Kulturë

“Pa Vend” merr vëmendje botërore ende pa u shfaqur premierë

“Prania e filmit ‘Pa Vend’ në Festivalin e Filmit në Cannes është një moment krenarie për pingpongun në skenën ndërkombëtare”, ka shkruar Federata Ndërkombëtare e Pingpongut. Filmi do ta ketë premierën të premten më 16 korrik dhe shpalos përpjekjet e vazhdueshme të Jeton Mazrekut dhe Ermegan Kazazit, të udhëhequr nga trajneri i tyre Rifat Rifati, që ta mbajnë gjallë sportin e pingpongut, duke zhvilluar gjenerata të reja sportistësh

Filmat e shkëlqimi i Festivalit të Filmit në Cannes i kanë rënë në sy edhe Federatës Ndërkombëtare të Pingpongut. Në qendër të vëmendjes, pasditen e së enjtes, kjo federatë ka pasur pikërisht filmin e shkurtër “Pa Vend” të regjisorit nga Kosova, Samir Karahoda. Ka theksuar se ky film i ka dhënë peshë në festival pikërisht sportit për të cilin ajo është përgjegjëse e të gjitha asociacioneve kombëtare. Artikulli për “Pa Vend” vjen dy ditë para premierës në Cannes. Filmi që bëri histori tek e futi Kosovën në garë për “Palmën e Artë” do të shfaqet të premten e 16 korrikut.

Federata Ndërkombëtare të Pingpongut, në ballinën e ueb-faqes së saj, ka vendosur tekstin e Simon Daishit, që i dedikohet filmit të Karahodës.

“Në edicionin e tij të 74-t, festivali do të ketë interes të shtuar nga bota sportive me tavolinat e pingpongut që janë në vijën e parë dhe në qendër të një projekti ambicioz që është në konkurrencë për ‘Palmën e Artë’ në kategorinë e filmave të shkurtër”, ka shkruar Daish, gjersa ka theksuar rëndësinë e filmit kosovar në festivalin e themeluar në vitin 1946.

Artikulli tutje tregon se si filmi “Pa Vend” ishte fillimisht në garë me 3 mijë e 500 projekte filmike që kishin aplikuar dhe tani është në mesin e dhjetë kandidatëve që janë në garë për çmimin prestigjioz.

Federata Ndërkombëtare e Pingpongut ka shkruar se filmi i Karahodës, në bashkëpunim me producentin fitues të disa çmimeve, Eroll Bilibanin, ka në qendër “Lidhjen e Prizrenit”, klubin e parë të pingpongut që merr njohje ndërkombëtare pas përfundimit të luftës në Kosovë.

“Pa Vend”, i zhanrit docu-fiction, përcjell përpjekjet e vazhdueshme të Jeton Mazrekut dhe Ermegan Kazazit, të udhëhequr nga trajneri i tyre Rifat Rifati, që ta mbajnë gjallë sportin e pingpongut, duke zhvilluar gjenerata të reja sportistësh.

Mazreku e Kazazi, të dielën, dy ditë para se të nisen drejt Francës, për KOHËN ishin kthyer bashkë me Rifatin aty ku nisi “Pa Vend”, ku shpalosën edhe rrëfimin tyre. Do të tregonin aty për përjetimet e tyre në një hapësirë 7 me 15 metra në kthinat e sallës së sporteve “Sezai Surroi” në Prizren.

Për kushtet e për paradoksin e pingpongistëve, “Koha Ditore”, në numrin festiv të 2020-s, kishte sjellë reportazhin “Pak pingpong në ndeshjet e basketbollit”. Pothuajse asgjë s’ka ndryshuar prej atëherë.

“’Pa Vend’, filmi që zhvillohet në vazhdën e ditëve më të errëta të Kosovës, një depërtim unik brenda filleve të jashtëzakonshme të klubit, duke treguar rrëfimin se si një trajner dhe dy anëtarë të përkushtuar bartin tavolina të pingpongut nga një hapësirë në tjetrën për ta sjellë këtë sport te një komunitet më i madh”, është shkruar në artikullin e publikuar nga Federata Ndërkombëtare e Pingpongut.

Për këtë artikull, detaje për filmin ka dhënë edhe regjisori Samir Karahoda.

“Ndihem jashtëzakonisht i lumtur që kemi arritur të tregojmë një histori unike, një rrëfim për dashurinë ndaj sportit dhe për një luftë të pazëshme kundër diskriminimit, si dhe që filmi është vlerësuar dhe përzgjedhur nga një festival si ai i filmit në Cannes”, ka thënë Karahoda për Federatën Ndërkombëtare të Kosovës.

Sipas tij, ky vlerësim ia ka bërë edhe më të sigurt punën. Ka falënderuar edhe ekipin për kontributin, si dhe klubin e pingpongut “Lidhja e Prizrenit” që ka ndarë këtë rrëfim të jashtëzakonshëm.

“Prania e filmit ‘Pa Vend” në Festivalin e Filmit në Cannes është një moment krenarie për pingpongun në skenën ndërkombëtare dhe federata u uron fat të gjithëve që janë të përfshirë në këtë projekt”, është urimi me të cilin përmbyllet shkrimi i Federatës.

Ekipi i filmit “Pa vend” – regjisori Sami Karahoda, producenti Eroll Bilibani, dy personazhet kryesore Kazazi dhe Mazreku si dhe montazheri Enis Saraçi – tashmë janë në Cannes dhe do të jenë të pranishëm edhe në premierën e filmit. Kjo do të jetë hera e parë që dy personazhet kryesore do ta shohin filmin dedikuar atyre. Ata deri më tani kanë parë vetëm një version të papërfunduar.

Në këtë festival prestigjioz nga Kosova vëmendje ka marrë edhe Luana Bajrami. 20-vjeçarja nga Kosova është bërë regjisorja më e re që në një hark gjysmëshekullor të historisë së “Director's Fortnight”, organizim paralel brenda Festivalit të Cannes, shfaqi filmin e saj. “Luaneshat...” pati premierën të enjten e javës së kaluar. Tema e filmit ka të bëjë me ëndrrat, rebelimin e ngulmimin në arritje të qëllimit. Mbi të gjitha, me energjinë rinore. Por, paralelisht, ekipi i “Luaneshat e kodrës” e dëshmon një gjë të tillë edhe në jetën reale, e këtë energji e ka çuar edhe në ngjarjen e madhe ku pos regjisores të pranishëm ishin edhe aktorët Flaka Latifi, Uratë Shabani, Era Balaj e Andi Bajgora.