Kulturë

Shikues në lundrim përballë mesazheve për të rinjtë nëpërmjet animacionit

Pos shpalosjes së botës, “Anibari” ofron mundësi për përjetime unike. Njëri prej tyre: të shikosh filma duke lundruar me barka prej gome. E ata që kanë zgjedhur që të hënën të ndalen në “Kino Liqeni” kanë pasur mundësi që nëpërmjet animacioneve të garës ndërkombëtare të kapin mesazhe e thirrje për vëmendje e kujdes ndaj të rinjve. Animatori franko-gjerman Frédéric Schuld ka sjellë përvojën e tij me ligjëratën “Dokumentarët e animuar”, teksa ka folur edhe për krijimtarinë që mori hov në izolim

“Nuk ma ka marrë mendja kurrë…”, ka thënë ende pa iu bërë asnjë pyetje, me të zbritur nga barka prej gome. Komenti i tij ka ardhur si përgjigje ndaj shikimit që ia bënin miqtë e tij. Dritan Berisha është prej atyre që për herë të parë ka shikuar film në projektor kinemaje duke lundruar. E pikërisht kjo është një prej arsyeve që “Anibar” nuk është thjesht një festival ndërkombëtar i animacionit, por shumë më tepër.

Përderisa mundësitë janë të panumërta, interesimi për të qenë pjesë e grupit të vullnetarëve, publikut apo edhe ndejave, veç është në rritje e sipër. Sidomos në edicionin e parë pas një viti pandemik me masa të rënda sa i përket lirisë së lëvizjes, festivali është “vërshuar”.

Më të varfra sa i përket publikut janë ligjëratat. Pjesëmarrësit në ligjëratën e animatorit franko-gjerman Frédéric Schuld mesditën e së hënës në kinemanë “Jusuf Gërvalla” kanë mundur të numërohen në gishtat e njërës dore. Por edhe ata që nuk ia kanë mësyrë nuk është se kanë humbur shumë. Tamam kur Schuld ka nisur të flasë për izolimin dhe filmat e animuar është ndalur energjia elektrike në qendrën e Pejës. Për dallim prej lokaleve të gastrononmisë përreth ku gjeneratorët janë bashkuar si në “kor”, në kinemanë e qytetit perëndimor është dashur të ndërpritej aktiviteti.

Schuld në një bisedë online ka treguar se animacioni i ka hapur shumë dyer. Ka folur edhe për lidhjen e re të krijuar midis pandemisë dhe filmave të animuar.

“Pandemia ka bërë që të shtohet prodhimi i filmave”, ka thënë ai. Sa i përket filmit të animuar ka thënë se ai krijon shumë mundësi. Derisa ka folur mbi temën “Dokumentarët e animuar”, ai ka thënë se dokumentarët nuk janë ata që rekomandohen kur dikush pyet se si t’ia bëjë që të dalë nga një situatë e rëndë emocionale.

“Të shikosh një dokumentar nuk është se bën realisht diçka. Thjesht, rri para ekranit. Por aty ka diçka që mund të të prekë (emocionalisht v.j.”, ka thënë 36-vjeçari Schuld që jeton në Düsseldorf të Gjermanisë, dhe në mesin e çmimeve të fituara ka edhe atë për animacionin më të mirë të shkurtër në “Atlanta Film Festival” për filmin “Carlotta’s Face”. Regjinë dhe skenarin për këtë film i ka bërë bashkë me mikun e tij, mjekun Valentin Riedl. Pikërisht ky film i vitit 2018 komunikon shumë mirë edhe me gjendjen e krijuar në vitin 2020 shkaku i pandemisë. Personazhi i filmit Charlotta është një vajzë e vetmuar e cila sa herë shikohet në pasqyrë i duket se po i ndërron pamja e fytyrës. Pamja i ka ndërruar edhe kinemasë “Jusuf Gërvalla” me t’u ndërprerë energjia elektrike, por “Anibari” ka shumë “fytyra”. Janë katër kinema, prej të cilave tri në ambient të hapur.

