Kulturë

Thesare librash deri në katër shekuj të vjetër, në ekspozitë për publikun

Deri para një viti, ato ndodheshin në “mykun” e thasëve të magazinës së Arkivit të Shtetit. Si botime që datojnë prej fillimit të shekullit të 17-të, këta libra e antikuarë kanë të bëjnë me historinë, fenë, letërsinë e subjekte të tjera. Të digjitalizuara gjatë kohës së pandemisë nga punonjës të Drejtorisë së Arkivave të Shtetit, ky institucion të martën i ka ekspozuar për publikun këto thesare të panjohura

Nën xhamin e ekspozitës është edhe një libër prej qindra faqesh ku bien në sy kolona shpjegimesh me alfabet arab kundrejt fjalëve frënge. I botuar para 139 vjetësh, “Kamûs-ı Fransevî” (Fjalori francez) i gjeniut shqiptar, Sami Frashëri është veçse një nga thesaret e arkivit shqiptar.

Ky libër, tok me 10 antikuarë e katër libra të rrallë, është shpalosur me rastin e hapjes së ekspozitës “Thesare nga Biblioteka e Arkivit” nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave.

E hapur paraditen e së martës në mjediset e Kalasë së Tiranës, ekspozita është vlerësuar se po e kthen këtë hapësirë në një vend që flet edhe për artin e historinë.

E pranishme në ceremoninë e hapjes ishte ministrja e Kulturës, Elva Margariti, drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Shtetit, Ardit Bido si dhe administratorja e Kalasë së Tiranës, Klodiana Toptani.

Në fjalën e saj të hapjes, ministrja Margariti ka vlerësuar se Arkivi Qendror i Shtetit, nga një institucion që dikur simbolizonte izolimin, tashmë është “shndërruar në një institucion të hapur për publikun dhe studiuesit jo vetëm përmes digjitalizimit të fondeve të tij, por edhe ekspozita të shpeshta”.

{gallery}

“Të gjitha këto thesare përçojnë vlera të larta”, ka thënë ajo, teksa ka vlerësuar punën e bërë gjatë pandemisë në Arkivat e Shtetit për t’i nxjerrë në pah këto pasuri.

“Të gjitha thesaret e bibliotekës, një bibliotekë e fjetur për 30 vjet, tashmë janë të digjitalizuara”, ka bërë me dije Margariti.

Në anën tjetër, drejtori i Arkivave, Ardit Bido, ka thënë se gjysma e punës në këtë institucion lidhet me kulturën, për çka e ka falënderuar ministren Margariti.

Sipas tij, “këta antikuarë janë një pasuri e rrallë e kombit tonë që janë fshehur nga sytë e publikut për vite të tëra”.

“Këto ekspozita kanë vlera të rralla, sepse të magjepsin dhe sjellin sa më afër publikun”, ka thënë Bido.

Ai, tutje, ka shtuar se brenda një viti është arritur që nga magazina të nxirren libra të futur në thasë e të krijohet një bibliotekë e qasshme për të gjithë.

Në këtë ekspozitë, e cila që në hapje është vizituar nga vogëlushët e Qendrës së Librit për Fëmijë, janë nxjerrë në dritë thesare që datojnë prej shekullit të 17-të.

Në mesin e tyre janë edhe librat: “Vepra nga Shën Gregori, Papë” (1608); “Athanasi i Aleksandrisë” (1686); “Histori e vjetër e egjiptianëve, kalcedonasve, asirianëve, babilonasve, etj., vol. XV”, nga Charles Rollin, përkthyer greqisht prej Aleksandros Kangelarios, Antonio Bortoli (1740); “Jeta e Maria Terezës së Austrisë”, Pjesa I (1788); “Gjeografi gramatike” nga Georgios Fatzeas (1760), etj.

Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur tri ditë radhazi deri më 17 qershor.