Kulturë

“Engjëlli blu” – përkujtim e zbulim i anës së panjohur të Bekim Lumit

Deklamime poezish janë zgjedhur si eulogjitë më me vend për ta nderuar regjisorin Bekim Lumi në ditëvdekjen e tij, 30 korrik. Në përvjetorin e tretë të largimit të tij nga jeta, ai është shpalosur ashtu siç njihej – thuajse pak e hiç nga të tjerët. Me nismën e familjes dhe angazhimin e miqve të tij të ngushtë, mbi 50 poezi janë nxjerrë nga sirtarët e harresës për t’u bërë kështu libër që në mënyrë posthume sjell një “engjëll blu” të regjisorit e profesorit të njohur. Në fakt, “Engjëll blu” është vetë titulli i librit që përthekon poezi të shkruara gjatë ditëve të tij studentore në Tiranë, si dhe gjatë qëndrimit në Gjermani

Kur po thellohej në punën e tij regjisoriale për shfaqjen “John Cage’s Hamlet”, ai e ndiente me gjithë qenien atë që kishte ndier autori zëmadh William Shakespeare. Që gjërat të shihen më thellë sesa sipërfaqja, teatri ka tagër që me anë të skenës ta transkriptojë shekspirianen në një tjetër mënyrë.

Me këto bindje, regjisori e profesori Bekim Lumi po e kalonte dhjetorin e vitit 2015. Po të njëjtat janë bërë edhe më kuptimplotë në trevjetorin e ndarjes së tij prej jetës.

“Më ndërprit nëse nuk i them mirë vargjet”

Duke dëgjuar poezi të interpretuara nga aktorë që e njohën dhe u bënë pjesë e shfaqjeve të tij, dhjetëra miq, dashamirë e studentë të aktrimit, të premten në mjediset e Teatrit Kombëtar të Kosovës, kanë përkujtuar regjisorin që në të gjallë të tij bëri emër për kreativitet e invencion.

“Artësim” nuk ishte vetëm neologjizëm i krijuar prej tij, sa edhe një mision që as ndarja fizike nga jeta nuk e ka ndërprerë.

Të mbledhura në arkivin e tij jo të paktë, 54 poezi janë konsideruar si të mjaftueshme që përmes librit të sjellin edhe një profil të panjohur: Bekim Lumi si poet.

Botim i qendrës “Multimedia”, me përkrahjen financiare të Ministrisë së Kulturës, libri “Engjëlli blu” sjell sprovat e Lumit në truallin e poezisë.

I përgatitur për shtyp nga miku i tij Afrim Demiri, libri shpalos hapërimin e Lumit në truallin e poezisë. Nga ditët e studimeve në Tiranë pranë Akademisë së Arteve të Bukura e deri te mërgimi në Mynih të Gjermanisë, poezitë janë vlerësuar si titrim poetik i gjendjes së nderë politike të gjysmës së dytë të viteve ‘90.

“Bekë, nëse nuk i them mirë vargjet, lirisht më ndërprit”, ka thënë aktorja Melihate Qena në fillim të aktivitetit përkujtimor. Me këtë rast, ajo ka deklamuar poezinë katërvargjëse të Lumit, “Dorasit e lules”.

“Me thikë jo/ as me revole/ me dorë/ vrasin/ dorasit e luleve”, është e gjithë tekstura e poezisë, por jo edhe përmbajtja e saj, që është më e thellë sesa kaq. Ajo qe shkruar me 30 tetor të vitit 1997.

Me ndjenjë është interpretuar edhe poezia tjetër “Engjëlli blu” nga aktori Afrim Kasapolli, poezi e cila si nga recensentët, ashtu edhe nga miqtë e regjisorit, është vlerësuar si tejet e veçantë për poetikën shqiptare.

Regjisori i një bote të madhe observuese

Në vazhdim të aktivitetit, shkrimtari Shaip Beqiri ka mbajtur një fjalë të shkurtër për librin, në të cilin ka qenë edhe redaktor.

“Që në kontaktet e para që kam pasur me Lumin e kam vërejtur se ai kishte një botë të madhe observuese”, ka thënë Beqiri.

Poezitë që i shkroi në vitet ‘90, ka vijuar ai, ishin sprova shkëndije për një poet vërtet të veçantë.