Mbrëmja është ajo që krejt i bën bashkë te “Kino Liqeni”, ku uji i liqenit ndan publikun me projektorin. Të guximshmit rrinë në barka. Gjatë ditës në liqenin e vogël mund të shihen edhe peshq. Mbijetojnë pavarësisht ujit goxha të turbullt.

Image

Animatori franko-gjerman Frédéric Schuld, mesditën e së hënës në kinemanë “Jusuf Gërvalla” në një bisedë online, ka treguar se animacioni i ka hapur shumë dyer. Ka folur edhe për lidhjen e re të krijuar midis pandemisë dhe filmave të animuar


Peshq janë parë edhe në filmin e animuar “See Me”, prodhim holandez nën regji të Patty Stenger e Yvonne Kroese. Në animacionin për të cilin Stanger ka shkruar edhe skenarin, një vajzë merr pjesë në një aheng të të rriturve. Ajo bën çmos që të bjerë në sy, por askush nuk ia vë veshin. Madje as e ëma që nuk pushon së vallëzuari. Prekja e fustanit të së ëmës veç sa e nervozon atë dhe e bën verbalisht agresive me të bijën. Mysafirja më e vogël e ahengut nis të zërë miqësi me peshqit që janë të servirur si ushqim. Imagjinata e saj shkon deri në nivelin sa i duket se ata edhe po komunikojnë. Situata rrotullohet për 180 shkallë kur ajo sheh një nga mysafirët duke i ngrënë peshqit. Në atë rast ndizet dhe rrapëllon pjatat derisa rrëzohet edhe vetë. E bash në këtë moment ajo merr vëmendjen e të gjithëve, përfshirë edhe të së ëmës. Edhe kjo vëmendje zgjat për pak.

Në probleme të ngjashme sikurse personazhi i “See Me” është edhe Hilly. Vajza e vogël tajvaneze është filloriste, e do shumë shkollën, por jo edhe rrugën deri te objekti “Little Hilly”, nën regji të Huang Yun Hsien dhe Liao Pei Yu dhe skenar të Yun Hsien, dhe Wu Yan Jie zbërthen atë që mendon vajza 10-vjeçare. Askush nuk merret me depresionin e saj që shkaktohet edhe ku zë në thua në vegla pune që shërbejnë për rregullimin e rrugëve të qytetit ku jeton. Duke marrë shkas përditshmërinë dhe faktin se fëmijët stimulohen shumë për të kontribuar për kombin e shtetin tajvanez, ajo nis të urrejë të rriturit. Filmi 18-minutësh bën thirrje që kujdesi ndaj fëmijëve të jetë në nivel më të lartë.

“Crab”, “Pilar”, “Invisibles” dhe “Sogni al campo” po ashtu janë dhënë te “Kino Lake” në kuadër të programit garues “Inetrnational Competition 3”. Por ata që shikojnë filma nga barka rrëmbehen nga ndjesia.

“Për besë ndjesia që të jep barka, mundet me ta heqë mendjen pak prej filmave”, ka thënë Berisha, 19-vjeçar. Në kushte ideale, ai do të vazhdonte qëndrimin në parkun më të madh të qytetit, “Karragaç”. Do të bëhej pjesë e ndejave të “Anibarit”. Por të hënën kjo ka qenë e pamundur pasi programi muzikor është anuluar. Shkak për këtë është bërë shpallja e së hënës ditë zie pasi të dielën 10 persona humbën jetën si pasojë e një aksidenti që ka pësuar në Kroaci autobusi i linjës Frakfurt-Prishtinë.

E marta e “Anibarit” do të fillojë në mesditë me ligjëratën e Mauro Carraros mbi temën “Sensitive 3D” për të vazhduar me shfaqjen e filmave në katër kategori garuese. E paneli me temën “Të rrethuar nga katër dritare” do të ofrojë një perspektivë se si artistët e kanë parë botën gjatë mbylljes shkaku i pandemisë. Diskutimi mëton të shoshitë sa më shumë temën e sivjetme të “Anibarit” – “Izolimi”.