Ekipi i filmit “Home” ia kujton botës refugjatët e Kosovës

Ekipi i filmit “Home” ia kujton botës refugjatët e Kosovës

14 shkurt 2017 15:42

Gjenocidi i luftës së fundit në Kosovë u përmend para yjeve të filmit në sallën “Royal Albert” në Londër, kur regjisori Daniel Mulloy u ngjit në skenë për ta marrë statuetën dalluese të ceremonisë që nderon arritjet filmike britanike e ndërkombëtare.

Regjisori i filmit “Home” - bashkëprodhimit britaniko-kosovar që ia solli Kosovës për herë të parë çmimin “Bafta” - e nisi fjalimin duke ndërlidhur gjendjen aktuale të refugjatëve me refugjatët kosovarë të luftës së viteve 1998-99.

Me fjalët që i tha në skenën e ceremonisë së 70-të të çmimeve që ndan Akademia Britanike e Filmit dhe Arteve Televizive, ai përcolli mesazh universal për refugjatët, shkruan sot “Koha Ditore”. Porosia e tij gjeti përkrahje në mesin e yjeve të filmit – mes së cilëve në një video të publikuar në kanalin “youtube” aktorja hollywoodiane Meryl Streep shihet tek afirmon me kokë mesazhin e britanikut.

“Uou! Kjo është e pabesueshme. Ky film është bërë nga shumë njerëz. Producentja ekzekutive, Arta Dobroshi, Shpend Qamili e Shpat Deda janë të gjithë ish-refugjatë nga gjenocidi në Kosovë”, ka thënë Mulloy, i shoqëruar në skenë edhe nga producentët e tjerë të filmit, përfshirë Alofabi Kutin, Scott O’Donnallin, Chriss Wattlingin, Nora Sahatçiun, Tim Nashin dhe Anthony Austin.

Minutat që iu ndanë në skenë Mulloy i ka shfrytëzuar për të dëshmuar se të gjithë duhet t’ua hapin dyert refugjatëve. Një porosi e tillë përthekohet edhe në filmin nën regji të tij”, që trajton fatin e refugjatëve në një perspektivë universale dhe i bën shikuesit të mendojnë se kushdo mund ta ketë një fat të tillë.

“Home”, koproduksion kosovaro-britanik, çoi mesazh të mirë për kinematografinë e vendit edhe në “Europeran Film Awards”, kur në dhjetor të vitit që shkoi u nominua për filmin më të mirë të shkurtër.

Në një komunikatë të dërguar nga ekipi i “DokuFestit”, të hënën, janë përfshirë reagimet e producentëve kosovarë të filmit. Mes tyre citohet edhe Shpat Deda, i cili qe prezent në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Bafta”.

"Vlerësimi që ‘Home’ e mori në ‘Bafta’ është një nder i hatashëm dhe dëshmi e asaj që mund të arrihet kur njerëzit bëhen bashkë për një kauzë humane, në këtë rast për refugjatët. Mbi të gjitha, suksesi i filmit ‘Home’ i jep frymë të re mesazhit të bashkëndjesisë që ne synojmë ta ndezim tek njerëzit dhe na e mundëson të arrijmë tek një audiencë edhe më e gjerë botërore, gjë që ishte qëllimi ynë që nga fillimi”, citohet të ketë thënë Deda.

Aktorja Arta Dobroshi tashmë e ka dëshmuar që meriton admirim e mbështetje, duke u bërë pjesë e kastës së filmave të njohur si “Heshtja e Lornës” të vëllezërve belg Jean-Pierre e Luc Dardenne. Sharmi i saj nuk u ka shpëtuar syrit të fotoreporterëve të prestigjiozes britanike “The Guardian”, përderisa janë shpërndarë edhe foto të Dobroshit me aktoren e njohur Meryl Streep... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme