Kulturë

Zbulohet vendbanimi i humbur indigjen në Florida

Një ekip arkeologjik nga Universiteti i Floridës Veriore tashmë është goxha besimplotë se ka lokalizuar një komunitet të zhdukur indigjen në Sarabay, në verilindje të Floridës. Sado që përmendej në dokumentet franceze dhe spanjolle, ai ka qenë i panjohur deri më tani.

Lloji dhe sasia e qeramikës indigjene që po gjendet nga ekipi, i ndërthurur edhe me tipin dhe datimin e artefakteve evropiane sikundër edhe faktet hartografike, dëshmojnë fuqishëm se ky lokacion daton nga fundi i shekullit XVI dhe fillimi i shekullit pasues.

Kërkuesit kanë hapur blloqe të mëdha gërmuese, ku ndodhen plot gjetje artefaktesh të reja, teksa tani po kërkojnë edhe për dëshmi të shtëpive dhe arkitekturë publike. Studentët e udhëhequr nga Keith Ashley, së fundmi kanë zbuluar më shumë se 50 copëza të qeramikës së hershme spanjolle ashtu sikurse edhe qeramikë indigjene, që daton nga fundi i viteve 1500. Ata kanë zbuluar edhe eshtra, gurë, si dhe artefakte bërthamash, përfshirë edhe fragmente misri të djegur.

Ky gërmim është pjesë e projektit të Universitetit të Floridës, i cili fokusohet në indianët mokama-folës që jetonin ndanë brigjeve të Atlantikut në Floridën veriore në kohën e ardhjes së evropianëve më 1562. Mokama ishin ndër popullatat e para indigjene, me të cilat u ndeshën eksploruesit evropianë në fund të shekullit XVI.

Ekipi shpreson të konfirmojë zbulimin e Sarabayt, duke gjetur dëshmi shtëpish e arkitekture publike. Ata do të vazhdojnë të gjurmojnë e të mësojnë për shtresat fizike në Sarabay gjatë projekteve të vazhdueshme në tre vjetët e ardhshëm. \ eurekalert.org