“E shoh me zili se si ai arriti të artikulojë përmes vargut një gamë aq të gjerë tematike me një strukturim aq të lidhur e stilistikisht të ndërtuar”, ka thënë ai.

Sipas Beqirit, një kaptinë më vete formon edhe gjuha e pasur e poezisë së Lumit. Nëpërmjet saj, poezia rrjedh mes “qarqeve tematike” nga lashtësia deri në aktualitetin e viteve ’90.

“Dhe unë, sado që shkruaj në standard, poezia e Lumit në gegnisht ishte aq e veçantë dhe jo aso e folme e lagjeve”, ka thënë ndër të tjerash Beqiri.

“Nervi i pazakonshëm”

Mikeshë e kahershme e regjisorit Lumi, poetja Naime Beqiraj ka evokuar momente nga takimi i saj me të në Tiranë. Ishte koha kur ai veç kishte nisur ta sprovonte veten me letërsi.

“Aty e pashë një Bekim tjetër. Tërësisht të dhënë pas teatrit. Nuk e ngacmova për poezinë. E lashë ta merrte malli vetvetiu për të”, ka thënë Beqiraj.

Ajo ka përmendur se, përveç teatrit, ku, sipas saj, mbetet “gjeneral i papensionuar”, Lumi kishte lënë gjurmë letrare e kulturore edhe në publicistikë e gazetarinë kulturore, ashtu sikurse edhe me revistën “Loja”, që e kishte themeluar vetë.

“Nervi i pazakonshëm edhe për disiplina të tjera artistike nuk e pajis me aksesorë, por e thellon krijuesin e disiplinuar, të informuar e të talentuar”, ka theksuar Beqiraj.

“Sfida më e madhe… ta provokoj vetveten”

Mbrëmja përkujtimore është mbyllur me një shkëputje treminutëshe të një interviste të Bekim Lumit të dhënë për emisionin “Express” në KTV.

Ishte në vigjilje të premierës së shfaqjes “John Cage's Hamlet”, për të cilën fliste me entuziazëm. Sipas fjalëve të tij, edhe Shakespeare në procesin e tij krijues kishte eksperimentuar me tekste e me saga veriore, madje mund të flitet edhe për një “Ur-Hamlet”.

“Sfida më e madhe për mua është ta provokoj vetveten, që përmes performancës e gjuhës së teatrit, Shakespeare të ndihet në një mënyrë të veçantë edhe përmes vizionit muzikor”, kishte thënë Lumi.

Nga Suhareka, ku u lind më 17 dhjetor 1966, Bekim Lumi do të zhvendosej në Prishtinë. Nga viti 1987 deri më 1991 ka studiuar për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës. Prej vitit 1992 deri më 1996 ka studiuar për Regji Teatri në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, në klasën e profesor Agim Qirjaqit. Në të njëjtin universitet, më 2010 ka përfunduar edhe studimet e magjistraturës.

Nga viti 2002 deri në vitin 2008 ka punuar si gazetar i fushës së kulturës në Radion Evropa e Lirë.

Gjatë këtyre viteve ai ka punuar si regjisor i pavarur në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në Teatrin “Dodona”, si dhe ka realizuar projekte teatrore me kompaninë e tij teatrore “Loja”. “Mësimi”, “Galani”, “Arushani dhe fejesa”, “Shtëpia e Bernarda Albës”, “Çifti Martin”, “Këmisha e gjakut”, “Dilerat”, “John Cage’s Hamlet”, “Nana dhe fëmija” dhe e fundit “Arturo Ui”, janë disa prej shfaqjeve me të cilat mbahet mend Lumi. Ishte një prej regjisorëve kosovarë, shfaqjet e të cilit kanë marrë pjesë në shumë festivale, si në Zvicër, Gjermani, Itali, Greqi, Rumani, Bosnjë-Hercegovinë e në vende të tjera.

Më 2006, me shfaqjen “Mësimi”, në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Lugano të Zvicrës, ka fituar çmimin kryesor për shfaqjen më të mirë, e më 2016 ka fituar “Çmimin vjetor për shfaqjen më të mirë”, të cilin e ndan Ministria e Kulturës. Lumi ishte botues dhe kryeredaktor i revistës së mirënjohur për teatër “Loja”, e cila është botuar në Kosovë nga viti 2006 deri në vitin 2010.