e kanë bërë të mundur që të sjellin një zhanër më ndryshe, një stil shumë unik para publikut jo vetëm të Prizrenit, por mbarëkombëtar. Pra një stil i cili tani është shumë në modë në mbarë botën e që njihet si ‘World music’ ose etno-jazz, një gërshetim i kulturave botërore”, ka thënë ai.

Dhafer Youssef ka interpretuar në tërësi pa treguar se cilat pjesë nga opusi i tij janë duke u performuar. Kësisoj ka ngjallur edhe më shumë ndjesinë mistike. Kitaristi nga Eivind Aarset dha tinguj elektronikë që përforconin meloditë grykëse të Youssef. Norvegjezi Bionde përshtatej aq mirë brenda kompozimeve dhe sikur i shkonin epitetet që ia jepte Youssef: “Jezusi”, "Muhamedit" dhe "Krishna". Në anën tjetër, saksofonisti italian Raffaele Casarano i përshtatej intensitetit të zërit që kishte Youssef shoqëruar nga bateristi nga Brazili, Adriano dos Santos.

Vëmendje ka marrë vetë instrumenti i Dhafer Youssef i njohur edhe si lahuta orientale, e njohur si “Oud” në Arabi. Vetë këngëtari ka thënë se Prizreni i ngjason me Stambollin si një vend i dashur për të cilin i ka kushtuar edhe këngë. Prandaj ka shtuar se do të dëshironte që të vinte përsëri për një tjetër fluturim në universin e tij muzikor.