Kulturë

Filmi gjerman me aktorin kosovar që luan vrasësin, premierë në Münich

Aktori kosovar Ilir Rexhepi ka një rol sfidues në filmin gjerman. “Der Polizist, der Mord und das Kind” (Polici, vrasja dhe fëmija) trajton ngjarje të vërtetë. Bëhet fjalë për tragjedinë, e cila i kishte ndodhur një familjeje kroate që ka jetuar në München të Gjermanisë.

Personazhi kryesor i filmit, Karlos Benede, të cilin e luan aktori gjerman Matthias Koeberlin, është komisar i policisë që merret me mbrojtjen e fëmijëve, të cilët bëhen viktima dhe njëkohësisht dëshmitarë të konflikteve në familje, shkruan sot “Koha Ditore”. Kreu i policisë merr në pyetje një fëmijë që quhet Alexander (Joshio Marlon) që ka qenë dëshmitar i vrasjes së nënës së tij. E Rexhepi luan pikërisht rolin e vrasësit. Personazhi i tij është babai i Alexandrit.

Në përshkrimin që i bëhet këtij filmi thuhet se Benede ka takuar shumë fëmijë në Departamentin e Mbrojtjes së Viktimave që vuajnë prej krimeve të ndryshme. Por rasti i 11-vjeçarit, Alexanderit, i cili ishte dëshmitar kur babai i tij i vrau nënën, ia ndryshon jetën. Djaloshi serioz dhe i këndshëm krijon besim tek Benede, i cili vetë është rritur në jetimore.

Puna e Benedes është që ta përgatisë Alexanderin për të dhënë dëshmi gjatë gjykimit të babait të tij. Pasi që babai i tij dënohet me burg të përjetshëm, përgjegjësia e Benedes për djaloshin merr fund. Por Alexander dëshiron një baba, i cili është i njëjtë sikur polici, i cili është kujdesur për të. Kjo ngjarje do të shpaloset për herë të parë, të martën, në ekran të madh.

Premiera e filmit do të jepet në kuadër të festivalit “Film Fest München” dhe është pjesë e garës në kategorinë “New German TV Movies”, i cili u hap me datën 22 të këtij muaji dhe do të zgjasë deri më 1 korrik... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.